E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Opozita nuk e njeh rezultatin për Tiranën

Sipas Ramës, aksioni opozitar do të përshkallëzohet, teksa hodhi akuza të ashpra në drejtim të qeverisë.

“Nuk ka asnjë shans që opozita shqiptare të tërhiqet në rrugën e rivendosjes së demokracisë. S’ka dyshim që rezultatin e djeshëm jo vetëm që nuk e njohim, por si një sëmundje të rëndë që e bën këtë vend të zvarritet demokratikisht, në aspektin e së drejtës. Nga ana tjetër, s’ka dyshim që kontestimi ynë do të përshkallëzohet në rast se e drejta jonë nuk do të njihet ashtu siç është në ditën për diell, të cilën sigurisht ka kamikaz në oborrin e pushtetit si ata 4 banditë në Komisionin Qendror të Vjedhjeve. Nuk ka juristë plepash që mund ta vënë në dyshim jo më një popull i tërë”, theksoi Rama para pak momentesh.

Kreu socialist, njëherësh kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, tha se do të konsumohen të gjitha mjetet ligjore dhe më pas populli do të dijë të vendosë vetë për të vënë drejtësinë në vend. "Do të konsumojmë çdo mjet ligjor e demokratik, në betejën me pushtetin e vjedhur. Nëse drejtësia nuk është drejtësi, populli do të dijë ta verë të drejtën në vend. Të gjithë e kanë kuptuar çfarë ka ndodhur dhe do të dalin më herët në reagim, në rast se drejtësia nuk vihet në vend dhe në rast se padrejtësia kthehet në një sistem të bazuar në asgjësimin e zgjedhjeve", tha Rama.

I pyetur nëse Kolegji Zgjedhor do ta hidhte poshtë vendimin e KQZ-së, Rama u shpreh se rasti është flagrantë dhe nuk mund të ketë gjyqtarë me integritet që të vendosin ndryshe. “Sigurisht që kriza e sistemit gjyqësor është një krizë e përhershme. Nuk ka vend për optimizëm të plotë, por është një rast flagrant që gjyqtarë me integritet t’i hanë popullit opozitar këtë hak”, shtoi ai. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-05-24 13:36
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›