E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Bulqizë, a nuk quhet kjo skllavëri?!Nga Ben Andoni, Revista “Mapo”“Po sikur ta pyesim se çfarë ëndrre ka?! Është e pamundur që një vajzë aq e re të mos ketë ëndrra. Unë do të filmoj. Ti do ta pyesësh!” “Urdhri” i zonjës së vjetër më lodh. Ish-ak

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Në Bulqizë, a nuk quhet kjo skllavëri?!Nga Ben Andoni, Revista “Mapo”

“Po sikur ta pyesim se çfarë ëndrre ka?! Është e pamundur që një vajzë aq e re të mos ketë ëndrra. Unë do të filmoj. Ti do ta pyesësh!”

“Urdhri” i zonjës së vjetër më lodh. Ish-aktorja italiane ka ardhur për një dokumentar në Shqipëri dhe e ka shumë të thjeshtë që gjërat t’i kujtojë nën këmbët e saj... Kjo skamje i duket ekzotike, kurse dielli i këtyre ditëve, që ajo e përballon me një kapele të rrumbullakët kolonizatorësh, e fut gjithherë këndshëm në përfytyrime. Skamnorët e shikojnë si UFO thatimen, që brishtësinë e saj fizike e nxjerr më në pah prej dy cinglave, që sipër mbulohen nga një palë pantallona të shkurtra. “Sa bukur! Sa interesant!” Për të mbase, po. Përndryshe, për ne, duhet të jetë hera e tetë ose e nëntë që vijmë në Bulqizë. Kuptohet sesa interesante është e gjitha kjo...

