Ligji Për minierat, investitorët e huaj ankohen për pronën dhe gjobat
Në parim investitoirët e huaj, që kanë interesa në tregun minerar, janë shprehur pozitivisht ndaj projektligjit “Për minierat”, që po diskutohet këto ditë në komisionin parlamentar të veprimtarive prodhuese. Duke u futur në detaje të sektorit, biznesi i huaj shfaqi disa shqetësime, sa i takonin pronësisë në disa zona minerare, të cilat pengojnë zhvillimin normal të aktivitetit. Shqetësime kishte edhe për gjobat, sa i takon institucionit që duhet t’i vendosë, pasi situata aktuale paraqitet tepër e paqartë.
Diskutimet rreth projektligjit u mbajtën dje në seancën dëgjimore mes anëtarëve të komisionit dhe Shoqatës së Investitorëve të Huaj, të përfaqësuar nga Marinela Jazoj.
Përfaqësuesit e shoqatës theksuan se projektligji i ri duhet të marrë në konsideratë raportin e vështirë që krijohet ndonjëherë, mes zotëruesit të veprimtarisë për shfrytëzim minerar dhe pronarit të tokës, ku gjenden mineralet e nëntokës. Një problem tjetër i evidentuar nga investitorët e huaj është dhe përcaktimi i dikasterit që do të miratojë gjobën në rastet e pasojave mjedisore, përveç Ministrisë së Mjedisit.
Kryetari i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Jemin Gjana, u tha drejtuesve të shoqatës se projektligji ka si qëllim kryesor mbrojtjen e interesave publikë, në raport me interesat e ngushta private, si dhe eliminimin e abuzimeve burokratike të administratës, në dhënien e licencave në sektorin minerar.
Përfaqësuesit e kompanive të huaja më me zë në këtë sektor, vlerësuan projektligjin e ri, si një draft me standarde dhe që u jep zgjidhje problemeve që haseshin në ligjin e vjetër, në sektorin minerar.
Sakaq, projektligji u diskutua dje nen për nen edhe në Komisionin Parlamentar të Integrimit, duke e shqyrtuar në raport me direktivat e lëna nga BE-ja.