E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Në Kuvend nisma e PS për shkollë e maternitet në Preshevë

TIRANE - Në mbledhjen e grupit kuvendor të PS-së, kryesocialisti Rama njoftoi për depozitimin në Kuvend të një projekt/ligji nga ana e opozitës, që parashikon miratimin e fondeve për hapjen e një shkolle dhe një materniteti në Luginën e Preshevës.

“Nevoja është emergjente për jetën e bashkëkombasve tanë atje. Për ne ky është një gjest solidariteti. Kur është fjalë për tu ardhur në ndihmë një komuniteti shqiptar jemi të gjithë bashkë të motivuar për të bërë më të mirën në Kuvend, pa asnjë dallim mes mazhorancës dhe opozitës”- tha Rama.

Më tej, shefi i opozitës shprehu besimin se edhe mazhoranca do të japë votën e saj për t’i hapur rrugë këtij projekti.

Ndër të tjera, kreu i PS-së foli edhe për zhvillimin rural në vend, duke theksuar se kjo është një nga shtyllat kryesore të programit të opozitës “Për një Rilindje Shqiptare”. Rama nënvizoi se PS-ja do të kërkojë me ngulm miratimin e nismën për uljen e akcizës së naftës për fermerët.

“Çmimi i naftës për fermerët është trefishuar në raport me 7 vite më parë. Në bujqësi është 4 herë e gjysëm më i lartë se premtimi i kryeministrit. Qeveria jo vetëm nuk e ka mbajtur premtimin por përkundrazi ka lejuar shtrenjtimin e naftës. E njëjta situatë paraqitet edhe me inputet bujqësore.”- u shpreh Rama.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›