Opozita: Kuvendi të shqyrtojë katër kërkesat tona
Opozitarët presin përgjigje nga Kryeministri Sali Berisha për katër çështje të rëndësishme. Drejtuesit e grupit parlamentar më të madh të minorancës i bënë thirrje kreut të qeverisë që të marrë masa të përballet me katër kërkesa që ditën e sotme. Së pari kërkohet paraqitja e një raporti me shkrim për atë çka është cilësuar krim shtetëror i Gërdecit. Opozita duke ju referuar këtij momenti mendon se krimi ishte i joshur dhe i ushqyer nga korrupsioni marramendës i familjes biologjike dhe politike të kreut të qeverisë. "Së dyti, e presim për t‘ju përgjigjur në interpelancë për çështjen e deklarimit dhe mosdeklarimit të pasurisë së qeverisë së tij, ministrave, zëvendësministrave, deri të doganierëve", u shpreh nënkryetari i grupit parlamentar Erion Braçe. Argumenti tjetër për të cilin të majtët kërkojnë prezencën dhe seancë pyetjesh me Kryeministrin ka të bëjë me instalimin sipas tyre të sistemit antikushtetues të referencave në të gjithë ekonominë shqiptare. "Duke filluar nga çmimet e artikujve në doganë, për të përfunduar në numrin e punonjësve në gazeta apo mediave elektronike", vlerësoi Braçe. Së katërti, Kryeministri ftohet të japë sqarime për qëndrimin e qeverisë së tij, apo masat që ka marrë për numrin tejet të lartë apo ritmin tejet të lartë çdo ditë të vetëvrasjeve në Republikën e Shqipërisë. Në rendin e punës së Kuvendit për sot është paraqitur një mbledhje e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave. Aty pritet të diskutohet projektligji "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë". I ftuar do të jetë zëvendësministri i Financave, Florion Mima. Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ka në rend të ditës projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9734, datë 14.5.2007, "Për turizmin". Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka në rendin e ditës raportin e Komisionit të Shërbimit Civil. Ndërsa Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë diskuton në një mbledhje me organizata jofitimprurëse për projektligjin për barazinë gjinore.