Tension në Kuvend, opozita e bashkuar braktis seancën
BLEDAR HOTI
Seanca e Kuvendit nisi dje me shumë vonesë, ku shkak i kësaj ka qenë zhvillimi i Konferencës së Kryetarëve. Seanca e djeshme ishte paralajmëruar, por nuk ishte përcaktuar një rend dite për çështjet që duhet të diskutoheshin. Për më se një orë Konferenca e Kryetarëve ka diskutuar mbi rendin e ditës, në të cilën duhej të vendoseshin pikat që do të diskutoheshin. Në Konferencën e Kryetarëve ka munguar përfaqësuesja e PS-së, Valentina Leskaj. Deputetët e maxhorancës kanë hyrë me radhë brenda në sallë, duke pritur me ngulm që Konferenca e Kryetarëve të Kuvendit të përfundonte. Ndërsa më pas kanë hyrë edhe deputetët e opozitës, Valentina Leskaj, Erjon Braçe, Blendi Klosi, Arta Dade dhe Kastriot Islami. Seanca ka nisur në orën 11:15. Në sallë përveç një numri të pakët të socialistëve kanë qenë dhe deputetët e LSI-së, Xhufi, Braho, Neranxi, Kola dhe Legisi. Fotokopjimi i materialeve për rendin e ditës, kalendarin e punimeve, ndikuan në nisjen me vonesë të seancës. Ndërsa në seancë kanë qenë të pranishëm një pjesë e mirë e ministrave si dhe të gjithë deputetët e maxhorancës. Në rendin e ditës për diskutim kanë qenë 10 çështje.
Leskaj
Kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj, që në fillim të seancës e cilësoi atë si një mbledhje partie të PD-së, e jo si mbledhje të Kuvendit. Socialistët kanë bërë të ditur ndërkohë bojkotin nga seanca parlamentare gjersa të mos merret vendimi për pajisjen me karta falas të qytetarëve. “Sot nuk ka më kohë për mëdyshje e zvarritje. Jemi në limitet e fundit për një zgjidhje të cilën e kemi propozuar dhe kërkojmë të zbatohet, që shqiptarët të mos privohen nga e drejta kushtetuese për të votuar për arsye ekonomike dhe taksimi. PS-ja ka bërë disa propozime konkrete që lehtësojnë procesin”, deklaroi Leskaj. Ajo shtoi se, “PS-ja është më e interesuara për zgjidhjen e problemit, për pajisjen në kohë të zgjedhësve pa pasaportë me letërnjoftime dhe është e vendosur të kërkojë deri në fund zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Dua t’ju përsëris edhe njëherë në emër të grupit, se ne nuk do lejojmë që PD-ja të përdorë në favor të saj letërnjoftimet”.
Patozi
Ndërsa deputeti i PD-së, Astrit Patozi, reagoi ndaj qëndrimit të PS-së se, “Edi Rama nuk është duke kërkuar karta identiteti sot, por është duke kërkuar një kartë për ta pasur atë si një justifikim për humbjen e pritshme në zgjedhjet e 28 qershorit”. “Shqipëria do të votojë kur e përcakton Kushtetuta dhe ligjet e vendit dhe jo atëherë kur t’i dalë frika kryetarit të PS-së, i cili duhet të kuptojë se zgjedhjet nuk fitohen në tavolinë, por fitohen në kutitë e votimit. Mjekësia ende nuk ka shpikur një ilaç çudibërës frikacakun në trim, përdoren ndonjëherë drogat, por edhe ato janë me veprim të përkohshëm. Politika dhe shkenca ende nuk kanë shpikur ndonjë mënyrë që ta kthejnë politikanin paranojak në një njeri normal dhe ne jemi pikërisht te ky rast”, tha Patozi. Ndërsa deputeti i LSI-së kërkoi që të jepen kartat falas për të gjithë qytetarët për të shpëtuar zgjedhjet parlamentare. Të gjithë deputetët e opozitës kanë lënë sallën e Kuvendit, duke mos marrë pjesë në miratimin e 10 pikave që ishin parashikuar në rendin e ditës.