E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Meta iku, por la bllokun

17/01/2011  Partia Socialiste shton dozën e akuzave ndaj lidershipit të LSI-së

Kundërvënia ndaj Lëvizjes Socialiste dhe drejtuesit të saj përbën një nga pikat kryesore në të cilën Partia Socialiste ka përqendruar vëmendjen e saj. Për çdo ditë e më shumë kjo parti shton dozën e akuzave dhe kritikave ndaj lidershipit të LSI-së. Por krahas këtij qëndrimi PS-ja shigjeton ashpër edhe koalicionin qeverisës PD–LSI. Kështu, ishte vetë kreu socialist Edi Rama që duke e cilësuar sistemin qeverisës tërësisht të kalbur, kërkoi shpërbërjen e tij, pasi sipas tij ky kalbëzim rrezikon të çojë vendin në një katastrofë të plotë ekonomike dhe shoqërore.

Takimi

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi dje një takim me studentë të Akademisë Politike të kësaj partie, të cilët i njohu me veprimet që pritet të ndërmarrë opozita ndaj skandalit qeveritar. Në analizën e tij Rama nënvizoi faktin se pas këtij skandali nuk qëndron thjesht një individ i shkëputur, por mishëron një kulturë dhe moral qeverisës. Duke iu referuar videos Meta–Prifti dhe dorëheqjes që e pasoi, Rama e konsideroi aktin e ish-zëvendëskryeministrit dhe ish-ministrit të Ekonomisë thjesht një lëvizje të detyruar, ku ka ndërruar vetëm emri i individit, por dikasteri i Ministrisë së Ekonomisë mbetet sërish një pronë që duhet ta mbajë LSI-ja. Sipas tij, ikja e një ministri nuk ndryshon asgjë, sepse ka mbetur sistemi i korruptuar qeverisës për sa kohë është në krye të punëve të vendit qeveria e Sali Berishës.

Deklarata

Për Partinë Socialiste korrupsioni i kthyer në sistem të paturpshëm sundimi është prova më flagrante e koalicionit Meta–Berisha jo për interesa të shqiptarëve, por për plaçkitur Shqipërinë së bashku. “Jo vetëm ska pohim, jo vetëm ska ndjesë, jo vetëm ska reflektim, po ka një manovër, nga e cila ka një rezultat që tregon se në thelb ska ndryshuar asgjë, pasi ka ikur Meta, ka mbetur blloku aty. Dhe të gjitha aferat dhe favoret tërësisht të paligjshme, që janë zemra e sistemit të korrupsionit, të cilin këta kusarë dhe matrapazë kërkojnë të riciklojnë pushtetin, janë aty në atë bllok dhe janë aty në atë zyrë dhe në ato zyra dhe do të vazhdojnë të jenë aty e të implementohen në rrugën e paligjshmërisë për sa kohë do të jetë aty Saliu dhe i ashtuquajturi “koalicion për integrim”, që në fakt është një bashkim për të vjedhur Shqipërinë”, - vuri në dukje, Rama gjatë fjalës së tij. Nga qyteti i Durrësit, ku dhe u zhvillua ky takim, Rama bëri thirrje që “të gjithë ata që nuk janë pjesë e këtij oborri kusarësh e matrapazësh, të gjithë ata që ndihen të fyer ndaj faktit se si sillet ky pushtet ndaj popullit të tij, të gjithë ata që ndiejnë revoltë ndaj mënyrës se si përdoren zyrat e shtetit shqiptar, të vijnë më 21 janar në demonstratën që do të zhvillohet pa flamuj e simbole politike e partiake.

Akuza

“Pavarësisht largimit të një aktori në këtë skandal, Ministria e Ekonomisë trajtohet si një domen i një partie, e cila është futur në një bashkim kusarësh e matrapazësh, siç rezulton nga faktet dhe nuk trajtohet si Ministria e Ekonomisë Shqiptare. Ajo trajtohet si të ishte nën në statutin e ndjesë pastë LSI-së, që i përket kësaj partie dhe që pa këtë kjo parti nuk ekzistuaka”

Vlerësimi

Referuar situatës së ardhur pas publikimit të videopërgjimit Meta–Prifti, Rama vlerësoi se “kurrë qeveria dhe kryeministri nuk mund as teorikisht të ndjekin rrugën që ndoqën gjatë gjithë këtyre ditëve pas publikimit të një fakti me zë e me figurë, që e pa gjithë populli, në rast se nuk do të mendonin dhe besonin se do ti vjedhin prapë zgjedhjet”.

Qëndrimi

“Për ne ky nuk është një rast për të marrë pushtetin, ky për ne është rasti kur të gjithë shqiptarët dhe ata që nuk janë pjesë e kampit tonë opozitar të reagojnë dhe të protestojnë për të ndryshuar rrjedhën e këtyre ngjarjeve dhe për të rivendosur sistemin, duke garantuar që qeveria dhe qeverisja të rifuten nën kontroll. Rifutja e tyre nën kontroll vjen nga vota.”

