Vasili: Referendumi, shans për të kthyer lirinë
Ndryshimet në Kushtetutë ishin produkt i një klime antidemokratike qeveritare. Ky ishte vlerësimi i djeshëm i sekretarit të përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili. Sipas tij, kjo nismë është një mundësi e madhe për rikthimin e lirisë së vjedhur të shqiptarëve. "Demokracia në Shqipëri po përjeton një moment shumë të vështirë dhe të një frenimi të pashembullt të lidhur në mënyre direkte me qeverisjen e keqe që ka pllakosur vendin", u shpreh Vasili. Ai shtoi se organizata prestigjioze, si "Freedom House" kanë bërë publike ngecjen në mënyrë skandaloze të demokracisë dhe futjes në qorrsokak të të gjithë ekuilibrave demokratikë të jetës së vendit. "Një nga shkaqet e vërteta dhe madhore është korrupsioni i lartë dhe i jashtëzakonshëm i kësaj qeverie, gjë që ka bërë të bjerë përtokë plotësisht karta e luftës kundër korrupsionit të qeverisë së Berishës", theksoi Vasili. Çka e bën korrupsionin, shtoi ai, një digë të pakapërcyeshme të qeverisë dhe korruptimit ekstrem të raportit të saj me qytetarët. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së mendon se zbatimi me nivele shumë të ulëta i ligjit është provë e qartë që me këtë qeverisje antiligji po mbretëron, duke zëvendësuar plotësisht shtetin ligjor dhe duke i lënë krejtësisht të pambrojtur qytetarët ndaj abuzimit shtetëror dhe duke i bërë ata të ndihen gjithnjë e më të pasigurt. LSI-ja konstaton se problemet me gjyqësorin siç theksohet në raport janë një problem shumë i madh, duke provuar që e gjithë e ashtuquajtura reformë e gjyqësorit është një farsë që nuk bind më askënd dhe përkundrazi po thellon mosbesimin e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Vasili nënvizoi se qeveria shqiptare është pa dyshim shkaktare e të gjithë situatës së rënduar të demokracisë, sepse me paaftësinë dhe mungesën e plotë të eficencës, si dhe me mashtrimin e pafund. LSI-ja vlerëson se klima e autoritarizmit të llojit diktatorial të kësaj qeverisje po përkeqëson në mënyrë katastrofike demokracinë në vend dhe shqiptarët janë çdo ditë më pak të lirë në vendin e tyre dhe kjo është në kontrast të plotë me klithmat e qeverisë për marrjen e ftesës në NATO. Aktualisht Lëvizja Socialiste për Integrim është bashkuar me subjekte të tjera, duke tentuar mbajtjen e referendumit që kundërshton ndryshimet në Kushtetutë. Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës ka filluar të studiojë mbështetjen në bazë përmes takimeve në qytete të ndryshme. Pas kësaj etape do të mund të kalohet te mbledhja e firmave të qytetarëve për të konkretizuar nismën e referendumit. Ligjërisht mbajtja ose jo e referendumit është objekt diskutimi nga palët. Përfaqësues të partive të mëdha mendojnë se janë tejkaluar mundësitë ligjore për të depozituar kërkesën e referendumit. Duke e cilësuar kështu të pavlefshme mbledhjen e firmave siç ka programuar LSI-ja.