Rama: Nuk kam punuar për të rrëzuar Nanon
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi menjëherë dje ndaj akuzave të kryeministrit Sali Berisha se dikur ai ka punuar me të kundër Fatos Nanos, dhe tashmë flet në mënyrë primitive për të, në librin e tij "Kurban". Sërish në faqen e tij zyrtare në Twitter, kreu socialist hodhi poshtë një e nga një, ashtu siç shprehet, me neveri akuzat e të kryeministrit të vendit, Sali Berisha. "Unë punoja me Saliun për të rrëzuar Nanon? Aq sa ç'kam punuar me këtë rrenacak pa cak, për të shkruar në libër se çfarë mendoj për Fatosin", reagoi fillimisht Rama. Duke hedhur poshtë kështu këtë tezë të bërë publike paraditen e djeshme nga kreu i qeverisë. Por nuk vonoi mesazhi i dytë po në faqen e tij zyrtare ku shprehet sërish se hedh poshtë, çdo fjalë me përbuzje të thënë nga kryeministri Berisha paraditen e djeshme, duke shtuar se Berisha është një lexues i gjynahtë i librit të tij "Kurban". "Është keqardhje të kesh një lexues të gjynahtë si Saliu, që merret me librin gjithë ditën, po nuk thotë dot që e ka lexuar!", shtoi Rama në Twitter. Por mesazhet e tij nuk mbarojnë këtu. Karakteret e pakta që lejon shkrimi i një mesazhi në murin e Twitter, bënë që kreu socialist të publikojë një mesazh të tretë. Kështu, ai shton se asgjë nga ato që tha kryeministri nuk është e vërtetë, përfshirë edhe deklaratat për situatën ekonomike në vend apo të ardhurat për frymë. "8000 dollarë për frymë kanë shqiptarët sot thotë Saliu, sepse nuk jeton në Shqipëri po në oborrin e pasurive të vjedhura", shtoi Rama. Sipas tij edhe në këtë aspekt, atë ekonomik, kryeministri gënjen, pasi ai nuk jeton me të përditshmen e shqiptarëve po vetëm me njerëzit e oborrit që pasurohen nga vjedhja e pasurive të vendit. Reagim ky që vjen në një kohë kur Kuvendi do të shqyrtojë dhe votojë sot në seancë plenare, buxhetin e shtetit për vitin 2012. Reagimi i Ramës në Twitter erdhi vetëm pak çaste nga deklaratat e bëra nga kryeministri Sali Berisha gjatë takimit me studentë paraditen e djeshme. Por ndryshe nga herët e tjera, këtë herë mesazhet e Ramës të publikuara në Twitter, u përmblodhën dhe u publikuan edhe në faqen zyrtare të internetit të PS. Prej kohësh dy kundërshtarët politikë po replikojnë në distancë në lidhje me librin e botuar nga kreu socialist "Kurban". Së fundmi Rama zhvilloi edhe takime në Kosovë, ku prezantoi botimin e tij dhe zhvilloi diskutime të hapura me intelektualë në qytetet e Kosovës