E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premtime, spote, rrahje dhe tritol!

TIRANE - Kanë zënë krrupën e kupën e qiellit premtimet bashkë me fl amujt partiakë e spotet televizive fl akëhedhëse të
kësaj fushate…Si asnjë kryeqytet tjetër i botës, Tirana,pavarësisht nga kriza globale e kushtet financiare të familjes, nga inteligjenca e lindur apo nga dëshira për arsimim të lartë, mbas 8 majit nuk ka për të pasur asnjë të ri pa diplomë universitare në xhep. Ky do të jetë kryeqyteti i parë dhe i fundit që jo vetëm nuk do të ketë asnjë analfabet, por gjithë popullsia, pas disa vitesh, do të jetë tejembanë me arsim të lartë. Ndërsa të sapomartuarit, do të kenë të siguruar një banesë nga Bashkia, natyrisht përveç fakirfukarenjve të pastrehë…Mbas 8 Majit do të kryhen shpejt e shpejt legalizimet e do të jepen menjëherë tapitë për të ardhurit…Pas 30 ditëve do të jepet leja e ndërtimit në dorë! Gjobat, fatura e doganës dhe e kolaudimit të makinës do të falen, si një bakshish parazgjedhor. Mbas 8 majit do të përfundojë unaza e vogël dhe ajo e madhe, bashkë me një kampus universitar në Tufinë. Mbas 8 majit do të miratohet plani aq shumë i munguar e i dëshiruar urbanistik…Tramvaji do të lidhë Kinostudion me Kombinatin, Tiranën do ta bashkojë me Durrësin, kurse tuneli i Kërrabës do të njëjtësojë Tiranën me Elbasanin…Mbas 8 Majit ka për t’u realizuar ëndrra e vjetër e atij tironsit në kohën e Haxhi Qamilit, që ka pas thënë: ka me ardh dita që macja të kalojë tjegull më tjegull për me shku në Durrës…E tash macja tironse ka për të shkue jo vetëm në Durrës, po edhe në Elbasan, madje deri në Peqin! Mbas 8 Majit do të shkurtohen në maksimum taksat vendore në një kohë kur, fatlumërisht, kanë për të mbërritur, kushedi nga kush dhe se si, mbi një miliard euro investime vetëm për kryeqytetin tonë të dashur!..Mbas 8 Majit për çdo banor do të ketë disa metra katror gjelbërim, ndërsa kryebashkiakët, me përkushtim, do të na hapin mijëra vende të reja pune…e të tjera e të tjera…
Asnjëherë nuk janë derdhur kaq pa kursim rrëke me premtime e dhurata bujare nga krerët partiakë jo vetëm në Tiranë e për Tiranën, po anekënd Shqipërisë, për çdo komunë të humbur, e cila, ashtu si kryeqyteti, premtohet të lulëzojë, të përparojë e të asfaltohet cep më cep! Sigurisht nëse do të votoni për filanin! Përndryshe ju mori lumi! E të tjera, e të tjera…
Nuk ka fushatë më të kollajtë e njëkohësisht edhe më absurde se kjo që po ngrihet mbi hyrjabyrjen e “ëndrrave në diell”, e premtimeve të papërgjegjshme të cilat nuk kanë asnjë faturë përcjellëse; kush ka pak mend në kokë e kupton se këto ëndrra nuk do të kryhen; nuk mund të realizohen edhe sikur SHBA e BE, B.Botërore e FMN së bashku të shpallin për ne një plan Marshall…Edhe pse gjithçka thuhet se po bëhet për ne qytetarët, dihet që nesër askush nga kandidatët nuk do të japë llogari e aq më pak nuk do të turpërohet para opinionit publik.
Një kryetar komune në rrethinat e Tiranës, sipas një rivali të tij, pat ardhur nga fshatrat e thella të veriut, por pasi u bë kryetar komune, para katër vjetësh, në vend të kasolles pa leje, tash ka ngritur një vilë luksoze, para së cilës qëndron për karshillëk një veturë tejet e shtrenjtë…Kemi përvojë të gjatë e “të suksesshme” për kësi risish të tranzicionit - politika ta ndryshon jetën më shumë e më shpejt se çdo trashëgimi e pasuri, prandaj kandidatët janë gati të theren me njëri-tjetrin. E mbi të gjitha është imuniteti! Mund të vjedhësh, mund të vrasësh, mund të gënjesh, je i pandëshkueshëm, si Zoti!
