Xhafaj: Ristani, peng i Berishës për shkak të së kaluarës së tij
PS sulmon me akuza të ashpra kreun e KQZ Ristani. Pak orë përpara shqyrtimit të ankimit të PS për qarkun e Fierit, sekretari për çështjet ligjore Xhafaj akuzoi Ristanin se për shkak të problemeve të tij në të kaluarën është peng i urdhrave politik të kryeministrit. “Nuk është faji i Partisë Socialiste që në jetën e tij Arben Ristani ka gëlltitur një lugë çorbë të prishur dhe është duke e vjellë atë lugë çorbë. Nuk është faji i PS-së që Ristani ka shumë probleme për të cilat mbahet peng nga Sali Berisha dhe për të cilat është duke u keqpërdorur politikisht gjatë këtij procesi zgjedhor. Ndaj i kërkoj publikisht që të respektojë ligjin, të jetë shumë i kujdesshëm me marrëdhëniet me PS-në dhe përfaqësuesit e saj ligjor, një marrëdhënie e cila duhet të ndërtohet tërësisht në bazë të ligjit e institucionale. Nuk e konsiderojmë normale që të merremi me jetën e individëve të caktuar me biografinë e individëve të caktuar, me biografinë e individëve të caktuar, por detyrohem që një gjë të tillë ta bëj me Arben Ristanin nëse do të vazhdojnë kështu”, theksoi dje Xhafaj, gjatë një prononcimi për mediat. Sekretari socialist pohoi dje se ligji zgjedhor nuk i përjashton defektet lidhur me përbërjen e KQZ-së. “Ky është një komision ku ka diktuar haptazi shumica politike vendimmarrëse dhe arbitrariteti dhe paaftësia e administrimit të këtij procesi nga kjo shumicë dhe kryetari i saj zoti Ristani. Mund të ketë defekte të ligjit, por kjo nuk është më shumë rrjedhojë e defekteve të ligjit të Kodit Zgjedhor, por është rrjedhojë e faktit të qasjes negativiste që kjo maxhorancë ka ndaj procesit zgjedhor. Pra, përpjekjes për të pasur një mundësi kontrolli arbitrarë të dhunshëm jo ligjorë”, tha ndër të tjera Fatmir Xhafaj.