Rama: Mosnjohje zgjedhjesh e protesta
Aristir Lumezi
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një dalje të posaçme për median deklaroi dje se askush nuk mund të prekë mandatin e 9-të të Fierit, përndryshe populli i këtij qyteti dhe gjithë Shqipërisë, do të reagojë. Sipas tij, socialistët nuk do të tërhiqen nga zbardhja e krimit të 28 qershorit, ndërsa hodhi akuza mbi çiftin e ri të politikës së vjetër, sikundër e cilësoi ai bashkëpunimin mes Berishës dhe Metës. “Duke i siguruar që të dy, edhe Sali Berishën dhe Ilir Metën, se sot Partia Socialiste është më e fortë se asnjëherë dhe se mua sulmet e tyre primitive vetëm më forcojnë bindjen në drejtësinë e një beteje që as kam ndërmend ta lë përgjysmë e as do ta fitojnë duke marrë peng qeverinë e Shqipërisë, unë rinënvizoj sot me forcë në adresë të çiftit të ri të politikës së vjetër, atë që Partia Socialiste ka theksuar vijimësisht gjatë këtyre ditëve: Mos prekni mandatin e 9-të të socialistëve në Fier, sepse do të përballeni, jo vetëm me mosnjohjen e zgjedhjeve, por edhe me reagimin e merituar të popullit të Fierit e të gjithë Shqipërisë. Ne nuk e lëshojmë mandatin e 9-të të Fierit me asnjë çmim dhe nuk tërhiqemi nga zbardhja deri në fundin e krimit elektoral të 28 qershorit për asnjë arsye”, tha Rama. Kreu socialist e cilësoi si pa standarde procesin e 28 qershorit. Sipas tij, po tentohet të ngrihet një qeveri e dy familjeve klanore, në dëm të demokracisë dhe lirisë.
“Dhe ne nuk jemi Sali Berisha apo Ilir Meta, që tjetër thonë e tjetër bëjnë. Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, forca e parë politike në vend, që sot kemi detyrë të pashmangshme, mbrojtjen me çdo kusht të lirisë e të demokracisë në vend, mbrojtjen me çdo çmim të interesave të vendit e të popullit të dhunuar në vullnetin e tij sovran, mbrojtjen me çdo mjet të së drejtës e dinjitetit të çdo zgjedhësi që ka votuar më 28 qershor, për t’u ndarë nga e shkuara. Sepse vërtetë koha është e maskarenjve, por Shqipëria është e shqiptarëve”, tha Rama.
Braktisja e KQZ
Ndërkaq zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj, paralajmëroi dhe braktisjen KQZ-së si reagim ndaj sjelljes së kreut të këtij institucioni gjatë mbledhjes së paradites në drejtim të Partisë Socialiste. Sipas zëdhënëses së selisë rozë, KQZ është kthyer në një vegël në duart e Kryeministrit Berisha. “Të gjithë ata që kanë ndjekur sot KQZ, kanë mundur të shohin dhe dëgjojnë sjelljen dhe gjuhën rrugaçërore të kryetarit të KQZ Arben Ristani në adresë të Partisë Socialiste. PS e dënon publikisht këtë KQZ të kthyer në një vegël qorre të pushtetit të Sali Berishës dhe paralajmëron braktisjen e tij, në rast se zoti Ristani do ta përsërisë këtë turp të pashembullt që bëri sot”, theksoi Imeraj.
PD: Rama si Milosheviçi
Partia Demokratike i është përgjigjur deklaratës së sotme të kreut socialist, duke i bërë thirrje Ramës të heqë dorë nga kërcënimet dhe të pranojë humbjen në zgjedhjet e 28 qershorit.
“Zoti Edi Rama vetë dhe me zëdhënësit e tij në vend që të pranojnë humbjen kalon nga trillimi në trillim, nga kërcënimi në kërcënim. Nga ana tjetër i rikujtojmë zotit Rama se në rajonin e Ballkanit ka pasur vetëm një politikan, i cili pas çdo disfate deklaronte se ndihej më i fortë se kurrë dhe ky ishte Sllobodan Millosheviç”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike, në një deklaratë për mediat.