Rama: Ndërhyrje serioze në Kushtetutë. Jo vetëm për imunitetin

Kryesocialisti Edi Rama ka ripërsëritur qëndrimin e PS-së në lidhje me ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit. Duke folur në mbledhjen e grupit kuvendor socialist, Rama ka shtuar se opozita është pro ndryshimeve kushtetutese por jo vetëm për imunitetin.
“Ne jemi pro ndryshimeve kushtetuese jo vetën për heqjen e imunitetit por të tërë ndryshimeve që presin vazhdën e këtij debati shumë të rëndësishëm. Nisma jonë nis nga imunitet por nuk përfundon me heqjen e imunitetit. Ne besojmë se ndërhyrja në kushtetutë nuk duhet të kufizohet vetëm tek çështja e imunitetit” theksoi Rama.
Rama i ka quajtur akuza të dëshpëruara ato të kryeministrit për bllokim nga ana e opozitës duke theksuar se ai kërkon të shfehë dështimet e tij nëpërmjet tyre.
“S`ka gjë më qesharake sesa kur kryeministri bën sikur po thërret në ndihmë opozitën për të shembur murin e korrupsionit për të hequr imunitetin, ndërkohë që atë e lartëson korrupsioni i pushtetit. Nuk ka neveri më të përligjur sesa kur kryeministri përgojon opozitën sikur ne kemi nevojë për imunitetin për të mbrojtur sipas tij një grup miliarderësh në PS”- tha Rama.
Sipas tij është kohë për ndërhyrje serioze në Kushtetutë. “Imuniteti është pikënisje por jo pikëmbërritje, nuk kemi asnjë ekuivok, duhet kufizuar dhe pikë. Por sot Kushtetuta ka nevojë për rishikim në funksion të një reforme në drejtësi që të krijojë kushtet që drejtësia të bëjë drejtësi”- tha Rama.
Ai gjithashtu ka theksuar se janë dashakeqëse akuzat e kryeministrit se opozita kërkon të bllokojë statusin e vendit kandidat.
“Të gjithë janë dëshmitarë të asaj çfarë Partia Socialiste, ka bërë kemi përgjatë një viti të tërë politik. Janë dëshmitarë të qasjes konstruktive dhe të përpjekjeve tona të jashtëzakonshme, për të sjellë në gjendje normale draftet skandaloze të qeverisë. Të gjithë janë dëshmitarë të qasjes konstruktive dhe të përpjekjeve tona të jashtëzakonshme për të zgjedhur një President të Republikës e jo të politikës së mbrapshtë të ditës. Të gjithë janë dëshmitarë të qasjes konstruktive e të përpjekjeve tona të jashtëzakonshme për të mbyllur Reformën Zgjedhore pa vënë veton për çdo gjë që s`na pëlqente. Madje, e dini mirë rrezikuam seriozisht edhe vetë marrëdhënien me aleatët tanë politikë duke pranuar një reformë që nuk preku sistemin aktual zgjedhor” shtoi Rama.