E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligj për hetimin e trafikut të organeve

Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Sali Berisha u shpreh midis të tjerash,s e ligji i cili pritet të miratohet në Parlament së shpejti, do të krijojë të gjitha hapësirat e nevojshme për grupin e hetuesve të EULEX-it. Ai tha se do të hetohet plotësisht për të gjitha akuzat.

“Ne jemi të interesuar të hetohet me prioritet absolut. Ndaj ne i propozojmë një ligj të veçantë Parlamentit, që ky grup hetimor të bëjë hetimin më të plotë në çdo skaj të Shqipërisë. Ky zotëri duhet të faktojë dhe ne jemi të interesuar që këto akuza shumë të rënda për udhëheqjen politike të Kosovës dhe për Shqipërinë, të zbardhen me vërtetësinë më të madhe. Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunuar me ekspertë të EULEX-it dhe ligji do t’iu krijojë të gjitha hapësirat dhe bazën ligjore për një mbështetje të fuqishme”, u shpreh kryeministri.

Berisha shton se dokumenti i prezantuar nga Marty, nuk është i bazuar në fakte evidente, por meqë ai pretendon se ka dëshmitarë, atëherë të gjitha akuzat do të hetohet. “Nuk mund të mos theksoj se ky dokument nuk bazohet në fakte evidente. Ka zgjedhur Fushë Krujën dhe jo Krujën për qëllimet e tij, por hetimi do të nxjerrë të vërtetën sepse të akuzosh për një krim të tillë që se ka bërë as Sllobodan Millosheviçi, që ky kasap kishte pasion vrasjen e shqiptarëve, nuk ka deklaruar në mijëra faqe se është bërë tregti me organe të marra nga robërit serb të luftës. Do të ketë një hetim të plotë për një varrezë masive, pasi ky është pretendimi i senatorit Dik Marty, një pretendim i cili duhet të hetohet në tërë mundësitë ekzistuese dhe të faktojë se ku gjendet ky varr i përbashkët. Të dhënat janë se aty ku është pretenduar pas lufte, kanë ardhur ekipet dhe kanë gjetur fshatarë lumjanë në shtëpitë e tyre dhe nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të vetme të një varreze masive, ku pretendohet se janë varrosur qindra serbë, megjithëse nuk jepet asnjë emër i vetëm, ndërkohë që janë mbi 2 mijë shqiptarë me emra, varret e të cilëve nuk jepen”, shtoi ai.

Ligji në fjalë tha Berisha, bazohet në marrëveshjet e bëra me Bashkimin Evropian, teksa shtoi se dokumenti është shkruar nga Vuçkeviç, çka sipas Berishës tregon qartë qëllimet politike të tij. “Ish-senatori Dik Marty është i njohur për qëndrimet e tij antishqiptare. Ai ka qenë kundërshtar i zellshëm i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, sepse për atë më mirë Millosheviçi të përsëriste skenat hitleriane të spastrimit etnik, se sa të respektoheshin të drejtat e një populli. Ish-senatori pretendon se ka dëshmitarë, ndaj hetimi duhet të jetë me seriozitetin më të madh. Që në titull të raportit të vet, implikon udhëheqjen e Kosovës, ndërsa në thellësi është kundër vetes. Ky ligj i jep përgjigjen më të shkëlqyer të qëndrimit tonë ku ne jemi dhe do të mbetemi për hetim të plotë të kësaj çështjeje dhe shprehim falënderimin tonë ndaj BE-së që financojnë këtë hetim shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe për mbarë rajonin. Këto janë qëndrime primitive dhe për fat të keq përsërisin klishe historike që nuk i bëjnë nderë askujt”, vijoi. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-05-02 11:48
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›