Artistja italiane në Bulqizë

Ia shpjegojmë gjatë Bulqizën para këtij episodi. Stefania C. është një gjashtëdhjetëvjeçare simpatike, e cila ka disa ditë që po bën kërkime për një filmin e saj dokumentar-fiction. Çuditërisht ka ardhur me një destinacion të qartë: Do iki dhe në Bulqizë. Kemi udhëtuar në Durrës, Vlorë dhe në një kohë të shkurtër ka pasur mundësi që të njohë ish-skafistë, burrneshat, mashtrues... dhe skamnorë. Bulqiza i duhet veçanërisht, sepse ideatorët e dokumentarit i kanë bërë me dije për katrahurën e këtij vendi. Si zakonisht, qyteti mbetet njësoj. Të gjithë sorollaten në rrugën e vetme të qytetit të vjetër, duke mos i hapur rrugën makinave dhe në një xhiro të përhershme. Një burg i madh në natyrë, që e gjejmë aty ku e kemi, pasi kemi udhëtuar për tri orë e gjysmë nga Tirana. Deri atëherë me disa të njohur të vjetër kemi folur se si mund të ndihmojnë Zonjën që të bëjë disa xhirime. Sakaq, ata vijnë dhe me respektin e provincialit janë zënë ngushtë se si do të na bezdisin. I çliroj ngadalë. Më kuptojnë. OK, e dimë ne. Disa telefonata dhe ia beh një djalë, që hedh një sy në klubin, ku nuk pushon zhurma e djelmoshave që flasin të gjithë njëherësh. Në fakt, kjo zhurmë e stërmadhe vjen në çdo klub të Bulqizës, ku djem të rinj, emigrantë, mesoburra japin e marrin pa kuptim me njëri-tjetrin. Këtu mund të kuptosh se çfarë është koha për neo-albanicus. Stefania është pak si e shushatur nga rruga dhe qyteti. Kur kemi zbritur, i tregoj nga monumentet e qendrës së qytetit (bronzi i vjetër i monumentit të minatorit rri 25 metra larg një babai bektashi), se ku është miniera dhe ku do t’i gjejmë skamnorët. Jam si i zhgënjyer për punën, sepse nuk ka asnjë të vetëm që të punojë. Në thellësi të vetes më kënaq fakti se dikush e ka hequr ushtrinë e përditshme të skamnorëve që përpiqet me strapacim të gjejë pak krom të pastër për ta shitur në rrëpirat e errëta të stoqeve të kromit... Muhabeti njohës me inxhinierët vazhdon i njëtrajtshëm në një kafe të qytetit të minatorëve. Italia dhe Shqipëria. Stefania e tregon açik që është figlia di buona.. buona madre. I grish. Ata flasin. Një moment, sikur mos të ketë ndodhur gjë, më thotë: “ǒbëjnë gjithë këta të rinj? Ku janë pastaj të varfrit? Si do t’i gjejmë?” Vetë e di, por asaj e kam të vështirë t’ia shpjegoj masakrimin kombëtar të kohës. Përballë i ankohen. Stefania i shikon këndshëm, pulit sytë.. dhe nanuriset në një gjë që po i duket si përrallë e bukur... Kemi ditë që jemi bashkë, dhe pak nga pak po e mësoj kinse rehatinë e saj. “Një orë fill pas zgjimit, - më thotë, - iu nënshtrohem ushtrimeve aziatike të relaksimit, dhe pastaj dita më bën një si shenjë me dorë.” Saora ia mbërrin njeriu i telefonit. Na duhet ta sqarojmë nga fillimi, edhe për faktin sepse djali, me një trup të ngjallur dhe i qethur shkurt, duket që është pothuaj i paditur. Ideja e dokumentarit është e thjeshtë. Një djalë artist italian interpreton në fiction-in e Stefanias sikur është në Shqipëri dhe këtu e gënjejnë duke i marrë pasaportën. Bredh në Shqipëri dhe një djalë në gjakmarrje e mban në shtëpi dhe pastaj e përcjell; një grua myslimane e ndih me diçka tjetër; një burrneshë e mban në shtëpi dhe shkon në polici të marrë vesh se kush e ka vjedhur, një... po një familje e varfër, “që do të na e gjesh ti, - i thotë lozonjare, - duhet në Bulqizë, që të mbajë djalin.” Filmi është një fiction nga ana italiane dhe dokumentare me personazhe të vërteta nga pala shqiptare. Ai bën sikur e kupton. “Ti je garant”, - më thotë kërcënueshëm. Pohoj. Këtej e tutje do udhëtojmë me makinën e djalit, një Mercedes, bajagi i mirë, drejt skamnorëve të Bulqizës. Çajmë trafikun human, që çapitet në mes të ditës në qytet dhe shmangemi diku. Djali, që është shumë i ri për peshën e pasurisë që ka, na hedh edhe një vështrim dhe sigurohet. Gruaja e ka sqaruar në kafe. Kurse një nga inxhinierët e minierës i ka përkthyer italisht. Djali më pyet disa herë dhe shikon brinjazi mos kemi ndonjë përgjues apo dreqin çfarë tjetër për të filmuar... “Është më mirë të shkojmë me makinën time, po të mos ishin ata... nuk puthnit këtu”, - na thotë befas... Qesh me vete, sepse pak qindra metra më poshtë, në administratën e qytetit, politika merr mesazhe qetësie të vendit dhe ndryshimit. Pastaj, të gjithë banorët, që jetojnë vetëm me kromin, eglendisen duke e masakruar kohën me bisedat e përditshme në kafenetë e pafund të qytetit. Janë të pakta qytetet që mund të kenë këtë denduri lokalesh në pak metra katrorë. Kjo më rri si çekan në kokë...

Me Stefanian

Po na dhemb pak koka, por në pak qindra metrat që përshkojmë me Stefanian kujtohem se kemi ndarë shumë gjëra. Prej pak ditësh jemi bashkë. Jemi takuar një pasdite në Tiranë. Ajo me një sar pak si kaki dhe e qetë duke baritur pas Muzeut me flokët e prerë bukur dhe që i nxjerrin një fytyrë si Oriana Falaçi. “Më ka qesëndisur në Nju-Jork, kur më ka parë për herë të parë”, - më thotë kur e pyes dhe, e imiton. Në mbrëmjen e herës së dytë në kryeqytetin e shqiptarëve, në fare pak minuta më ka thënë lidhjen me filmin dhe qëllimin e saj. Për të lubrifikuar njohjen, më ka treguar pak për veten dhe se si ka qenë dikur aktore. Po, vërtet...ka interpretuar. I kujtoj për një ironi të rastësisë së gjithë gjërave Bertoluçin. Apo mbase e kam parë, pak minuta para se ta takoj te DigitAlb. Afrohet dhe duke u përkulur më thotë: “Unë isha ajo prostituta e droguar të filmi “1900”. Ke luajtur vërtet me De Niron dhe Depardie? “Po, - më thotë. – Pse, çfarë ka?” Jo, i them. Thjesht, s’besoj. Qetë. Melodrama e Bernando Bertoluçit ka korrur sukses dhe më duket se ka ardhur fill pas skandalit që ngjalli kudo e tija sërish, “Tango e fundit në Paris”. Një rrëfim për dy moshatarë italianë, fshatarë. Dy djem të lindur në një ditë, që do të kenë drejtime të kundërta në jetë. Depardieu, që bëhet një socialist i pasionuar dhe De Niro, që vjen nga një familje çifligarësh - dhe që do përfundojë si fashist. Pak ditë më vonë, Stefanian e re do ta shikoj në internet të zhveshur, në një film që e kam parë vetëm një herë, mes dy të njohurve të kinemasë po kaq cullak, ku ajo u mban organet gjenitale. “Atëherë kam qenë shumë e re...”, - më thotë. I gjithë filmi është një festë e shpirtit human dhe dëshirës për të ardhur... Filmi ka qenë në Festivalin e Kanës më 1976, por nuk e di pse gruaja bezdiset të tregojë më. E pyes sërish për Depardien dhe Duras. “Pak si haluçinant”, - më thotë. I kam njohur të shoqen”. Flasim për Umberto Ekon, etj... Kudo ka lidhje...

