Ata që shkruajnë historinë tonëNga Mero BazeDy botime kanë ngjallur polemika të mëdha në shoqërinë shqiptare. I pari është një botim i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, e cila ka përshkrime stereotipe negative për shqiptarët dhe të kaluarën e tyr
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Ata që shkruajnë historinë tonëNga Mero BazeDy botime kanë ngjallur polemika të mëdha në shoqërinë shqiptare. I pari është një botim i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, e cila ka përshkrime stereotipe negative për shqiptarët dhe të kaluarën e tyre në shekuj, që burojnë nga problemet që vetë ata, që vetëquhen maqedonas, kanë me identitetin e tyre historik. I dyti është një tekst historie për shkollat e mesme të Shqipërisë, i shkruar nga tre tekstshkrues historie, që nxitojnë të bëjnë vizatime politike për një periudhë të freskët historie, dhe që kanë banalizuar praktikisht aftësinë e nxënësve shqiptarë të shkollave të mesme për të kuptuar realitetin e sotëm.
Edhe pse rasti i Akademisë së Maqedonisë është shumë i ndjeshëm dhe nxit një reagim më kombëtar sesa rasti i banalitetit të historisë sonë për shkollat e mesme, në të vërtetë problemi në thelbin e tij intelektual është i njëjtë. Nëse një shoqëri arrin të prodhojë një mendim intelektual bazuar nga nevojat e politikës, ne doemos do të ndeshemi me banalitete të tilla.
Kështu, pa dashur t’i gjykoj nga pikëpamja e formimit shkencor autorët e tekstit të Enciklopedisë maqedonase, mjafton që ajo të hidhet në koshin e plehrave si një vepër e porositur nga politika. Në përpjekje për të gjetur identitetin e tyre politik, dhe për t’i shërbyer një lloj “nacionalizmi” të ri, që përpiqet të ngjallë qeveria konservatore e Gruevskit në Maqedoni, është e trishtueshme të shikosh se si intelektualë maqedonas, historianë, politikanë, por dhe shkrimtarë, janë vënë në dispozicion të një kauze qesharake, për të gjetur rrënjë të pazbuluara kurrë të Maqedonisë, siç është teza e Maqedonisë antike. Duke qenë një vepër e porositur nga politika dhe me synime gati-gati elektorale, mbi të cilën u mbështet dhe fushata e fundit presidenciale në Maqedoni, ajo vepër doemos që do prodhonte këtë banalitet që ka prodhuar, jo vetëm ndaj shqiptarëve, por dhe qytetarëve dhe historisë së Maqedonisë. Është vonë që në vitin 2010, një popull dhe një komb të kujtohet të gërmojë për rrënjët e tij të humbura. Nëse nuk i ka gjetur deri më sot, ose nuk i ka pasur, ose është bërë pishman për ato rrënjë që ka. Në të dyja rastet është problem i tyre.
I njëjti fenomen, por natyrisht në miniaturë, është dhe ai i tekstit të historisë për shkollat e mesme në Shqipëri. Është e vërtetë se shumë tekste tonat kanë qenë dhe mbeten të politizuara. Në shumë tekste tonat ende Ahmet Zogu quhej satrap dhe Enver Hoxha komandant legjendar. Këto atavizma të historisë së vjetër duhet të fshiheshin me urgjencë nga tekstet që edukojnë fëmijët tanë. Por kjo s’do të thotë që një banalitet të zëvendësohet me një tjetër. Përshkrimi qesharak që i bëhet qeverisjes së pas vitit 2005 është fyes për shoqërinë shqiptare, dhe për të vërtetat e hidhura që ajo i ka ende të freskëta. Përpjekja për të shkruar historinë tonë me porosi politike, tashmë nga krerët tanë politikë, e bën historinë tonë po aq të shëmtuar sa na e bëjnë akademikët maqedonas antishqiptarë që e shkruajnë për hallin e tyre politik. Në thelb fenomeni është i njëjtë, dhe ka të bëjë me nevojën për të shkruar histori sipas kërkesave të politikës. Përfytyroni pak sikur më 28 qershor të kishte fituar Edi Rama dhe PS, se si do të ishin ato faqe historie, nga të njëjtët autorë, duke e përshkruar qeverisjen e vitit 2005-2009 si të korruptuar, ku djali i kryeministrit shkaktoi një tragjedi me lobimin e kontratës për fabrikën e Gërdecit, ku vajza e tij qëndroi pas gjithë koncesioneve dhe licencave duke shitur pushtetin e babait dhe ku biznesi sllav lulëzoi në Shqipëri. Pra banaliteti i tekstshkruesve të historisë sonë i përngjan si dy pika uji tekstshkruesve të historisë së Maqedonisë, të cilët nga nevojat politike janë të detyruar të shpikin një histori të fabrikuar. Nxitimi për të përshkruar nga pikëpamja cilësore një periudhë historike, që fëmijët tanë, sidomos ata të shkollave të mesme e kanë jetuar e parë me sytë e tyre, është teprim i madh dhe nga ana pedagogjike. Kjo më kujton një vajzë të moshës sime që kishte hallë Liri Belishovën dhe dajë Tuk Jakovën, dhe sa herë që kishte mësim në Histori Partie në gjimnaz për grupet armiqësore, mësuesja komuniste e ngrinte në mësim të fliste kundër tyre. Përfytyroni tani që këtë tekst të këtij libri historie ta mësojnë dhe ta thonë përmendësh fëmijët e Gërdecit, ku njërit mund t’i jetë vrarë babai e tjetrit motra apo vëllai dhe t’u thuash se, qeveria që u la jetimë, është qeveria që bëri epokë në Shqipëri për luftën kundër korrupsionit. Kjo përsëritje mizore e një banaliteti me përdorimin e tekstshkruesve prej politikës duhet të marrë fund. Ata që shkruajnë historinë tonë, qofshin këta shqiptarë apo maqedonas, ngjajnë njësoj, kur porosinë e marrin nga politika dhe interesat e politikës dhe jo nga kuraja intelektuale apo formimi i tyre shkencor.