E Diel, 1 Nëntor 2026

Klandestinët afganë plagosin njëri-tjetrin, u mbaruan paratë

DURRES Grinden për qiranë e shtëpisë, plagosen mes tyre klandestinët afganë. Një sherr i nisur mes katër emigrantëve ilegalë afganë ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në plazhin e Durrësit, ndërsa policia sqaron se ata janë konfliktuar me njëri-tjetrin për shkak se u mungonin paratë e qirasë. Sipas Policisë, i plagosuri është 22-vjeçari Abdyl Basir, ndërsa autori i ngjarjes është Samiola Abdylkehar Hysenkahel, 37 vjeç, i cili është ndaluar nga policia menjëherë pas ngjarjes. I dëmtuari është dërguar për në urgjencën e spitalit të Durrësit, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Mjekët thanë se 22-vjeçari kishte një plagë të thellë në kraharor, të shkaktuar nga një thikë, por pas mjekimit ai ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Nga ana e policisë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale thika me të cilën është plagosur i dëmtuari, ndërsa po punohet për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Gjithashtu në polici ndodhen të shoqëruar dhe dy shtetas të tjerë me origjinë afgane, të cilët kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes. Ngjarja e rëndë ndodhi në Lagjen Nr.13 të qytetit, në një banesë të cilën afganët e kishin marrë me qira rreth 7-8 ditë më parë. Madje, sebep për sherrin është bërë pikërisht banesa në të cilën ata ishin strehuar, pasi pronari u kishte kërkuar qiranë. Të gjendur në këto kushte, ata kanë nisur të debatojnë me njëri-tjetrin dhe në një moment 37-vjeçari ka rrëmbyer një thikë buke mbi tavolinë dhe e ka goditur 22-vjeçarin në gjoks, duke e lënë të shtrirë përtokë. Megjithëse gjatë sherrit kanë qenë të pranishëm edhe dy personat e tjerë, ata nuk kanë mundur dot të shmangnin plagosjen e shokut të tyre. Apartamenti që ishin strehuar ishte në pronësi të shtetasit F.Çarçiu, në Lagjen Nr.13 Plazh, dhe sipas Policisë, në këtë banesë ka ndodhur grindja ndërmjet tyre dhe goditja me thikë. Policia sqaron se katër shtetasit afganë kishin hyrë në mënyrë ilegale për në vendin tonë nga Greqia dhe prej disa kohësh ishin vendosur në zonën e plazhit, ku dhe kishin marrë një banesë me qira. Tashmë policia po punon me procedurat për kthimin sa më shpejt të klandestinëve në Afganistan.                           l.m

Na braktisën në Shqipëri
Afganët kanë dëshmuar në polici se kanë dashur që të largohen nga Durrësi, por kanë pritur mundësinë për të kaluar kufirin. Sipas tyre, pikësynimi ishte që të mbërrinin me çdo kusht në Itali, por personat që u kanë premtuar se do ti ndihmojnë, i kanë braktisur. Ata kanë treguar se kanë më shumë se dy muaj që janë nisur nga Afganistani, ndërsa në Shqipëri kanë qëndruar për rreth tetë ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›