Gjenden trupat e dy të mbyturve
Ishëm, viktimat ishin nxjerrë mes mbeturinash, të cilat po tentonin ti mblidhnin.
Polumbarët e ekskavatorët nxjerrin të rinjtë nga lumi.
Pas më shumë se 12 orë kërkimesh përgjatë lumit Ishëm, polumbarët kanë bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen nga uji të dy të rinjve, që humbën jetën tragjikisht pasditen e së dielës. Sipas Policisë, Ervis Saliu, 20 vjeç dhe kunati i tij, Elton Sinometi, 21 vjeç, janë gjetur nga polumbarët, pikërisht në vendin ku dhe kishin rrëshqitur në mënyrë aksidentale, në një distancë të largët vetëm një metër nga njëri-tjetri. Për nxjerrjen e trupave të dy të rinjve u angazhuan forca të shumta të Policisë së Durrësit e Shijakut, forcat e repartit të RENEA-s, 10 polumbarë, dy ekskavatorë, si dhe banorë të zonës të cilët punuan në terren për largimin e mbetjeve urbane nga sipërfaqja e ujit, ndërsa shtrinë kërkimet në një gjatësi prej 2 kilometrash. Të njëjtat burime konfirmojnë se trupat e dy të rinjve kishin ngecur mes mbeturinave, në një thellësi prej katër metrash, çka ka bërë që rryma e lumit të mos i largojë nga vendi ku dhe janë parë për herë të fundit. Polumbarët kanë kërkuar që të pastrohet pjesa në të cilën ishin duke zhvilluar kërkime. Dy ekskavatorë dhe mjete të tjera të repartit të zjarrfikësve kanë punuar për pastrimin e bidonëve dhe inerteve që kishte sjellë rrjedha e lumit. Pasi ka përfunduar pastrimi i vendit, polumbarët janë zhytur sërish dhe njëri prej tyre arriti të pikasë një prej trupave të pajetë, që i përkiste 20-vjeçarit Ervis Saliu. Ndërsa disa minuta më vonë polumbarët bënë të mundur edhe gjetjen e Elsonit, që ndodhej vetëm dy metra larg të mbyturit tjetër. Ervisi dhe Elsoni, kunetër më njëri-tjetrin, u mbytën në lumin Ishëm në afërsi të fshatit Likmetaj. Ata ishin duke kërkuar për kanoçe dhe bidonë plastikë përgjatë lumit, ndërsa papritur të rinjtë kanë rënë brenda në lumë dhe, për shkak të mbetjeve që lundronin sipër tij, nuk kanë mundur të dalin dot jashtë. Ngjarja e rëndë u regjistrua pasditen e së dielës, rreth 40 km në veri të qytetit të Durrësit. Pothuajse i gjithë lumi i Ishmit është i mbushur me mbeturina dhe inerte. Ato grumbullohen përgjatë rrjedhës së lumit që nga Fushë-Kruja e deri në grykëderdhjen e tij në fshatin Likmetaj, zonë në të cilën u mbytën dy të rinjtë.
Mbytet në liqenin e Farkës 13-vjeçari
TIRANE Një 13-vjeçar është mbytur pasditen e djeshme në liqenin e Farkës në Tiranë, ku kishte shkuar bashkë me shokët për tu larë. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 15:00, kur i mituri, Anes K., u ka humbur shokëve të tij nga sytë, sapo është zhytur në liqen për tu larë. Fëmijët kishin shkuar nga Shkoza në Farkë dhe, sapo kanë parë që 13-vjeçari nuk po dilte më nga liqeni, kërkuan ndihmë te banorët e zonës. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr.1, të cilët kanë rrethuar vendngjarjen, si dhe kanë kërkuar ndihmën e polumbarëve të RENEA-s për të kërkuar trupin e të miturit. Burimet thanë se trupi i pajetë i 13-vjeçarit është nxjerrë pas 3 orë kërkimesh në liqen, edhe për shkak të vështirësive që u krijoheshin polumbarëve nga bimësia nën sipërfaqen e liqenit. Pas ekzaminimit mjekoligjor që i është bërë trupit të pajetë të të miturit, ka rezultuar që vdekja e tij ka ardhur menjëherë pas kontaktit me ujin e ftohtë. Për shkak të ndryshimit të menjëhershëm të temperaturës, djalit i ka pushuar menjëherë zemra dhe më pas është zhytur në ujërat e liqenit.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