E Shtunë, 31 Tetor 2026

Golemi: Pikturën e blejnë ata që e njohin, jo që kanë para

Piktori Arben Golemi

Piktori ekspozon në ditën e lindjes në galeri Kledio

Të pasurit e rinj duhet të kalojnë edhe shumë vjet që të hyjnë në tregun e pikturës

Sipas tij, të gjitha dashuritë janë të fshehta edhe pse ajo për qytetin e lindjes, Beratin, tashmë nuk është më e tillë.
Çdo 2 prill piktori dhe arkitekti Arben Golemi hap një ekspozitë. Është dita e lindjes së tij dhe ai ka menduar ta festojë në këtë mënyrë. Enclosed love e ka titulluar ekspozitën e radhës, të cilën e hapi dje në galerinë Kledio. Arkitekt me profesion, Golemi nuk u ndahet dot volumeve arkitekturore, ndërtesave dhe qyteteve që kanë lënë mbresë tek ai. Në një intervistë, Golemi flet për pikturën, por edhe për tregun e artit dhe blerësit.
Si lind një ekspozitë, si nevojë për tu shprehur, apo për të mbyllur një kapitull e për të filluar një të ri?
Është për të qenë në vazhdimësi. Kur piktori fillon dhe ngopet me pikturat e veta, e ka të nevojshme të ballafaqohet me to, me miqtë dhe artdashësit. Vendi më i mirë për ta bërë këtë nuk është studioja personale. Aty është një komunikim shumë intim me veprën. Është e nevojshme që punët të vendosen në mur, në galeri, ku të gjithë ti shohin, por edhe ti vetë fillon dhe i shikon me një këndvështrim krejt tjetër. Jo i zhytur në teknika dhe realizime, por në mënyrë meditative, për ti përmirësuar, apo për të mos i prekur më…
Ekspozitat tuaja përsëriten në mënyrë ciklike çdo 2 prill, ka një domethënie kjo datë?
Dy prilli është dita ime e lindjes dhe unë e kam fiksuar që në këtë datë të hap një ekspozitë, në mënyrë të padiskutueshme.
Jeni fokusuar kryesisht tek piktura që lidhet me arkitekturën, vjen kjo si rrjedhojë e profesionit tuaj si arkitekt?
Arkitektura është një armë shumë e rëndësishme për mua. Është një favor që më ndihmon në konceptimin e objekteve, por kjo nuk do të thotë se nuk bëj edhe peizazhe. Por përgjithësisht nuk jam piktor i dhënë pas kompozimeve dhe pas figurës së njeriut, jo se nuk i lëvroj edhe ato. Ashtu si gjithë piktorët, edhe unë pikturoj nudo, ndonjëherë dhe ndonjë autoportret, por më shumë më tërheq arkitektura e qyteteve të mëdha, arkitektura gotike, historia e arkitekturës, peizazhet që lidhen me hapësirat dhe malet…
Kur shikon tablotë tuaja të jepet ndjesia se sheh Beratin, është ky qyteti juaj model?
Berati është qyteti im i lindjes, por nuk pikturoj vetëm atë. Pikturoj qytetet të cilat më frymëzojnë, që kanë të bëjnë me një trashëgimi të veprave, të arkitekturës, peizazhit. Të gjitha qytetet kanë diçka për të thënë, por ka nga ata që janë shumë të rëndësishëm dhe ballafaqimi me ta është i domosdoshëm. Kështu është New Yorku, që unë e dua po aq sa edhe Beratin, Roma, Vjena… Janë disa qytete, të cilat kanë një lidhje organike me pikturën time dhe me shumë piktorë të botës, sigurisht…
Nga dritarja me qemer e një shtëpie karakteristike duket pjesa e re e qytetit, lidhet kjo me gërshetimin e traditës me modernen?
