E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria e Ben Blushit në variant elektronik

Mapo Editions i ofron teknologjisë një best-seller.

Romani-Cd kushton gjysmën e çmimit të variantit të printuar, që u shit në 14 mijë kopje.

Për të gjithë ata që janë të fiksuar pas teknologjisë apo për ata (ato) që nuk para duan të mbajnë pesha nëpër çanta, ka një zgjidhje. Një libër në version elektronik. Moda e e-book-ut vjen edhe në Tiranë nga shtëpia botuese Mapo Editions. Kjo tendencë hap siparin me një libër best-seller. Bëhet fjalë për romanin Shqipëria të Ben Blushit. Tashmë libri-metaforë i Ben Blushit vjen brenda formatit të një CD-je. Shqipëria ishullore e Lekë Dukagjinit, që donte të shkëpuste të gjitha lidhjet me botën, tashmë është më shumë se kurdo tjetër e hapur ndaj saj. Kompjutera personalë, celularë, tablet, iPad, e çdo mjet tjetër elektronik mund të shërbejë si një mjet i mirë për të lexuar romanin Shqipëria. Në një kohë kur teknologjia ecën me ritme të jashtëzakonshme, duke thithur gjithnjë e më shumë adhurues rreth vetes, nuk janë të paktë edhe besnikët e shfletimit dhe aromës së letrës, ndaj edhe Mapo Editions kënaq pritshmëritë e të dyja palëve. Krahas versionit tradicional, i cili ka njohur një shitje prej 14 mijë kopjesh, tashmë vjen edhe në versionin elektronik, i cili rrok një kategori tjetër lexuesi, atë më të ri, më të dhënë pas teknologjisë, por nuk përjashton as studiuesit, të cilët së fundi i janë qasur mjaft mirë shfletimit elektronik, duke qenë që edhe çmimi i këtyre librave është edhe më i leverdishëm. Në rastin konkret, varianti elektronik kushton 500 lekë, kurse ai në letër, 1 mijë. Këtë lloj trendi, që ka shkaktuar jo pak diskutime mes botuesve të mëdhenj kudo në botë, por që nuk i kanë shpëtuar as më skeptikët, e ka përqafuar Mapo Editions. Dhe duket se e kanë nisur mbarë me një libër, që sipas botuesit Henri Çili jo vetëm që ishte një risi, por edhe surprizë në botën kulturore e letrare në Shqipëri, sepse riktheu shijen e të lexuarit të letërsisë, e cila dukej fort e tronditur në këto 20 vitet e fundit. Në një prani rekord në të gjitha libraritë, të gjitha mediat, në një debat të shumëfishtë, në një diskutueshmëri, e cila fillon që nga simbolika letrare, shoqërore apo politike e veprës së tij, Ben Blushi ia ka arritur të kthehet në shkrimtarin korrent më të shitur të letërsisë shqiptare. Në të gjithë botën e zhvilluar, letërsia është në një lloj lufte me lexuesin, sepse njerëzit sot kanë  më shumë mënyra për tu argëtuar. Ambiciet tona janë për më shumë, kështu do të shprehej muaj më parë Henri Çili, i cili me këtë gjetje duket se ia ka dalë ti çojë përpara ambiciet dhe të afrojë drejt librit dhe ata që duken të alienuar prej tij, për tu shndërruar pse jo po aq shpejt sa versioni në letër, në një bestseller elektronik.

Romani
Shqipëria është romani më i fundit i Ben Blushit, i cili ashtu si edhe Të jetosh në ishull, ka ngjallur jo pak reagime. Kjo për karakterin provokues që ka krijimtaria e Blushit, i cili cek tema të mëdha, si identiteti, feja, Zoti, pranimi i të ndryshmit, njeriu i ri, diktatura… Shqipëria është një variant shqiptar i miteve biblike, i krijimit dhe i arkës së Noahut, por ndryshe nga këto të fundit Zoti i Shqipërisë është një njeri që do të zëvendësojë Zotin tradicional. Ai do të korrigjojë të gjitha gabimet e Zotit, por eksperimenti i tij human është i destinuar të dështojë, sepse nuk mund të ketë një vend pa familje, pa prona, pa para… Sepse një ditë, çdo tokë do të pushtohet nga dashuria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›