E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afera, ushtria përzgjodhi Gërdecin për demontim

Dëshmon në seancë Stavri çipa, ish-kryeinxhinieri i uzinës ushtarake të Mjekësit në Elbasan

Procesi më i bujshëm në Shqipëri ka vazhduar dje me dëshmitë e personave të thirrur nga organi i akuzës. Fillimisht, përpara togave të zeza, është paraqitur të dëshmojë ish-kryeinxhinieri i uzinës ushtarake të Mjekësit në Elbasan, i cili ka lëshuar edhe deklaratën “bombë”, duke akuzuar drejtpërdrejt Luan Hoxhën, ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, për përzgjedhjen e fabrikës së Gërdecit. Thelbi i deklaratës së çipës ka të bëjë me faktin se ushtria shqiptare kishte refuzuar demontimin e municioneve të tepërta në uzinat shtetërore, duke i hapur rrugë futjes së kompanive private në këtë aktivitet.

Dëshmitari Stavri çipa ka folur përpara trupit gjykues të kryesuar nga Ritvan Hado, mbi një takim të zhvilluar më 28 shkurt të vitit 2007 me drejtues të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë lidhur me alternativat e mundshme për realizimin e procesit të demontimit të municioneve ushtarake. “Kam kundërshtuar demontimin e municioneve në Gërdec, doja që të bëhej në Mjekës, sepse aty ishin aparaturat dhe efektivi gati. Por, fjala ime u kundërshtua nga dy gjeneralët Luan Hoxha e Zija Bahja, si edhe nga Ilmi L., me pretendimin se demontimi i fishekëve në këtë uzinë kishte një kosto më të lartë se ai në linjën e demontimit në ish-repartin ushtarak të Gërdecit. Kur shpërtheu Gërdeci, i thashë personit që më lajmëroi: Pse nuk e ngrita zërin më fort që të mos ishte bërë aty demontimi”, deklaroi Stavri çipa. Sipas tij, ditën e mbledhjes është bërë debat lidhur me vendin ku do të bëhej demontimi i municioneve. “Unë ngulmova dhe debatova me dy gjeneralët Hoxha dhe Bahja që demontimi të bëhej me djegie në Mjekës, pasi aparaturat ishin dhe efektivi ishte i gatshëm. Nuk kisha gjë me vendin e përzgjedhur, Gërdecin, apo aparaturat që do përdoreshin aty, pasi qëllimi im ishte që çmontimi të bëhej në uzinën ku punoja, me qëllim që të kishim punë. Në ato momente m’u drejtua shefi i Shtabit, Luan Hoxha, dhe më tha: Demontimi me çmontim ka më tepër përparësi se ai me djegie.

Gjeneral Hoxha m’u drejtua se demontimi i fishekëve në këtë uzinë kishte një kosto më të lartë se ai në linjën e demontimit në ish-repartin ushtarak të Gërdecit. Ndërsa unë ngulmoja që ky demontim të bëhej me djegie në uzinën e Mjekësit dhe debatoja, gjeneral Zija Bahja m’u drejtua: Fole keq. Kështu u mbyll mbledhja e asaj dite dhe u vendos që demontimi të bëhej me çmontim në Gërdec dhe jo me djegie”, vijoi më tej ai. Dëshmitari i ka bërë me dije trupit gjykues, se të pranishmëve në mbledhje u kishte thënë se çmontimi në Gërdec kishte rrezik, ndërsa në Mjekës ai bëhej me djegie të kontrolluara nga aparaturat e sjella gjatë projektit të NATO-s. Më tej, në dëshminë e tij, kryeinxhinieri i uzinës theksoi se “konkluzioni i mbledhjes ishte të krijohej një komision që do të merrej me demontimin”. Por, pas kësaj dëshmie dhe sugjerimeve që kryeinxhinieri kishte dhënë për demontimin në Mjekës, reagoi i pandehuri Ylli Pinari, ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore MEICO. Pinari theksoi se përfaqësuesi amerikan i SAC, Patric Hanry, i kishte dërguar një e-mail më 16 tetor 2006, ku e këshillonte se në rast se municionet demontoheshin në Mjekës do kishte humbje të mëdha. “çdo ditë po humbisni lekë, nuk e kuptoj pse nuk po vendosni të bëhet demontimi. Hanry tha se humbjet ndodhnin pasi mbetjet e demontimit do të digjeshin”.

Pas ish-kryeinxhinierit çipa, radhën për të dëshmuar e pati Flutura Cavolli, ish-sekretare e gjithë ministrave të Mbrojtjes që kanë qenë në këtë institucion gjatë viteve 1990-2010. Ajo iu përgjigj të gjitha pyetjeve se nuk dinte nëse ish-ministri Mediu ishte takuar ndonjëherë në zyrë me Pinarin, Mihal Delijorgjin apo amerikanin Hanry, por që e kishte praktikë që të mbante shënim në një bllok çdo takim që linte apo shënim të nevojshëm. Më pas vijuan dëshminë edhe punonjës të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërkohë që nuk ishte paraqitur për të dëshmuar ish-drejtori i uzinës ushtarake të Poliçanit, Kasem Mahmutaj.

Ngjarja e Gërdecit është më e rënda që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në fabrikën e demontimit të municioneve luftarake humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur. Edhe çështja “Gërdeci” konsiderohet më e madhja në historinë gjyqësore në këto vitet e fundit, me 29 të pandehur dhe mbi 300 dëshmitarë, të cilët aktualisht janë duke dhënë dëshmitë e tyre para gjykatës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›