Rama për koalicionin PD–LSI

Kreu i PS-së Edi Rama e cilësoi koalicionin PD–LSI thjesht një bashkim për të vjedhur prona e pasuri publike të shqiptarëve. “A ka shembull më kuptimplotë se sa manovra, ku pavarësisht asaj që njerëzit panë e dëgjuan me sytë dhe veshët e tyre, pavarësisht largimit të një aktori në këtë skandal, Ministria e Ekonomisë trajtohet si një domen i një partie, e cila është futur në një bashkim kusarësh e matrapazësh, siç rezulton nga faktet, dhe nuk trajtohet si Ministria e Ekonomisë Shqiptare. Trajtohet Ministria e Ekonomisë, si të ishte nën statutin e ndjesë pastë LSI-së, që i përket kësaj partie dhe që pa këtë kjo parti nuk ekzistuaka. Kjo provon se këtu është çështje e një sistemi të kalbur tërësisht qeverisës, i cili duhet zhbërë, pasi ky kalbëzim rrezikon të çojë vendin në një katastrofë të plotë ekonomike dhe shoqërore”, - vuri në dukje, Rama lidhur me këtë çështje.

Sesioni parlamentar, PS radikale

Asambleja Kombëtare e PS-së vendosi pak ditë më parë që grupi parlamentar i kësaj partie të thellojë marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin deri në zbardhjen e skemës korruptive për grabitjen e votave të qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e 28 qershorit duke hetuar deri në fund kutitë e materialeve zgjedhore, si dhe në angazhimin e vazhdueshëm në çdo mënyrë e mjet demokratik për largimin e menjëhershëm të Sali Berishës dhe “të qeverisë së kusarëve, që po grabitin vendin dhe qytetarët shqiptarë”. Por ndërkohë pritet mbledhja e grupit parlamentar të kësaj partie që të sqarojë se cili do të jetë pozicioni i këtij grupimi me një institucion të tillë. Deri më tani burime zyrtare konfirmojnë se nuk flitet për qëndrime të reja përveç vijimit të marrëdhënies së kushtëzuar me Kuvendin, që do të thotë pjesëmarrje vetëm në debat dhe jo në votim.

Videopërgjimi

Hysi: Në demonstratë kundër koalicionit hajdut

“Sot më tepër se kurrë vendi ka nevojë që të gjithë të ngrihemi më këmbë kundër këtij pushteti të paturpshëm hajdut, i cili vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë e xhepat e gjithsecilit dhe vazhdon të vjedhë përsëri. Sot nën pushtetin e bllokut të pisllëqeve shqiptarët nuk mund të pretendojnë as integrimin, as demokracinë, as liritë, pasi jo vetëm këto, por gjithçka po u grabitet përditë mes tenderësh të fëlliqur, që mbushin xhepat e ministrave.” Ky ishte apeli i ardhur dje nga selia rozë, e cila përmes deputetes Vasilika Hysi e cilësoi të pamjaftueshme dorëheqjen e ish-zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë Ilir Meta. Sipas saj, ky pushtet i vjedhur po grabit të ardhmen e të gjithëve, mes vjedhjes së kthyer në sistem sundimi e kërcënimi. “Nga Këshilli i Ministrave është larguar Ilir Meta, por aty ka mbetur blloku i pisllëqeve mbi tavolinën ku ulet sikur të mos ketë ndodhur asgjë koalicioni i hajdutëve.

A mund të mjaftojë kjo për të dënuar vjedhjen e xhepave të shqiptarëve në mes të natës e ditës, që ende tani po bën xhiron e botës? A mjafton vetëm dorëheqja e Metës për ato shkolla, spitale, shërbime, rroga e pensione, investime publike, të gjitha të munguara sepse pushteti kërkon të zhvatë akoma më tepër luks, akoma edhe më tepër para nga xhepat tanë?” - deklaroi ajo. Për PS-në, nëse kjo qeveri zullumqare e hajdute rri më këmbë, largimi i Metës kthehet në leje të zakonshme.

Apeli

“Më 21 janar, në demonstratën e të gjithë shqiptarëve, ne do të ngrihemi kundër sundimit të hajdutëve për tu hapur rrugën lirive e të drejtave që na janë vjedhur për 20 vjet. Më 21 janar të gjithë në shesh kundër blloqeve të pisllëqeve, miqve e klientëve financiarë e mbi të gjitha në shesh kundër heshtjes së pushtetit përpara vjedhjes masive të pasurive të shqiptarëve.

Ne nuk do ta ulim kokën.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›