Me djalin

...Djali është fare pa lidhje. Pas një udhëtimi të shkurtër në makinën e tij udhëtojmë të tre drejt një rrëpire. Në Bulqizë, fill afër qytetit, nuk i shikon më skamnorët që të punojnë mu poshtë minierës dhe që shpesh i zinte nën vete masa e pamëshirshme e stokut marramendës të minierës. Po ku janë? Misteri do të zgjidhet shpejt. Djali, që ka lënë makinën pranë shtëpisë, na drejton drejt një rrëpire kromi, ku është i shënuar emri i tij si pronari i truallit. Askush nuk mund të futet aty. Njësoj, përtej, janë pronat private të disa vendasve të tjerë, që njësoj rrëmojnë “pa arsye”. Rrëmojnë e rrëmojnë pafund. Djali më ndjek nga pasqyra, por nuk di asnjë fjalë të huaj, që të merret me Stefanian. Ka qenë dhe ai emigrant?!!! Gruaja fillon e bezdiset nga fakti që po ecim si pa qëllim drejt kësaj rrëpire. Ku janë, e pyes. “Mos u mërzit”, - ma kthen. Gruaja e mban kamerën gjysmë profesionale të ngjitur me veten. Nuk duket asgjë, vetëm rrëpira e përhirtë. Jemi nga një prej anëve të minierës, ku grumbuj të stërmëdhenj stoku pengojnë gjithçka. Dëgjoj sakaq një zhurmë fadrome. Sërish, nuk duket asgjë. Asnjë frymë njeriu, veç afshit të nxehtë, që kur bie në sipërfaqen e kromit i shton në ajrin e tejndotur- pluhurizmin e tij. I shpjegoj Stefanias se jemi në besë të djalit, që do të na çojë drejt e në pronën e vet. Ajo mbledh buzët. “Kujdes, thuaj kësaj mos të filmojë këtu”. Janë sinorët e pronës së tij dhe ai më flet si trim. “Kur të shkojmë atje, vetëm ata që punojnë, kuptove?!” Ecim, por ata s’po duken. Derisa shfaqen...

Dikur

Nga një kronikë e kohës thuhet se tregtia e kromit këtu nisi të bëhej që në vitet ’30, kur të parët e këtyre qyqarëve, për të cilët po shkojmë ne, me kol (kal me dialekt), kromin e mbledhur e përcillnin në Qafën e Barit. Nga atje minerali shkonte në drejtim të vendeve të tjera. Të jemi të sinqertë, atëherë kromi gjendej më lehtë në sipërfaqe. Ishin italianët që e kanë diktuar këtë thesar, që u kishte rënë për hise pasardhësve të Kastriotëve. Socializmi u dha mirëqenie relative vendasve, ndërsa këtë minierë, për nxjerrjen e mineralit të kromit, e bëri një nga më të mëdhatë në botë. Arriti të punohej në 16 nivele (kate nëntokë), saqë thellë nëntokës u krijua një Bulqizë tjetër si urithore, e ngritur nga duart e njerëzve. Këta të fundit lanë bujqësinë, që mezi ia merrnin mbitokës, për “të shkallmuar” nëntokën. Me vite u ngrit dhe qyteti, i cili është më tej. Nga 1948 - 18 shkurt, kur mori jetë miniera, një minator do të kujtonte se “është rrëmuar aq shumë, dikur bashkë me të burgosurit, sa qyteti pret të bjerë në çast brenda tij”. Duhet të jetë një ndjesi e fortë kjo zhytje, sepse edhe neve që po i ngjitemi pa ndalur kësaj rrëpire, na duket sikur sakaq do hapet toka dhe do të na përpijë poshtë. “Qyteti do të fundoset, sepse poshtë tij janë hapur 16 nivele galerish”, - më ka thënë dikur një minator. E kam kujtuar pak kohë më parë, kur kam kaluar në tërmetin e para pak ditëve, që e ka pasur epiqendrën pak kilometra më andej, por toka s’ka pranuar të hapet. Bulqiza ka mbetur po aty. Duket se edhe fatkeqësia ka normat e saj. Ajo të merr, atëherë kur s’e mendon. E sikur kjo të pllakoste për këta qyqarë, atëherë do të quhej kob. Pa lidhje, pas kësaj. Historia e minierës pas socializmit është një dyluftim i vërtetë administrativ i pronësisë së saj me format kapitaliste dhe minatorëve. Pastaj vdekje. Vdekje. Vdekje gjithmonë....

