E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Mendimi ndryshe, vendosi Asambleja

31/07/2009  Kreu socialist i vlerësoi me keqardhje qëndrimet kundër linjës zyrtare

“Bëmë një debat të gjatë dhe shumë të vlefshëm, arritëm rezultatin e duhur”

Mendimi ndryshe i zyrtarizuar në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së është parë me keqardhje nga kreu socialist, Edi Rama. Një ditë pas mbledhjes së këtij forumi, kryetari Rama komentoi qëndrimet e ardhura nga anëtarët e asamblesë, të cilët ishin kundër rezolutës zyrtare të PS-së, kjo si lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit, ashtu dhe me zbatimin e rregullave statutore. Në gjykimin e kreut socialist, fryma që ky grupim, i njohur si kundërshtarë të Ramës, shpalosi në mbledhje, nënvlerësoi çështjen më të rëndësishme, atë të zgjedhjeve dhe të vërtetës mbi to. “Është për të ardhur keq, që ndërkohë i tërë diskutimi u fokusua në atë që ka të bëjë me një vendimmarrje të Partisë Socialiste, pra me zbatimin e statutit të kësaj partie dhe nuk u fokusua në një aspekt tjetër. Zgjedhjet e 28 qershorit, nuk janë zgjedhjet që meritojnë shqiptaret dhe shqiptarët. Zgjedhjet e 28 qershorit u manipuluan dhe rezultati i tyre u deformua përmes një korrupsioni elektoral para, gjatë dhe pas fushatës dhe ndërkohë që shfaqja më e shëmtuar në historinë e zgjedhjeve qysh pas vitit 1996, e një KQZ të kthyer në një instrument ilegal përmes vendimmarrjesh ilegale në kundërshtim me ligjin, zhvillohej, pak kush ngrinte zërin dhe fliste për këtë”, deklaroi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me median, lidhur me diskutimet dhe debatet mbi të cilat u përqendrua mbledhja e dy ditëve më parë. Ndërkohë që në vijim të kësaj linje, Rama sqaroi se “në mënyrën më absolute unë i shikoj të gjitha përpjekjet, e të gjithë miqve bashkëpunëtorëve dhe kolegëve për të hapur një debat lidhur me një qëndrim që është shumë i rëndësishëm politik të PS në raport me një proces, më i rëndësishmi për një forcë politike që është procesi zgjedhor, si shprehje të atij diversiteti dhe të asaj natyre që ka familja jonë politike që padrejtësisht është parë dhe është komentuar herë pas here si një familje ku kjo gjë mungon”. Por edhe pse e parë në këtë këndvështrim, kreu socialist nuk harroi të ritheksojë produktin e dalë nga mbledhja e asamblesë kombëtare. “Kemi bërë një debat të gjatë dhe shumë të vlefshëm dhe kemi arritur rezultatin e duhur. Sigurisht që ata mendojnë ndryshe, por kjo nuk do të thotë që nuk janë miqtë dhe kolegët e mi, kështu që edhe ju për këtë arsye po pyesni sepse ata mendojnë ndryshe. Unë mendoj ndryshe dhe asambleja vendosi”, vlerësoi Rama, gjatë fjalës së tij, sa i takon një momenti të tillë. Por nga ana tjetër, Rama u ndal sërish tek procesi zgjedhor dhe qëndrimi i PS-së mbi këtë moment, duke u shprehur se “nëse PS-ja nuk do të konceptonte aksionin opozitar që ne kemi konceptuar, nuk ka më zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri, nuk ka më mundësi për të ndryshuar pushtetin në Shqipëri, sepse do të merrte formë një herë e mirë për një kohë të caktuar të paktën dhe me konsekuenca dramatike, një marrëdhënie tërësisht e deformuar mes shtetit dhe qytetarit, për shkak të një pushteti që e ka kthyer më 28 qershor tërë shtetin në një makinë elektorale dhe që me pushtetin ekonomik të akumuluar përmes korrupsionit dhe abuzimit dikton rezultatin elektoral”.

Komisioni hetimor

Partia Socialiste do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për transparencën e 28 qershorit. Një fakt i tillë u theksua dje nga kreu i kësaj partie, Edi Rama. “Komisioni hetimor për transparencën e 28 qershorit apo për të zbardhur atë që ne e quajmë vendosmërisht krimi elektoral i 28 qershorit, është një nga instrumentet dhe ne do ta vëmë atë menjëherë në lëvizje, duke bërë gjithë përpjekjen tonë që t’i shkojmë deri në fund procesit të hetimit parlamentar. Por nuk është i vetmi instrument”, u shpreh Rama. Sipas tij, lidhur me vlerën numerike të rezultatit, nga pikëpamja juridike nuk mund të diskutohet, por nga pikëpamja politike është tërësisht e kontestueshme dhe për këtë arsye PS-ja do ta kontestojë në vijimësi legjitimitetin e kësaj qeverie, do ta kontestojë në vijimësi sovranitetin e këtij parlamenti të ri. “Qëndrimi ynë është një qëndrim që vjen si rezultat i një të vërtete, që shqiptarët e dinë mirë”, tha ai.

rotestat qytetare

Duke i mëshuar me forcë mosnjohjes së rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, socialistët paralajmërojnë zgjedhjet e parakohshme, por më parë kjo do të sjellë organizimin e protestave qytetare. “Qëndrimi ynë jo vetëm ka forcën e nevojshme për ta vendosur parlamentin dhe qeverinë në atë pozicion që meritojnë, por është një bazë shumë e fortë për të synuar zgjedhjet e parakohshme, pavarësisht afatit të tyre dhe jo si qëllim në vetvete për të ndryshuar ngjyrën e pushtetit, por si një domosdoshmëri për t’i dhënë sovranitet të pakontestueshëm Parlamentit, legjitimitet të pakontestueshëm politikisht qeverisë dhe mundësi vendit për të bërë reforma. Ne do të shkojmë menjëherë, apo do të kthehemi menjëherë te shqiptarët në të gjithë territorin dhe do të ndërtojmë një proces komunikimi intensiv, që do të përkthehet edhe në shfaqje demokratike të protestës për një rezultat të papranueshëm”, u shpreh ai.

Pozicioni i Ramës

“Një kryetar në detyrë është një kryetar që bën detyrën dhe detyra që ka kryetari në detyrë është detyra e kryetarit”, u shpreh Rama, lidhur me pozicionin e tij në këtë parti. Kjo pasi tashmë bazuar në atë çfarë vetë kreu socialist i propozoi asamblesë, Rama ka dhënë dorëheqjen, por do të vijojë të jetë në krye të PS-së deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Gjithashtu, kreu socialist shkoi më tej duke hequr paralele mes drejtimit të dy kampeve politike. “Në po atë cilësi që Kryeministri i drejtohet shqiptarëve, edhe pse teorikisht apo juridikisht mandati i tij sot është ndërprerë ose në rast se nuk do të rizgjidhej Kryeministër do të vazhdonte t’i drejtohej shqiptarëve pavarësisht se mandati i tij është ndërprerë, sepse nuk ka vakum”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›