Rama: PS e angazhuar për një reformë gjithëpërfshirëse
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka përshëndetur takimin e partive të vogla në lidhje me reformën zgjedhore. Në një reagim të tij në faqen sociale “Twitter” Rama ka siguruar partitë e vogla për mbështetje nga Partia Socialiste për një reformë gjithëpërfshirëse.
“E përshëndes takimin e partive të vogla dhe përsëris angazhimin e PS për një reformë gjithëpërfshirëse”.
Partitë e vogla opozitare dhe të mazhorancës u mblodhën sot në një tryezë ku dolën me një qëndrim të përbashkët për reformën zgjedhore.
Krerët e dhjetë partive politike në një deklaratë të përbashkët i kanë kërkuar dy partive të mëdha PD-PS që të marrin parasysh kërkesat e tyre për ndryshimet në reformën zgjedhore.
Kreu i PDS-së Paskal Milo në emër të partive të vogla theksoi se në tryezën e sotme u diskuta gjerësisht jo vetëm për parametrat që duhet të na udhëheqin në punën tonë por edhe për detajet. “Partitë politike në këtë takim të mbledhura për çështjet e reformës zgjedhore, shprehin gadishmërinë për të kontribuar në realizimin e një reforme tërësore dhe të zbatueshme për zgjedhjet” theksoi Milo.
Gjithashtu partitë e vogla shprehin bindjen se reforma zgjedhore duhet të synojë vendosjen e barazisë ligjore mes partive si dhe barazinë e votës. “Vlerësimi ynë është se sistemi akutal është zbatuar formalisht dhe cënon barazinë e votës mes qarqeve dhe mes kualicioneve. Këtë e reflekton më së miri zgjedhjet lokale ku partitë tona morën 230 mijë vota të cilat janë përkthyer vetëm në 7 mandate” ka theksuar më tej Milo ndërsa ka kërkuar gjithashtu që të mundësohet numërimi elektronik i votave si dhe lista të hapura.
Të gjitha partitë politikë kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor, në proporcional kombëtar, për të bërë të mundur numërimin e të gjitha votave si të vlefshme në të gjithë vendin. Gjithashtu ato kërkojnë të jenë pjesë e administrimit të zgjedhjeve në të gjitha nivelet e komisioneve zgjedhore për sa kohë që këto komisione do të jenë propozime të partive politike.