Skllevërit

Djali nuk na ka gënjyer. Gjithë herët, ata janë të gjithë bashkë, poshtë një pirgu të madh. I gjejmë se një fadromë u hap vendin, kurse ata të gjithë rrëmojnë pa folur. Veçojnë mineralin në disa arka dhe pastaj i mbledhin diku. Çuditërisht, në ballë është një grup grash. Pas tyre fëmijë. Herë punojnë dhe herë jo. “Kemi ardhur për prindërit”, - më gënjejnë. Mes grave, vajza të reja. Stefanias i duket se ka kapur një minierë të sajën. Nuk ka më lodhje. Është e ngazëllyer në gëzimin e saj. “Kolonizatorja” mes tyre ngjan sikur të ketë sjellë ndihma në Sudan. Ngjall një kureshtje ekzaltuese. Femrat, që janë të të gjitha moshave, bëjnë kinse indiferenten. Gjyshja i eklipson me thatësinë e saj. Afrohet njëri si më i begenisuri, që më duket si gjysmak dhe e pyet ngatërrueshëm italianen me një italishte më gjysmake sesa paraqitja. Ka qenë emigrant, por kuptohet e kanë kthyer prej dokumenteve. Stefania nuk bezdiset. Filmon e patrazuar dhe ndjehet mirë, gjithsesi. Pronari ma bën me shenjë: Jo fëmijët. Tani lavora.. i thotë... Fabula është më shumë se e thjeshtë, u shpjegon gruaja edhe njëherë rrëmihësve, që i supervizon nga lart pronari si i fortë. “Do të jetë një djalë italian, që do të rrijë me ta... dhe mundësisht do të punojë këtu”. Ata qeshin, kurse djali pronar bën marifetin. Bën si i mirë me ta, në fakt duhet të jetë i mirë, sepse u jep bukën e ditës. Askush nuk guxon të flasë para tij. Paguhen deri 4 euro në ditë (na e pëshpëritin këtë), por ai i thotë gruas, që filmon e patrazuar - se marrin deri 50 euro në ditë. “Po vij dhe unë”, - i them. Skamnorët, edhe pse janë shkrydhur nga prania e huaj, janë komplet të mpirë. Janë të veshur thjesht dhe i kthehen punës. Hera-herës masive stoku lëshohen duke i kërcënuar. Në punë gjejnë mundësi të bëjnë hoka. Por humori i tyre është më i zi sesa zezona. Në vargun e parë zbulohet pamja e një vajze me një portret të jashtëzakonshëm, e cila shikon në profil dhe e mban trupin shumë drejt. Stefania, e ka kapur si amazonë, dhe nuk ia heq më kamerën. Aty, më thotë - do ikim. Por s’është e thënë. Fadroma ka zhvendosur shumë stok dhe ajo largohet gjithë frikë... Sërish kthehet. I duhet vajza që pronari na premton ta sjellë sakaq. Të gjithë rrëmihësit e shikojnë me gaz dhe duket se kjo situatë e vajzës para kamerës ka sjellë një mjedis argëtimi për të gjithë. Vajza ka lënë zgavrën dhe vjen. Nga tutje disa gra vazhdojnë të hanë në këtë pisllëk. “Aty, - më bën me shenjë. - Aty. Shpejt”. Qesh. Gazmon. Në të njëjtën kohë po flasim dhe me familjen, që do të mbajë personazhin e saj.

