E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PS oponencë jashtë sallës së Kuvendit

06/09/2009  Kryesia e selisë rozë i propozon grupit parlamentar bojkot

Kryesia e Partisë Socialiste vendosi bojkotimin e Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. I komunikuar nga vetë kreu në detyrë i kësaj partie Edi Rama, ky vendim konsiston në ndërmarrjen e një aksioni opozitar, por kjo jo në sallën e parlamentit të ri shqiptar, por jashtë tij. Për pasojë, tashmë oponenca, që në bazë të rezultatit të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme i mbetet si detyrë vetëm Partisë Socialiste, do të jetë jashtë këtij institucioni, që për drejtuesit selisë rozë është jo legjitim. Ndërkohë mësohet se debatet brenda kësaj mbledhjeje kanë qenë të ashpra, pikërisht për shkak të mospërputhjeve që anëtarët e këtij forumi kanë pasur lidhur me një opsion të tillë. Menjëherë pas përfundimit të këtij takimi Rama komunikoi vendimin. Por nuk ka vonuar dhe zëri kundër këtij vendimi, i përfaqësuar në këtë rast nga deputeti socialist, njëkohësisht anëtar i kryesisë, Ben Blushi. Por i mbetet grupit parlamentar të PS-së të thotë fjalën e fundit në mbledhjen e tij të parë, që pritet të mblidhet gjatë paradites së sotme.

Takimi

Anëtarët e kryesisë së PS-së, sikundër pritej, kanë qenë të ndarë në diskutimet mbi pozicionin që do të mbajë kjo parti dhe grupi i saj parlamentar kundrejt parlamentit të ri. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se një pjesë e anëtarëve të kryesisë kanë kundërshtuar me forcë idenë e mbrojtur nga kryetari në detyrë për bojkot të Kuvendit. Për më tepër, sipas zërave “kundër” në këtë takim, një rrugë e tillë nuk do të ishte ajo e duhura për partinë më të madhe opozitare.

Vendimi

Kryetari në detyrë i PS-së, Edi Rama, duke bërë me dije lidhur me vendimin që ky forum do t’i propozojë grupit të saj parlamentar lidhur me pozicionin e tij në Kuvendin e ri, u shpreh qartë për një bojkot të këtij institucioni deri në plotësimin e kushteve që kjo forcë politike do t’i parashtrojë mazhorancës parlamentare. “Kryesia vendosi t’i propozojë grupit parlamentar të PS-së për një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin pra PS do të jetë pjesë e Kuvendit, pasi shumica e tij me një mandat politikisht jo legjitim të konsiderojë dhe të plotësojë kushtet që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe me gjithë kuadrin e demokracisë dhe të garës demokratike në vendin tonë”, - vlerësoi Rama lidhur me një vendim të tillë. Kreu socialist vuri në dukje edhe një nga hapat që do të ndjekë kjo parti jashtë sallës parlamentare, që është një aksion shumëplanësh, duke përfshirë në të dhe manifestimet qytetare. Por kundrejt këtij qëndrimi, që tashmë është zyrtar, reagoi një nga përfaqësuesit e atij grupimi të njohur si kundërshtarë të kryetarit Rama, Ben Blushi. Në fjalën e tij deputeti socialist vuri në dukje se me një vendim të tillë nuk ishte dakord shumica e anëtarëve të kryesisë. Sipas tij, për më tepër që Rama nuk parashtroi asnjë kusht përmes të cilit kushtëzohet pjesëmarrja e grupit parlamentar të PS-së në Kuvend. “Një pjesë e madhe kryesisë ishte kundër bojkotit, pasi nuk është në dobi të PS-së, por vetëm për interesat personale të Ramës. Ai nuk na dha kushte, nëse duhet të hetojmë procesin, të hapim kutitë, apo të tjera, këto duhet të kërkohen vetëm në Parlament”, - deklaroi Blushi. Sipas tij, bojkoti është një kërkesë e Ramës për të negociuar me Berishën jashtë sallës së Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›