Rama: Nuk kam ndërmend ta lë në mes betejën. Protesta popullore, nëse preket mandati i FieritNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, priti dje në zyrën e tij kryetaren e Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR, Audrey Glover. Mësohet se gjatë këtij
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rama: Nuk kam ndërmend ta lë në mes betejën. Protesta popullore, nëse preket mandati i FieritNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, priti dje në zyrën e tij kryetaren e Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR, Audrey Glover. Mësohet se gjatë këtij takimi, që ka zgjatur për më shumë se një orë, ai ka parashtruar disa shqetësime të socialistëve për procesin zgjedhor. Më pas Rama ka deklaruar se ai nuk ka ndërmend ta lërë në mes betejën e tij për të mos lejuar tjetërsimin e vullnetit të votuesve.
Rama tha se do ketë protesta popullore, në rast se tjetërsohet vullneti i votuesve.
“Sali Berishën dhe Ilir Metën i bashkon politika e vjetër e dyfytyrësisë, e gënjeshtrës dhe mllefit, e interesave politike dhe ekonomike tërësisht personale e klanore. Ata janë sot shëmbëlltyra vetëdemaskuese e një teatri që u luajt për të marrë votat e shqiptarëve, si kundërshtarë të betuar dhe për të krijuar pastaj me këto vota një aleancë të betuar kundër vullnetit dhe interesave të zgjedhësve shqiptarë, kundër ndryshimit të vërtet dhe kundër të vërtetës së 28 qershorit dhe kundër Partisë Socialiste.
Sali Berisha dhe Ilir Meta janë sot dy fytyrat e së njëjtës gënjeshtër, e të njëjtit mllef, e të njëjtave interesa politike e ekonomike, tërësisht personale e klanore, që me shpifje të ulëta, diversione të neveritshme, përpjekje të dëshpëruara, po mundohen të vrasin me një gur dy zogj, të legjitimojnë zgjedhjet e grabitura dhe të demoralizojnë e nënshtrojnë Partinë Socialiste. As njërën, as tjetrën nuk do ta arrijnë dhe sa më shumë të ngjajnë me njëri-tjetrin në shpifjet e tyre të paskrupullta, sa më shumë të plotësojnë njëri-tjetrin në lojën e tyre të turpshme, sa më shumë të orvaten në planin e tyre të dështuar për të përbaltur Partinë Socialiste dhe mua personalisht, aq më e qatë bëhet për të gjithë shqiptarët, se ky çift i ri i politikës së vjetër ka lindur për të mbajtur peng të ardhmen e tyre, për të dhunuar vullnetin e tyre, për të plaçkitur atdheun e tyre”, - tha Rama.
“Duke përbuzur shpifjet e diversionet e të dyve bashkë dhe duke e i siguruar që të dy, edhe Sali Berishën dhe Ilir Metën, se sot Partia Socialiste është më e fortë se asnjëherë dhe se mua sulmet e tyre primitive vetëm më forcojnë bindjen në drejtësinë e një beteje që as kam ndërmend ta lë përgjysmë e as do ta fitojnë duke marrë peng qeverinë e Shqipërisë, unë ri-nënvizoj sot me forcë në adresë të çiftit të ri të politikës së vjetër atë që Partia Socialiste ka theksuar vijimësisht gjatë këtyre ditëve:
Mos prekni mandatin e 9 të socialistëve në Fier, sepse do të përballeni, jo vetëm me mosnjohjen e zgjedhjeve, por edhe me reagimin e merituar të popullit të Fierit e të gjithë Shqipërisë. Ne nuk e lëshojmë mandatin e 9 të Fierit me asnjë çmim dhe nuk tërhiqemi nga zbardhja deri në fund e krimit elektoral të 28 qershorit për asnjë arsye”, - vijoi më tej kryetari socialist.
Rama tha se PS është forcë e parë në vend.
“Dhe ne nuk jemi Sali Berisha apo Ilir Meta, që tjetër thonë e tjetër bëjnë. Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, forca e parë politike në vend, që sot kemi detyrë të pashmangshme mbrojtjen me çdo kusht të lirisë e të demokracisë në vend, mbrojtjen me çdo çmim të interesave të vendit e të popullit të dhunuar në vullnetin e tij sovran, mbrojtjen me çdo mjet të së drejtës e të dinjitetit të çdo zgjedhësi që ka votuar më 28 qershor, për t’u ndarë nga e shkuara. Sepse vërtet koha është e maskarenjve, por Shqipëria është e shqiptarëve”, - përfundoi deklaratën e tij Rama.
PD: Edi Rama është bërë si Sllobodan Millosheviç
Selia e Partisë Demokratike e krahasoi dje kryetarin e PS, Edi Rama, me Millosheviçin. Zëdhënësja e kësaj selie tha se edhe diktatori serb pas çdo humbjeje deklaronte se ndjehej më i fortë.
“Zoti Edi Rama vetë dhe me zëdhënësit e tij, në vend që të pranojnë humbjen, kalon nga trillimi në trillim, nga kërcënimi në kërcënim.
Partia Demokratike i kërkon z. Rama të heqë dorë nga presionet dhe kërcënimet ndaj institucioneve vendimmarrëse për procesin zgjedhor, të pranojë humbjen dhe verdiktin e qytetarëve shqiptarë.
Nga ana tjetër i rikujtojmë zotit Rama se në rajonin e Ballkanit ka patur vetëm një politikan, i cili pas çdo disfate deklaronte se ndihej më i fortë se kurrë dhe ky ishte Sllobodan Millosheviç.
Çdo imitim i tij është një donkishotizëm
Koha është e shqiptarëve, e atyre që votuan për projektin e Shqipërisë evropiane, më të madhin projekt në historinë e këtij vendi dhe e atyre që për arsye të ndryshme nuk votuan kartën e zotit Rama.
Nga zgjedhjet nuk ka të humbur, ndërsa përpjekja për të shkelmuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë është thjesht përpjekje maskarenjsh”, - tha zëdhënësja e PD.