E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “OSBE mbështet kërkesën tonë për hetim sipas ligjit”

Autori i Lajmit: Redaksia

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbështetur deklaratën e Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soares, lidhur me zgjedhjet në Shqipëri. “Ne jemi plotësisht e tërësisht në një mendje me sa shkruhet në këtë deklaratë lidhur me ndërmarrjen e një hetimi të plotë e tërësor të zgjedhjeve, bazuar në Kushtetutën dhe vendimin përkatës të Gjykatës Kushtetuese për hetimin parlamentar. Kjo është gjithçka kërkojmë dhe jam i lumtur të them se me presidentin Soares ramë gjithashtu në një mendje që hetimi parlamentar as mund të kufizohet e as mund të kushtëzohet”, - tha Rama. Sipas tij, Soares nënvizoi edhe bindjen e tij se opozita duhet të kthehet në Kuvend, por dhe PS e ka shprehur publikisht vullnetin e saj për ta mbyllur bojkotin me tu mbyllur përpjekja e qeverisë për ta kufizuar e kushtëzuar komisionin hetimor parlamentar duke nxjerrë kutitë e votimit nga objekti i hetimit. “Fundi i kësaj krize fillon me transparencën e plotë, tërësore, të pakufizuar e të pakushtëzuar të zgjedhjeve. Jo për të ndryshuar rezultatin, po për të shembur sistemin e korrupsionit elektoral. Tanimë tërë bota kërkon hetim të zgjedhjeve dhe vetë OSBE-ja që ka shkruar raportin e zgjedhjeve sot ka kërkuar publikisht që zgjedhjet të hetohen plotësisht e tërësisht. Uroj me gjithë zemër që qeveria dhe përkatësisht zoti Berisha ti dëgjojë kambanat që bien nga të katër anët, përpara se kriza të bëhet e padurueshme për popullin”, - përfundoi Rama.

Ky lajm është publikuar: 19/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›