E Diel, 1 Nëntor 2026

BiznesAlbania, Bregasi takim me zyrtarin e ILO

Luan Bregasi, kreu i BiznesAlbania

Axhenda e punës e BiznesAlbania, ndjekja nga afër e programeve në ndihmë të biznesit apo edhe problematikave që e shqetësojnë atë, janë paraqitur nga presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, në takimin me koordinatorin e ILO-s në Shqipëri, Alfred Topi. Gjatë këtij takimi, Bregasi ka përfituar nga rasti për të falënderuar Organizatën Ndërkombëtare të Punës për mbështetjen financiare dhe logjistike të kësaj organizate në kuadër të një projekti të rëndësishëm në ndihmë të sipërmarrjes shqiptare. Një pikë tjetër diskutimi mes palëve ishte edhe ajo lidhur me Programin e Punës së Denjë në Shqipëri. Presidenti i BiznesAlbania theksoi rëndësinë e këtij programi dhe afërsinë me të cilën ky organizëm ndjek të tilla programe. Koordinatori kombëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Punës në Tiranë, Alfred Topi, dha edhe detaje lidhur me vijimin e këtij programi për katër vitet e ardhshme, 2012-2015, që pritet të nënshkruhet pas pak kohësh në Budapest, si dhe prioritetet mbi të cilat do të punojë në katër vitet e ardhshme kjo zyrë. Ndër të tjera, sipas Topit, sektorët ku do të shtrihet vëmendja dhe mbështetja e ILO-s në këtë program janë tregu i punës, reforma e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe informalizimi i ekonomisë shqiptare. Në këtë kuadër ai ka vlerësuar edhe rolin pozitiv që kanë organizmat e biznesit si BiznesAlbania. Ju jeni një partner i rëndësishëm për zyrën tonë dhe ne kemi vlerësuar në Tiranë e në Gjenevë projektin e realizuar nga BiznesAlbania lidhur me barrierat që has sipërmarrja dhe rekomandimet për minimizimin e saj, u shpreh Topi, duke theksuar se ILO është e gatshme të financojë edhe pjesën e dytë të projektit të BiznesAlbania në momentin që do të jetë gati. Në fund të takimit, presidenti i BiznesAlbania, së bashku me koordinatorin kombëtar të Zyrës së ILO në  Shqipëri, Alfred Topi, ranë dakord për rritje të bashkëpunimit në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta. Topi diskutoi edhe mbi mundësisë e organizmit të një konference ndërkombëtare në Tiranë për të promovuar projektet e realizuara prej saj dhe për të caktuar hapat e mëtejshëm të bashkëpunimit në kuadër edhe të Programit 4-vjeçar të Punës së Denjë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›