E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Hapja e kutive të votimit, kërkesë absurde

Kryeministri Berisha nuk tërhiqet nga qëndrimi i tij: "Komisioni hetimor nuk mund të shqyrtojë çështje, që janë nën juridiksionin e gjykatave"


TIRANË - Kryeministri Sali Berisha nuk ka ndërmend të heqë dorë nga qëndrimi i tij refuzues ndaj kërkesës kryesore të opozitës, për hapjen e kutive të votimit. Kreu i ekzekutivit e ka vlerësuar raportin e Komisionit Evropian si më të mirin, (edhe pse kritik) duke përfshirë këtu edhe qëndrimin për zgjedhjet.


Sipas Berishës, Shqipëria del nga lista e vendeve me zgjedhje problematike, duke e cilësuar vendimin e opozitës për hapjen e kutive, si absurd dhe ogurzi.


"Dua t'u them shqiptarëve se nuk ka kërkesë më absurde, nuk ka kërkesë më ogurzezë, sesa të pretendosh të vendosësh vullnetin politik mbi vendimet e gjykatave, është në rregullin themelor të ndarjes së pushteteve.


Sovrani i ka dhënë të gjitha ato pushtete ekzekutivit, Parlamentit, Presidentit, por nuk u ka dhënë gjithçka atyre. Një pjesë të pushtetit ua ka dhënë trupave gjykuese, të cilat, edhe pse nuk kalojnë në votë, kanë themel të çeliktë në kushtetutat e vendeve demokratike për veprimtarinë e tyre", - tha Berisha. Ai përsëriti qëndrimin e tij të vazhdueshëm se për pretendimet e opozitës ka një vendim të Kolegjit Zgjedhor.


"Unë dua të informoj edhe një herë shqiptarët se për katër qarqet që zoti Rama pretendon për rinumërim, Gjykata e Apelit, të Kolegjit Zgjedhor ka hedhur poshtë kërkesat për rinumërim dhe i ka hedhur poshtë, bazuar në ligjin zgjedhor të vendit. Komisioni hetimor parlamentar, i bazuar në nenin 77 të Kushtetutës, sipas ligjit organik të këtij komisioni, nuk mund të shqyrtojë çështje që janë nën juridiksionin e gjykatave.


Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2003 që plotëson nenin 77 të Kushtetutës, me fuqi plotësuese për Kushtetutën, përcakton qartë, se hetimi parlamentar në mënyrë kategorike nuk mund të shtrihet në çështje të tjera, të cilat kanë qenë apo janë objekt i hetimit gjyqësor dhe i gjykimit",- tha ai.


Berisha shtoi se, nuk mund të imagjinohet që kryetari i një partie, që pretendon se kjo parti respekton parimet bazë të demokracisë dhe ndarjes së pushtetit, të kërkojë të thyhen vendimet e gjykatave, Kolegjit Zgjedhor e Gjykatës Kushtetuese.


Berisha tha se është i gatshëm që t'i lërë shumicën opozitës, që të hetojë pretendimet e saj, por me një kusht, jo hapjen e kutive të votimit. "Unë e pranoj që të ndërtojmë komisionin sipas ligjit, por e garantoj se një anëtar i komisionit i shumicës në mënyrë konstante nuk do të shkojë në komision dhe nuk do të zëvendësohet, për t'i lënë atij shumicën.


Kërkon të hetojë për shkarkimin e punonjësve, le të vijnë dhe t'i hetojnë, kërkon të hetojë për implikimet e administratës në zgjedhje, të vijnë e t'i hetojnë, kërkon për lirimin e të burgosurve për qëllime elektorale, të vijnë e t'i hetojnë. Çdo gjë është e hetueshme, përveç vendimeve të gjykatave... Ato vendime sovrani ia ka besuar Gjykatës.


Ky është parimi i ndarjes së pushteteve",- tha Berisha. Sa i përket raportit të Reporterëve pa Kufij, Berisha nuk komentoi asgjë mbi atë ç'ka shkruhej mbi presionin e qeverisë ndaj medieve, duke u mjaftuar vetëm në faktin se nuk do të ketë padi ndaj gazetarëve nga administrata shtetërore. "Uroj që ky standard të frymëzojë edhe botuesit, pronarët dhe disa faktorë politikë, të cilët, nga mëngjesi deri në darkë, kontrollojnë mediat me sms, t'i çlirojë prej tyre dhe kjo e bën shoqërinë shqiptare më të lirë",- tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›