E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Ndjekje penale çdo drejtori që bën presion për të votuar Berishën

ramaElbasan- Partia Socialiste ka vijuar fushatën e saj sot në Elbasan, ku është bërë prezantimi i kandidatëve të këtij qyteti. Në fjalën e tij kreu i saj, Edi Rama, u shpreh se zyrtarët e qeverisë janë duke ushtruar presione mbi punonjësit e administratave, për të siguruar vota në zgjedhjet e 23 qershorit.

Ai ka paralajmëruar se do të dalin para drejtësisë të gjithë drejtorët apo përgjegjësit e shkollavae, spitaleve dhe institucioneve të tjera që detyrojnë punonjësit të votojnë Partinë Demokratike.

Dy fjalë për presionet që po rriten mbi të gjithë ata që shteti duhet ti respektonte si shërbëtorë të popullit, por që pushteti i trajton si skllevër, duke i kërcënuar me bukën e gojës. Mbi rrogëtaret e shtetit po bëhet presion kriminal për ti detyruar që ti bashkohen fushatës së partisë familjare të kryeministrit dhe për ti dhunuar psikologjikisht me qëllim që tu marrin votën. Ne u themi të gjithëve mos u përulni, ruajeni vendin e punës, por mos u përulni. Zotohemi publikisht se çdo drejtor shkolle, çdo drejtor spitali, çdo drejtor i çdo pjese të shtetit që është i angazhuar për të ushtruar terror psikologjik mbi rrogëtarët, pas 23 qershorit do të dalë përpara përgjegjësisë ligjore dhe penale,- deklaroi Rama.

Gjithashtu, një tjetër shqetësim sipas tij në zonën e Elbasanit është dhe vënia pa kriter e gjobave ndaj biznesit, të cilat sipas tij do të marrin fund një herë e mirë pas zgjedhjeve, duke premtuar anullimin e tyre.

Pas tij folën me radhë disa prej kandidatëve prej deputetë të këtij qarku, të cilët udhëhiqen nga Ben Blushi, i cili tha se është krenar që kandidon për Elbasanin, duke pasur për krah Taulant Bllën, Evis Kushin, apo Alfred Pezën. Vetë Peza u shpreh se Elbasani nga kryeqyteti i industrisë është kthyer në kryeqytetin e varfërisë dhe papunësisë, duke premtuar hapjen e 100 mijë vendeve të punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›