Ai gërshetim i traditës me modernen është ndoshta fatkeqësisht pika më e dobët jona, e arkitektëve, por edhe e mënyrës si konceptohet tradita dhe duhet të bëjmë shumë në këtë drejtim. Duhet që të punojmë shumë që të gjejmë harmoninë normale, për të mos prishur peizazhet e qyteteve tona, për të kontribuar në përmirësimin e tyre dhe për krijimin e një game reale.
Është e qartë që një piktor nuk pikturon vetëm për vete, por edhe për të shitur. Parapëlqeni tablotë e përmasave të mëdha, çkategorie blerësish i drejtohen ato kryesisht?
Fatkeqësisht nuk arritëm të krijonim një rrjet të galerive të artit në Tiranë. Nuk dua të bëj krahasimin me New Yorkun, sepse vetëm në Chelsea ku hapa ekspozitën me Bashkim Ahmetin, janë rreth 1900 galeri. Ne nuk arritëm të krijonim një rrjet të vogël të galerive të artit, ku të promovoheshin artistët dhe ku të përcaktoheshin ca rregulla të tregut, në mënyrë që edhe artdashësit, jo vetëm të shohin pikturat, por të orientohen drejt edhe me blerjen dhe me çmimet. Jemi në faza të tilla të historisë së artit, që nuk jemi në gjendje të interpretojmë historinë e artit tonë. Kemi qëndrime kritike, qëndrime kontradiktore, ndaj artit të së kaluarës, ndaj artit të realizmit socialist, ndaj  artit të viteve 90. Vij nga arkitektura në fushën e pikturës dhe jam i çliruar nga të gjitha këto. Unë synoj një treg të atyre njerëzve që kanë arritur një stabilitet ekonomik, që kanë arritur të jetojnë në sipërfaqe të mira. Në fund të fundit, piktura është një art elitar në kuptimin e përzgjedhjes dhe nuk është një art që mund të përballohet nga të gjithë. Janë posterat, të cilat mund të përdoren nga ata që nuk blejnë dot piktura të shtrenjta. Problemi është që ne nuk mund ti shesim lirë pikturat se nuk ka kush i blen…
Mendoni se do të duhet të kalojnë edhe shumë kohë deri në krijimin e një tregu arti?
Tregu i pikturës në Shqipëri për mua është krejt i parëndësishëm. Në Shqipëri mund të blejnë piktura ata që janë të formuar në këtë drejtim dhe ata janë shumë pak, kurse të pasurit e rinj duhet të kalojnë edhe shumë vjet, ndoshta kur fëmijët e tyre të kenë mbaruar shkolla jashtë shtetit që të hyjnë në tregun e pikturës. Unë bëj pikturë për pikturë dhe synoj galeritë e mëdha në New York e Paris, si gjithë piktorët që merren me këtë punë.
Mendoni se ka kaluar ajo periudha e eksperimentimeve të pas 90-s dhe piktorët e kanë gjetur veten?
Procesi i eksperimentimit nuk do të ndalë asnjëherë në pikturë dhe në të gjitha artet, ndërsa procesi i imitimit, i mosnjohjes, them se do të jetë shumë afatshkurtër.
Një vit kalon shpejt, çdo të sillni paskëtaj?
Do të vijë një ekspozitë e madhe e New Yorkut, të cilën jam duke e përfunduar dhe po e punoj paralelisht. Janë disa piktura që lidhen me disa qytete të vjetra të Zvicrës, ku bëjnë pjesë zona e vjetër e Gjenevës, Lucernës, Zyrihut, Lozanës dhe disa kështjella. Është një cikël që lidhet me Parisin e ca të tjera me Pragën e vjetër. Në mënyrë paralele jam duke punuar me malet. Mua më pëlqejnë shumë Alpet dhe do jetë një ekspozitë e madhe kushtuar atyre.
Pra, duket se ju pëlqejnë gjërat e qëndrueshme…
Pa diskutim, të qëndrueshme. Me bukuri të qëndrueshme.

ALMA MILE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›