Rama: Nuk ju them të besoni tek unë, por te vetja
"Nuk ju them të besoni tek unë, por të besoni te vetja për ta ndryshuar të ardhmen". Me këtë thirrje ju drejtua dje kreu i socialistëve Edi Rama simpatizantëve në qytetin e Rrëshenit. "Është për të ardhur keq, që tre vjet pasi ka marrë mandatin për të drejtuar Shqipërinë, Sali Berisha ka marrë përsipër të kopjojë në mënyrë aspak të pëlqyeshme Dialogun tonë me Shqipërinë", tha Rama. Sipas tij, Kryeministri bën mirë t‘ua thotë shqiptarëve, se ka qenë tërësisht i paaftë për të mbajtur premtimet. "Ato lista në dyqane që kandidati i vitit 2005 për Kryeministër, Sali Berisha, ua tregonte kamerave, duke premtuar se do të ishin një kujtim i së shkuarës, sot janë bërë më të gjata", u shpreh Rama. Ai shtoi se sot janë bërë shumë më shumë emrat e njerëzve që kanë hyrë në ato lista dhe që i kanë borxhe dyqaneve për bukën e përditshme. "Ajo që Kryeministri duhet të thotë, është gjithashtu, se ku kanë shkuar të gjitha ato premtime të bëra për të rejat dhe të rinjtë, që sipas tij, duhet të ishin sot duke lundruar në internet?!", shtroi pyetjen Rama. Një tjetër çështje që sipas tij duhet të bënte pjesë në fjalimet e Kryeministrit, është se si do të shkojë puna me çmimet e ushqimeve që rriten për ditë, çdo të bëhet me fshatin shqiptar, i cili sot është përfundimisht i zhytur në një prapambetje dhe një kufizim mesjetar të mundësive. "Ajo çka ndodh në kutinë e televizorit, nuk ka të bëjë me interesat tona, me interesat e vendit, nuk ka të bëjë më zgjidhjen e problemeve, për të cilat ne i kemi zgjedhur", vlerësoi kreu socialist. Në këndvështrimin e Ramës, politika dhe politikanët, nuk mund të na ndajnë në emër të paragjykimeve që vijnë nga e shkuara. "Nuk mund të na ndajnë në emër të sherreve që i bëjnë në emrin tonë, por që në fakt vetëm përfitim për ne nuk kanë. Përkundrazi, ne duhet të bashkohemi përtej së majtës dhe së djathtës", këmbënguli Rama. Politika, shtoi ai, duhet të kthehet jo më në një shfaqje televizive, por në një mundësi që ne të ndikojmë drejtpërdrejtë, duke i detyruar partitë që të kthehen nga ne.