“Pas krismës, Nako Spiru kaloi i gjallë para këmbëve të mia”
Ferdinand Dervishi
“Jam dëshmitare e vetëvrasjes së Nako Spirut...” Gruaja në moshë të thyer, që quhet Margarita Tirana dhe dëshiron të rrëfejë variantin e saj për ngjarjen e bujshme të 20 nëntorit 1947, ka marrë shtysë nga publikimi, këto ditë të fundit në “Panorama”, i një kapitulli të librit të sapobotuar të gazetarit dhe historianit Kastriot Dervishi, aktualisht Drejtor i Arkivit në Ministrinë e Brendshme, me titull “Plumba politikës”. “Kam qenë nëpunëse në institucionin që drejtonte Nako Spiru, në Komisionin e Planit të Shtetit dhe i mbaj mend zhvillimet e asaj dite”, nis Margarita të rrëmojë në kujtesën e vet. Dhe duket se ka një memorie të admirueshme, pasi arrin të kujtojë detaje, që nuk vënë në dyshim as autencitetin, madje as shmangien nga e vërteta.
Ngjarja e pasdites
së 20 nëntorit
“Ishte pasdite kur ka ndodhur ngjarja. Në ato kohëra punonim edhe paradite edhe pasdite. Pasi vendi përballej me mungesa të shumta në furnizime. Gjithçka duhet të kalonte, qoftë edhe një kilogram gozhdë për një ndërmarrje të caktuar, nga Komisioni i Planit të Shtetit, që drejtohej nga Nako Spiru në postin e drejtorit dhe Kiço Ngjela në atë të nëndrejtorit”, rrëfen Margarita. Sipas saj, një tjetër personazh, Nesti Kerenxhi, kishte edhe ai një post të lartë në të njëjtin institucion, por renditej i barabartë apo pas Ngjelës. Ndërsa ngjarja, plagosja në rrethana të panjohura e Nako Spirut, ka ndodhur në katin e dytë të godinës, ku gjendeshin zyrat e Komisionit të Planit të Shtetit. “Zyra e Nakos ishte e fundit në katin e dytë të godinës, ku aktualisht gjendet Kryeministria. Madje, kujtoj se dritarja e tij shihte nga tashmë ‘Hotel Rogner’. Në fakt, që të gjithë dëgjuam një krismë të thatë, por nuk ia vumë veshin. U frikësuam vetëm pak momente më pas, kur aty ja behën shumë njerëz dhe kur dëgjuam se Nako, drejtori ynë, ishte plagosur...”. Më tej Margarita kishte parë se si disa njerëz e kishin marrë Nakon e përgjakur në krahë, duke kaluar me ngut para këmbëve të saj dhe shoqeve të saj kureshtare, që punonin në katin e parë, për ta çuar me makinë në spital. “Pak kohë më pas na lajmëruan për vdekjen, por nuk vonoi shumë dhe versioni i parë sqarues për ngjarjen ishte që ‘u plagos, pra humbi jetën duke luajtur me armën. Më tej, dëgjuam edhe një tjetër version, jo shumë të besueshëm, sipas të cilit Nako në momentin kur ia kishte hequr vetes kishte qenë i dehur. Por e vërteta u pohua më pas kur mësuam për ultimatumin e Koçi Xoxes ndaj Nakos”, vazhdon rrëfimin bashkëkohësja e kësaj historie.