I shpjegon pas pak minutash familjes që na sugjeron pronari - dhe njëherë idenë e saj. Gruaja, me të cilën flet, është vetëm 40 vjeç. O zot! Tejet e re dhe e drobitur. Me tre fëmijë. I shoqi nga përtej e ndjek, i tërhequr . “Po ç’do bëj te ne?”- më thotë. Ia shpjegoj. Vallë ç’do të bëjë, mendoj. Gruaja qëndron kokulur, por burri e kupton fare pak. Edhe ai qëndron aty. Si marifetçi, na tërheq mënjanë dhe na thotë se këta duan lekë. “Po”, - i thotë Stefania. Shprehet qartë se është e fiksuar diku tjetër. Vajza vjen. Nuk është aspak e bukur, por ka shumë hije. Ka një hundë të stërmadhe, që i përshkon gjatazi fytyrën dhe është krejt e çoroditur. E pyes. Më jep dy përgjigje të ndryshme. “Nuk kam nevojë. Thjesht vij për motrën. Kam një të fejuar nga Laçi..”, më duket. Nuk e ka takuar kurrë. Nuk i pëlqen që është këtu, por djaloshi i ka premtuar që ta marrë në Itali. Çuditërisht dhe një vajzë tjetër që kam njohur sërish në stok, por pak qindra metra më tutje, e ka pasur të fejuarin nga Laçi apo nga Mamurrasi dhe i kishte premtuar se do të iknin. Stefania më bën vërejtje. “Bëj pauzë nga pyetja në pyetje”... Ka ardhur pronari dhe nuk pipëtin askush. Ka ardhur dhe fëmija i familjes që do të mbajë djalin, me një palë syze të mëdha. Vajza flet kuturu. Stefania nuk ia shqit objektivin dhe duket sikur e ha me sy. Trembet befas, sepse një masë e madhe po bie sërish... Stefania dhe unë nuk besojmë asgjë, por vajzën e admiron. E shfaq hapur se e do shumë ta ketë si personazh të saj. Rrëmihësja qesh e bindur se e di që është para kamerës, por nuk e di se është në një si gjysmë kino-prove. Dhe, më tej... gënjen pastër dhe nga përgjigjet 18-vjeçarja e tregon se ka formimin e një vajze në klasë fillore.

Pak retrospektivë

Mbyllja e socializmit bëri që edhe industria të kalonte në një administrim tjetër. Ishte “DARFO”, që mori me koncesion disa objekte të kromit në Shqipëri, pasi parlamenti shqiptar miratoi një projektligj për koncesionet. Veç saj, në kuadër të fundit të privatizimeve në krom, ajo mori dhe minierën e kromit Bulqizë, impiantin e seleksionimit Klos, fabrikën e pasurimit Bulqizë dhe uzinën e ferro-kromit, Burrel. U premtua shumë. Më pas erdhi dhe janë sërish të huaj. U premtuan dhe u parashikuan investime të mëdha për ruajtjen e mjedisit, si në uzinën e ferro-kromit, ashtu edhe në minierën e Bulqizës dhe fabrikën e pasurimit. Asgjë nuk ndodhi nga këto. Shumë jetë të mbaruara në mënyrë tragjike dhe radhë pafund në listat e ushqimeve. Shpëtimi: Emigracioni. Janë pikërisht bijtë e kësaj të fundit, që i bëjnë bulqizakët të sorollaten kështu.

. . .

Këtu nuk na lë më pronari dhe ka filluar të na bezdisë, pak si tepër. Ikim... Stefania ka mbetur disi e shtangur nga pyetjet... dhe se në fund vajza i thotë se ëndrra e saj është “të martohet dhe të ikë me djalin nga Laçi, që nuk e njeh askush”. E grish të flasë për herë të fundit, sepse e josh portreti i vrazhdë i bulqizakes dhe naiviteti foshnjarak apo ndonjë gjë tjetër. Pak minuta më vonë jemi sërish në udhëtim. Këtë herë tatëpjetë. Pronari na udhëzon sërish. Është sa një e treta e moshës së gruas dhe sa një e dyta ime mbase.. por gjithsesi e quan veten sovran mbi kromin e barkut të tokës së Kastriotëve... dhe mbi ne. Pak ia vëmë veshin. Rrëmihësit na përcjellin me sy që andej dhe ardhja jonë i ka bërë sidoqoftë të harrojnë për pak çaste varfërinë e tyre. Familja e filmit ka filluar të bëjë sakaq planet e saj, kurse vajza, që u ngulit Stefania është e lumtur se dikush i ka soditur hiret. Por hiret mbi stokun e kromit duken si hiri i një engjëlli të ardhur nga nëntoka e vendit tutje. Stefania është e lumtur për misionin e saj, edhe pse është e lodhur nga këtu, 131 kilometra larg kryeqytetit, ku politikanët janë në kalkulime që bashkë me vendin me skllevër të shitemi më evropianë se evropianët. Çudia vazhdon edhe në verë-vjeshtë 2009....

