E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Rama pati të drejtë që nuk kandidoi Fatos Nanon

 

Ish-kryeministri Pandeli Majko kritikon Fatos Nanon për qëndrimin e mbajtur pak javë më parë ndaj PS-së dhe Edi Ramës. Duke folur në një intervistë në “Alsat”, kandidati socialist për qarkun e Korçës, tha se fillimisht ishte i qëndrimit se Nano duhet të ishte pjesë e listës së kësaj partie për zgjedhjet e 28 qershorit. Por sipas Majkos ky qëndrim i ndryshoi pikërisht kur ish-kryeministri i fundit socialist akuzoi Ramën dhe PS-së, në ditën kur po dilnin listat e kandidatëve për deputetë. “Në planin personal në fillim kam qenë që ai të kandidonte dhe këtë ia kam shprehur dhe Edi Ramës, por kur kam parë intervistën te “Klan”, mendova se zoti Rama deri diku ka pasur të drejtë. Nuk u zhgënjeva, por mendova se Fatosi për atë që i ka dhënë PS-së, për atë që na ka dhënë të gjithëve, për mënyrën se si ka krijuar mundësi për shumë njerëz që i ka dashur dhe nuk i ka dashur, nuk i takonte të mbante atë pozicion”, tha Majko. Sipas tij: “Këtu nuk e kam fjalën për pozicionin ndaj Ramës. Rama në thelb mbetet një fenomen politik, që ka të bëjë me drejtimin e partisë për vitet në vazhdim. Kurse PS, për të cilën ai ka dhënë edhe 3 vitet e tij të jetës në burg, nuk meritonte atë që ai në prag të zgjedhjeve të krijonte një situatë të paprecedentë kur ish-kryetari flet me një gjuhë e cila dëmton partinë që ai ka drejtuar. Në këtë këndvështrim kjo do të jetë një histori njerëzore në vazhdim. Nano mbetet aty siç mbetet historia e PS-së”. Ish-kryeministri Majko komentoi edhe letrën e një dite më parë të kreut të LSI-së, Ilir Meta për një tryezë të liderëve të majtë, gjashtë ditë para zgjedhjeve. Majko vlerësoi iniciativën, por shtoi se ajo është e vonuar, tashmë që qytetarët po bëhen gati për t’iu drejtuar kutive të votimit. “Në frymën e përgjithshme nuk e shoh negative, por mendoj se edhe teknikisht dhe politikisht përpara zgjedhjeve është mëse e vonuar. Koalicionet janë ndarë, njerëzit janë duke shkuar te fleta e votimit dhe mendoj se ndonjëherë bëjnë ftesa që u dihet përgjigjja. Histori të tilla është mirë të lihen pas zgjedhjeve, kur njerëzit të kenë ndarë votën dhe gjithçka të jetë e qartë në tavolinën e së majtës”, u shpreh Majko, i cili shtoi se në përfundim të zgjedhjeve, nuk ka dyshim që kryeministri do të jetë i Partisë Socialiste dhe jo i ndonjë force tjetër të koalicionit të majtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›