Në Shqipëri jo vetëm krerët e lartë por edhe picirrukët e komunave nuk japin llogari as para opinionit publik e as para gjykatave për krime të rënda, për vrasje e për vjedhje disa milion eurosh e jo më të japin llogari për ca ëndrra të stisura në diell nëpër fushata elektorale! Sepse ata e dinë që historia së gjalli e kur je në pushtet nuk të ndëshkon në këtë vend! Sepse, sipas tyre, a mund të quhet krim kur një popull të shumëvuajtur, të varfër, të lodhur, të zhgënjyer e të pashpresë e ushqen me ca ëndrra të bukura, nisur nga qëllimi për t’ia bërë jetën, qoftë edhe me ca iluzione të vdekura, sa më të bukur?! Nuk ka faj narkoza për një operacion të dështuar mbi një trup të sëmurë…Jo, sigurisht që nuk ka faj narkoza, por faj kemi ne që narkozën (apo, e thënë ndryshe: demagogjinë e radhës) vazhdojmë prej gati një shekulli, qëkurse u bëmë shtet i mëveçëm, ta vlerësojmë si të vetmin ilaç çudibërës!
Nga ky merak Presidenti Topi na porositi nga universiteti i Vlorës të mbajmë shënim premtimet e sivjetme në mënyrë që t’i ballafaqojmë realizimet pas katër vjetësh, duke ndëshkuar, po me votë, gënjeshtarët tanë partiakë…Po a ka qitap që mund të mbajë gjithë këto premtime që po na bëhen këto ditë? A kemi durim ne që pas njëzet vjetësh plus katër të tjera të ndreqim gabimin e bërë? A do të dëgjojmë përsëri me durim e bindje formulën e vjetër të ndërkombëtarëve: zgjedhjet kishin ca mangësi, por ishin më të mira se të kaluarat? A do të durojmë të kemi, “sa t’i japë ymër Zoti”, të njëjtin Berishë që na mollois ç’i vjen në gojë jo një, po tri e katër herë në ditë për të na thënë e stërthënë sa të lumtur jemi, natyrisht falë tij, paçka se premtimet e deklaratat “ishin thjesht e vetëm për fushatë” e paçka se, po sipas tij, ai është “njeriu i premtimeve të mbajtura”, si rrallëkush?! A e kemi kuptuar vallë se qëndrimi me votë ndaj berishizmës është qëndrim ndaj demokracisë, që do të thotë: e përfitojmë ose jo, do ta meritojmë apo jo, do të integrohemi nesër apo jo, - kjo është çështja! Duhet të ndahemi nga kjo lloj politike, e cila, për të kuptuar ku gjendet e vërteta duhet marrë përherë e kundërta: si kur na thonë se do të na qeverisin me duar të pastra, si kur na thonë se duhet bërë fushatë e qetë! Në rasti e parë kujdes xhepat, në të dytin kujdes derën apo makinën se mos ta kap tritoli i vënë te fqinji kandidat!
Prandaj po luhet fort, herë me para e herë me dhunë, por më së shumti me bombardim mediatik: kush e ha, le ta hajë edhe kësaj here, qelepiri të nxjerr me faqe të bardhë! Këtë e dinë fort mirë krerët tanë, ndaj ngjiren e çirren nëpër mitingje duke na rrasur në tru, - njëlloj si rosakët industrialë që ushqehen mekanikisht, me pompë në gojë - premtime, gënjeshtra, dëborë artificiale që derdhet nga lart, njëlloj si në Amerikë, duke shpenzuar për këtë “ushqim” virtual miliona euro për spote, për këngëtarë, për podiume, për parulla, për fjalë, fjalë, fjalë, për tullumbace, për postera, për kamikazë, për tubime, për salla, për “opinione” dhe “sondazhe”, për makina lëvizëse propagandistike, për klakerë e flamur-tundës para kamerave…

Mos ju dhëntë rasti të shkoni në spitalin e urgjencës në Tiranë. As spitalet fushore në luftën e parë botërore nuk kanë pas qenë në një të tillë mjerim! E pra, sa spitale, sa azile, sa kanalizime, sa biblioteka do të ishin ngritur në Shqipëri me të hollat e një fushate? Por ne kemi fatin që të plotfuqishmin e vendit, të parin e të gjitha institucioneve dhe pushteteve, prej 20 vjetësh, e zgjedhim “me vota të lira e demokratike” nga soji i mjekëve! E pra, nuk ka e nuk gjen dot kurrkund në botë një cinizëm të ngjashëm: në Shqipëri nuk ka më keq se spitalet dhe arsimi, edhe pse të parin e vendit e kemi me profesion edhe mjek, edhe mësimdhënës, edhe Dr. edhe Pr.!