Mbijetesa e vështirë e qytetit që u ngrit në socializëm

Bulqiza - Qyteti e ka nisur jetën e tij me fillimin e vitit 1952. Por vetëm në vitin 1957 ai ka marrë këtë formë pa ngjyrë, që mund ta vëzhgosh tani nga miniera. Nga lartësia e minierës shikohet një qytet anemik, me një rrugë që humbet përtej dhe që bashkon me një vijë të drejtë dy pjesët e qytetit. Në këtë fushë të paanë, rrethuar me male të larta, ka luftuar Skënderbeu në betejën e Vajkalit, emër me të cilin njihet ky vend. Gjithsesi, nga lavdia e Skënderbeut nuk ka mbetur më asgjë, në fytyrat e vrara të këtyre punëtorëve të ndrydhur, që çuditërisht janë të veshur gati të gjithë njësoj. Të 17.500 banorët e qytetit Bulqizë banojnë në dy krahët e fushës, mbushur me pallate shumë të vjetra trekatëshe dhe ato më të rejat (20-vjeçare) katër-pesëkatëshe. Një pjesë e tyre janë stacionuar në qytetin e vjetër, ku është gjithashtu edhe miniera dhe disa nga ndërtesat kryesore të qytetit. Kjo pjesë ka ekzistuar edhe më parë, ndërsa në anën tjetër është qyteti i ri, që shtrihet deri në këmbët e malit. 1600 punonjës të këtij qyteti janë të lidhur direkt me minierën. Në fakt, i gjithë qyteti mbahet me minierën. Kjo është materializuar me simbolikën e monumentit të minatorit, që është në qendrën e qytetit. Më pas, në vitet ’90 janë çelur pa fund kafene, që në të gjithë qytetin e vogël me vetëm dy rrugë kryesore shkojnë gati në 60 syresh. Njerëzit janë fjalëpakë, sepse duket se pjesën tjetër ua marrin hallet e qëndrimit shumë metra nën tokë. Madje, ata që punojnë në nivelet 15 ose 16 janë sipas tyre edhe poshtë nivelit të detit. Bulqiza vetë është rreth 720 metra mbi nivelin e detit dhe vetë miniera është mbi 100 metra mbi qytetin. Qyteti ka një shkollë të mesme dhe dy shkolla tetëvjeçare. Përveç gjimnazistëve që duken si më të veshur, fëmijët me veshje më modeste duken se janë të harruar në disa lojëra të çuditshme. Disa syresh luajnë mbi skeletin e një makine, ndërsa të tjerët shkasin në dy bordurat e shkallareve që të çojnë drejt administratës së minierës. Një grua sit një bimë, e cila shitet pak më tej dhe kudo janë klube. Nga ato barakat që i kemi hasur në subjektet e para humoristike të pas viteve ’90 dhe duke vazhduar me klube më të mira. Gjithsesi, nga mirëmbajtja e tyre kupton se nxitimi për të fituar ka ndikuar në paraqitjen e tyre. Njerëzit kuptohet se flasin vetëm për minierën dhe të përkulur në veshët e njëri-tjetrit krijojnë zinxhir të pakuptimtë formash. Janë të qetë, një qetësi që duket se e kanë marrë nga qëndrimi prej vitesh të tëra nën tokë. “Familja jonë”, - thotë një minator që ka bërë njëqind e disa vjet punë në minierë. Në këtë qindëshe, ai rendit breza të tërë nga fisi i tij. Të tjerë rendisin edhe më shumë. Më pas shikojnë pa kuptim dhe të heshtur njëri-tjetrin, duke folur…për minierën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›