Dënimi i “grupit” të Nako Spirut
Pasngjarja sipas Margaritës kishte sjellë një tufë të papriturash. “Të nesërmen na thanë: Mblidhni lule! Mblodhëm lule dhe bëmë edhe kurora me palma. Por në momentin që gjithçka ishte gati urdhri u ndryshua: Lulet mos i përdorni, se Nako ishte i thjeshtë. Por ne ia bëmë nderin, ia çuam, edhe pse në homazhe nuk na lejuan. Shkoni punoni – na thanë – se Nako ishte njeri i punës...”. Dy ditë më pas Margarita Tirana dhe kolegët e saj të punës janë thirrur në një mbledhje urgjente. “Na thanë se Nako vrau veten dhe se ky ishte një gjest i dënueshëm nga Partia. Por nuk përfundoi këtu. Pasi grupi i drejtuesve të Komisionit të Planit të Shtetit menjëherë pas vdekjes së Nakos u akuzua për komplot. Ndërsa ndëshkimet e tejkaluan këtë institucion. Kujtoj se u dënua Muhamer Spahiu, se Fiqerete Shehu tha në mbledhje: Jam gati të ngarkohem me gurë, vetëm nga partia mos më hiqni dhe se Mehmet Shehun, dora vetë, e hoqën nga posti i ministrit të Brendshëm dhe e lanë në drejtim të Telekomunikacioneve. Ishte koha kur Koçi Xoxes i priste shpata në të dyja anët. Madje edhe Enveri në këtë kohë ka qenë i pafuqishëm...”, rrëfen kolegia e punës e Nako Spirut, e cila edhe vetë do të binte viktimë e fushatave të tilla, por në një ndërkohë të dytë, kur radha i vjen goditjes së Kiço Ngjelës, zëvendësit të Nako Spirut.
Miku i Ngjelës
“Im shoq, Ferdi Tirana, erdhi të punonte me mua në të njëjtin institucion rreth tre muaj para se Nako të humbte jetën. Ferdi kishte punuar në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës, si shef për kulturën dhe strehimin, kurse te ne erdhi si kryetar i Degës së Bilancit dhe Ekonomisë. Shpejt u miqësua me Kiço Ngjelën, pasi ishte shumë i zoti në punë, ndërsa me Nakon nuk pati mundësi të njihej. Kjo sepse Nako pothuaj nuk vinte fare aty. Unë vetë, përgjatë një viti punë, e kam parë gjithsej tri apo katër herë, pasi ai kishte një zyrë tjetër në Kryeministri”, rrëfen Margarita. Sipas saj, ka një moment në librin e Kastriot Dervishit që edhe pse i vjelë nga të dhëna të dokumentuara, ka pasaktësi. “Vihet në gojën e një oficeri të Sigurimit, që quhet Myftar Tare një frazë sipas të cilës im-shoq, Ferdi dhe Hilmi Seiti, një tjetër punonjës i Komisionit të Planit të Shtetit, ishin pjesë e një ‘rrjeti të veçantë agjenturor për të vëzhguar Nakon e punën e tij në ministri’. Kam idenë se këtu ka një dezinformacion të oficerit të Sigurimit, pasi ai gabon qind për qind kur përfshin Hilmi Seitin në këtë shpifje. Sepse e vërteta thotë se Hilmi Seiti ka ardhur të punojë në Komisionin e Planit të Shtetit pas vdekjes së Nakos. Nisur nga kjo, nuk ka nevojë për shpjegime të tjera për të vërtetuar se ky moment është i pasaktë”, shpjegon gruaja në moshë të thyer. Sipas saj, në këtë periudhë lufta e klasave nuk ishte aq e ashpër dhe i njëjti argument, i pranimit në këtë institucion i një të përjashtuari nga Partia, siç ishte Hilmi Seiti, sqaron edhe mosimplikimin e të shoqit, Ferdit në këtë histori. “Sepse në atë kohë nuk kishte ende spiunë vullnetarë, bashkëpunëtorë si u thonë, pasi punonin vetëm ata që e kishin për detyrë. Ndërsa Ferdi ishte natyrë krejt tjetër. Ai nuk hidhte askënd poshtë. Për këtë edhe e pësoi. Sepse e përjashtuan nga Partia kur u kujtuan se kishte miqësi të ngushtë me Kiço Ngjelën. Kur Kiço doli nga burgu, në derën tonë trokiti të parën: Përqafoi Ferdin dhe i tha: Të falënderoj, vetëm ti më dole burrë, të tjerët më degjeneruan gjatë hetimit...” përfundon Margarita Tirana.