E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kutitë", Berisha përgjigjet me antimiting: Më 8 Dhjetor, në shesh

Kryeministri Sali Berisha përjashtoi edhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në vend


TIRANË - Ndryshe nga qëndrimi i dy ditëve të fundit, dje Kryeministri Sali Berisha nuk ka reaguar direkt ndaj kërkesës kryesore të opozitës për hapjen e kutive të votimit.


Përgjigjen direkte ai ka preferuar ta përcjellë dje përmes zëvendësit të tij në qeveri, Ilir Meta, dhe zëvendësit tjetër në parti, Astrit Patozi. Ndërsa, forma që ai ka gjetur për t'i dhënë përgjigje opozitës, në mbledhjen e grupit parlamentar, ka qenë krejt tjetër. Kryeministri Sali Berisha mesa duket do të masë forcën në shesh.


Pas mitingut të pazakontë të opozitës të zhvilluar në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", kryeministri Sali Berisha ka propozuar që edhe mazhoranca të organizojë një të tillë. Sigurisht, jo për kutitë e votimit, por për lëvizjen studentore në Shqipëri, me 8 Dhjetor, tre ditë pas protestës së paralajmëruar nga opozita.


Më 5 dhjetor do të zhvillohet protesta e kryetarëve vendorë në Tiranë, si dhe janë paralajmëruar protesta masive të PS-së.


"Këtë vit, Evropa dhe bota festoi 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Shqipëria nuk e kishte 20-vjetor, por 19-vjetor, sepse te ne, rrëzimi i Murit të Berlinit ndodhi një vit më vonë, për arsye se klika në pushtet ishte e tipit më të egër, më barbare, më mizore.


Në rast se rikthehemi pas, te vitet '90, kur "Murin e Berlinit" në Tiranë e rrëzuan mijëra e mijëra djem e vajza të rinj që u futën në ambasada, vërehet se e vërteta është që nomenklatura e atëhershme ia doli ta rivendosë atë. Në memorien e kombit mbetet i paharruar mitingu i organizuar për të dënuar heronjtë e vërtetë të asaj lëvizjeje liberatore.


Por, kjo ishte e përkohshme, sepse murin do ta fshinin nga faqja e dheut studentët e universitetit të Tiranës, në dhjetor të vitit '90, në 8 dhjetor, të cilët me demonstratat e tyre të fuqishme do të sillnin shembjen përfundimtare të Murit të Berlinit dhe do të hidhnin në koshin e plehrave të historisë, përmes një procesi demokratik, udhëheqjen staliniste të asaj kohe",- tha Berisha, duke sqaruar në këtë mënyrë se, 8 dhjetori, do të jetë festa e shembjes së "Murit të Berlinit", në Tiranë.


"Ajo do të jetë një festë e madhe, një festë në të cilën do të marrë pjesë e gjithë Shqipëria. Do të jetë një festë për Evropën, për aspiratën tonë evropiane, e cila mori në 16 nëntor të këtij viti, thirrjen e të gjitha vendeve anëtare të BE-së", - shtoi Berisha.


Përmes organizimit të një manifestimi të tillë, që kryeministri Sali Berisha e cilëson festë, kreu i ekzekutivit i ka kthyer përgjigje edhe lëvizjes tjetër të opozitës, se në rast se nuk hapen kutitë e votimit, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.


Gjatë deklaratës së tij, Berisha ka lënë qartë të kuptohet se zgjedhje do të ketë vetëm në vitin 2013. "Do të jetë një festë e madhe, një festë e cila synon jo vetëm nderimin për atë që është bërë dhe për atë që është arritur, por më shumë nxisim horizontin e ri, që duhet të kapim deri në 28 qershor të vitit 2013, në të cilin shqiptarët, me sa duket, do të votojnë edhe njëherë për këtë mazhorancë. Këta janë të gjithë treguesit", - tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›