E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet nga jeta Sheri Mita, pengu i fundit Këshilli i ndrikullave

Aktori Sheri Mita

Një sëmundje e pashërueshme i mori jetën aktorit dhe regjisorit.

E kishte pritur shumë që ta shihte edhe një herë në skenë komedinë Këshilli i ndrikullave, por vdekja u tregua e pabesë. Kur regjisorja dhe aktorja Rozina Kostani i kishte thënë se dëshironte ta sillte veprën e tij në formën e një muzikali, gëzimi i tij ishte i pamasë. Por me gjithë dëshirën, projekti mbeti në mes. Ditën e djeshme, në moshën 69-vjeçare, u nda nga jeta aktori, regjisori dhe dramaturgu Sheri Mita. Një sëmundje e pashërueshme e kishte rënduar gjendjen e tij shëndetësore së fundmi, duke i marrë jetën. Aktori me zërin e butë, karakteristik, me vështrimin e thellë, do ti mungojë artit shqiptar. Sheri Mita lindi në fshatin Fterrë të Sarandës, më 14 mars 1943. Megjithëse gjatë gjithë kohës i peshonte emigracioni i të atit në Amerikë, Sheri kreu studimet e larta për aktor në Institutin e Lartë të Arteve, më 1967. Më pas punoi si aktor në teatrin Skampa të Elbasanit, në Teatrin Popullor dhe pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Për 12 vjet punoi si regjisor i Estradës së Beratit, pesë të tjera i Cirkut të Tiranës, regjisor, drejtor dhe më pas udhëheqës artistik i Estradës së Tiranës nga viti 1996-2004. Në 40 vitet e karrierës së tij numëron shumë role në teatër e kinematografi. Mund të përmendim në teatër veprat Shtëpia në bulevard e Fadil Paçramit, Fytyra e dytë e Dritëro Agollit, po ashtu në kinematografi, ku ka realizuar karaktere të veçanta në filma, si Ngadhënjim mbi vdekjen, Yjet e netëve të gjata, Vitet e pritjes, Të mos heshtësh, Ballë për ballë, Operacioni zjarri, Gjeneral Gramafoni, Skëterrë 43, Vetmi, Përdhunuesit, Nata e parë e lirisë, Familja ime, Në fillim të verës etj., si dhe në filmat televizivë Oreksi i madh dhe Çanta e zezë. Si regjisor ka vënë disa pjesë në Teatrin e Beratit, ndër to edhe dramën Dy krisma në Paris, së bashku me Pëllumb Kullën, e cila përuroi edhe ngritjen e Teatrit Profesionist të qytetit, duke vijuar më pas me Vajza optimiste, I çuditshmi, Gjuetari i thëllëzave, Kontrolli i cilësisë, Dhuratat, kurse në Estradën e Tiranës dhe Teatrin e Korçës vuri në skenë komedinë Divorci. Një nga pjesët e tij më të dashura ishte komedia Këshilli i ndrikullave, e vënë me sukses në teatrin Migjeni të Shkodrës nga regjisori Serafin Fanku dhe që ai priste ta shihte sërish në skenë, pa mundur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›