Tifozët britanikë këshillohen nga klubi dhe Ministria e Jashtme: Shqipëria është e rrezikshmeNga TemaNjë ditë pas njoftimit se Shqipëria është lënë jashtë zonës Schengen për sa i përket lëvizjes pa viza, një lajm që vjen nga Skocia tregon qartë për i
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Tifozët britanikë këshillohen nga klubi dhe Ministria e Jashtme: Shqipëria është e rrezikshmeNga TemaNjë ditë pas njoftimit se Shqipëria është lënë jashtë zonës Schengen për sa i përket lëvizjes pa viza, një lajm që vjen nga Skocia tregon qartë për imazhin e vendit tonë në Evropën Perëndimore.
Tifozët e ekipit të Motherwell, qytetit skocez që do të luajë me Flamurtarin në turin e dytë të UEFA, Europa League janë këshilluar që të mos ndjekin ekipin e tyre në Shqipëri, për shkak se kjo është e rrezikshme.
Ajo që bie në sy është se vendimin e kanë marrë drejtuesit e klubit, të cilët thonë se janë këshilluar dhe me Ministrinë e Jashtme të Britanisë për sa i përket rrezikshmërisë së Vlorës, qytetit të rëndësishëm turistik të Shqipërisë.
“Ne nuk do të planifikojmë një udhëtim për tifozët dhe për ata që kanë ndërmend ta bëjnë këtë individualisht, u themi që duhet ta marrin seriozisht në konsideratë faktin që nuk duhet shkuar atje”, - thuhet në deklaratën e këtij klubi.
Një zëdhënës i klubit ka komunikuar më BBC dhe ka deklaruar se ata nuk kanë problem për vendin ku do të luhet ndeshja e nuk do të kërkojnë të caktohet një stadium tjetër. Ai gjithashtu vlerësoi sjelljen e tifozëve të ekipit të tij gjatë ndeshjes së mëparshme për UEFA Europa League kundër ekipit të Llanellit, por tha se ata janë të shqetësuar në lidhje me fansat që do udhëtojnë në mënyrë të pavarur në Shqipëri.
“E dimë që disa prej tifozëve tanë do të udhëtojnë dhe do mbështesin skuadrën. Ne do dëshironim që ata t’i drejtohen Ministrisë së Jashtme për më shumë informacion. Ne nuk do të kemi një udhëtim charter kësaj here për arsye sigurie”, - tha zëdhënësi i klubit.
Ekipi U21 i Skocisë luajti për kualifikueset e kampionatit evropian në Shqipëri, në kryeqytetin Tiranë, në mars të këtij viti dhe nuk u shënuan incidente.
Ministria e Jashtme angleze në sitin e saj thekson se siguria publike është përgjithësisht e mirë, veçanërisht në Tiranë dhe shqiptarët janë mikpritës ndaj vizitorëve.
Megjithatë, ajo thotë gjithashtu se krimi dhe dhuna janë problem serioz në disa zona dhe armët janë të kudondodhura.
Ajo shton se qyteti bregdetar i Vlorës është një nga zonat ku ka patur së fundmi raporte për vjedhje bagazhesh nga dhomat e hotelit dhe mjetet e transportit publik.
Ndeshja mes Motherwell dhe Flamurtarit do të zhvillohet më 16 korrik.
A na mungojnë vetëm pasaportat biometrike?
Vendimi i klubit skocez për të mos sjellë tifozë në Shqipëri, për shkak se druhen se do bëhen pjesë e dhunës dhe grabitjeve, ndoshta do kishte kaluar pa shumë bujë, për shkak se ka akoma shumë e shumë qytete të vogla që kanë ide nga më të çuditshmet për Shqipërinë, vendin që prodhon vetëm lajme negative. Por, vendimi i tyre është marrë në konsultim me Ministrinë e Jashtme të atij vendi, që u thotë atyre se në vendin ku pretendohet që të ketë turizëm elitar, nuk mund të udhëtohet.
Sërish duhet saktësuar se nuk bëhet fjalë për të mos udhëtuar, sepse vlonjatët kanë një tifozeri shumë të rrezikshme. Në asnjë pjesë të deklaratës së klubit nuk thuhet një gjë e tillë. Kjo dhe për shkak se prej kohësh tifozeria jonë nuk interesohet shumë për fatin e skuadrave të tyre.
Gjithë shqetësimi lidhet me situatën e sigurisë në qytetin bregdetar.
Vendimi i tyre vjen një ditë, pasi Shqipëria u la jashtë listës së vendeve që udhëtojnë pa viza për në Evropë, së bashku me Bosnjën, e cila ka probleme të theksuara etnike.
Por zyrtarët tanë sërish nuk na kanë dhënë asnjë detaj, pse jemi penalizuar. Paturpësisht ata kanë deklaruar e deklarojnë sërish se vetëm pasaportat biometrike po na lënë të izoluar si kurrë ndonjëherë në historinë e Evropës.
Ky justifikim nuk mund të pranohet më.