Kur mendon kështu të kaplon pafuqia e trishtimit e detyrohesh të thuash vetemvete: a nuk do të kishte pas kenë ma mirë sikur kryebashkiakët, deputetët, kryeministrat, kryetarët e partive, madje edhe Presidentët të na i sillnin ndërkombëtarët me zarf, si Presidentin e Kosovës, apo edhe si Lul Bashën? A mos vallë kështu na i sjellin dhe ne nuk e kuptojmë, ndaj bëjmë sikur votojmë? E megjithatë udhëheqësit nuk lodhen kurrë për të na hedhur hi syve, vetëm se nuk e dinë sa të rraskapitur e të veleritur jemi ne qytetarët dhe sa do t’i besojmë kësaj here broçkullave e fanfarave të tyre. Votuesi shqiptar edhe në këtë fushatë konsiderohet si një enë që mund të mbushet kollaj me propagandë, por në fakt ai nuk ka asnjë lidhje me qytetarin e viteve 90-të, i cili besoi verbërisht te liderët e rinj, ngaqë i kishte ardhur në majë të hundës nga byroistët e rrëgjuar e të pazëvendësueshëm…Por a kanë ndonjë dallim të dy palët, përveç faktit se të dytët janë më të pasur? Ja përse ka mundësi që 8 Maji të jetë, edhe për këtë shkak, një tjetër “terapi shoku”, ndoshta jo dhe aq për ne, qytetarët, por inshallah për “të pazëvendësueshmit” tanë! Përndryshe tranzicioni nuk do të ketë fund!
Nëse i beson të gjitha sa thuhen e dëgjohen nëpër TëVëra e sheshe, qytetarët lipset të thonë vetemevete: Lum kush të rrojë pas 8 Majit që, -më në fund!- ta shohë e ta shijojë Shqipërinë si një zonjë të vërtetë evropiane, një kryemetropol të Ballkanit! A ka qytetar që i beson këto e në këmbim do të japë votën? Nuk besoj! Edhe pse vota tekefundit mund të katandisë në një mall që shitet e blihet njëlloj si ushqimet, si një thes me miell apo si ilaçet false, ku reklama dhe jo cilësia merr rëndësi të dorës së parë, edhe pse, pas premtimeve, mitingjeve dhe spoteve farfullonjëse do të gëlojnë e pasojnë si përherë rrahjet, shpifsharjet mes krerëve, konfliktet për jetë a vdekje nga qendra në periferi, nga lart poshtë, jam i bindur se më 8 Maj bashkëqytetarët e mi do të dinë si të votojnë.
Do të dinë të votojnë edhe pse, nj’ashtu si në fillimet e pluralizmit kur, për të na trembur filluan të hidheshin në erë shtyllat e energjisë, tani e kemi mësuar se tritoli te dera e kandidatit rival nuk është gjë para tritolit të konfliktit, të mosmarrëveshjes, të ngërçit, të sherrit të pasosur që krerët ia kanë vënë shoqërisë si lak te kufiri i fundit i durimit, duke na lënë në një tranzicion të paanë e të pafund…Por pavarësisht se kush nga dy partitë kryesore do të fitojë, pas ambalazhit të një fushate, do të jetë e dhimbshme të kuptojmë se kemi pas ngrënë gënjeshtra me bollëk, por do të jetë e pafalshme kur të provojmë se edhe pas 8 majit nuk do t’i jetë “lagur” tritoli babait të konfliktit…
E në këtë kuptim dihet se kush do të humbasë!
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›