Rama: PS propozon pakt për Shqipërinë

Rama dje gjate prezantimit të platformës pakt per shqiperine si gjithe europa
Kryesocialisti Edi Rama prezantoi dje platformën për tejkalimin e ngërçit politik. Të cilësuar si Pakt për Shqipërinë si gjithë Europa, gjatë një konference për shtyp dje në mesditë, në selinë rozë, Rama dha ofertën e PS për maxhorancën për një bashkëpunim konsensual për reformat në vend. Pakti i propozuar nga Rama vjen vetëm një ditë pasi deputetët e PS refuzuan të votojnë ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend, një pjesë e të cilave janë pjesë e 12 prioriteteve të BE-së për Shqipërinë. Në kushtet kur përsëri, një dështim i dytë për Shqipërinë po troket fatalisht në derë dhe kur përsëri e përsëri qeveria po tregon se nuk që do ta kuptojë çështë integrimi europian, sepse nuk është e interesuar për statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndjej detyrimin të bëj një sqarim të plotë publik dhe ta ftoj Grupin Parlamentar të paraqesë në Kuvend me shkrim vizionin tonë për procesin e nevojshëm për miratimin e ligjeve që kërkojnë konsensus, si dhe të angazhohet pa asnjë rezervë për një proces konsensual mbi një vizion të përbashkët integrues, u shpreh dje Rama. Në paktin e propozuar nga kryesocialisti dominojnë reformat që kërkohen prej kohësh nga opozita, si reforma parlamentare, reforma zgjedhore, reformë në institucione duke zgjedhur konsensualisht dhe me figura jashtë partive politike krerët e Avokatit të Popullit, KLSH dhe guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Kryesocialisti u shpreh dhe për ligjet që duan shumicë të cilësuar, duke kërkuar një rishikim të tyre në Komisionin e Ligjeve, ndërsa propozoi dhe ndërhyrje në Kushtetutë. Të biem dakord që kufizimi i imunitetit parlamentar nuk mund të jetë vazhdë e praktikave të deritanishme. Të hapim një tryezë për rishikimin e Kushtetutës, ku të përfshijmë Komisionin e Venecias, qoftë për kufizimin e imunitetit parlamentar, qoftë për ato çështje në interes kombëtar dhe publik që meritojnë të rishikojnë, u shpreh Rama. Kryesocialisti kërkoi gatishmëri të deputetëve për tu hetuar për ngjarjen e 21 janarit dhe vrasjen e deputetit Xhindi. Ti drejtohemi prokurores me një letër të firmosur nga të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare dhe deputetët për dy çështje: Së pari, zbardhjen e plotë të tragjedisë së 21 janarit duke ofruar mbështetje të plotë politike deri në ditën e fundit të mandatit të saj (përfshi këtu edhe vrasjen e deputetit Xhindi dhe kryekomunarit Veseli). Së dyti, të thërrasë të gjithë personat me imunitet parlamentar ose me detyra të tjera shtetërore që kanë rezultuar të përzier me botën e krimit dhe të korrupsionit, në dritën e publikimit të kabllogrameve më të rëndësishme të botës, u shpreh Rama.
10 PIKA
ka platforma e propozuar dje nga kryesocialisti në formën e Paktit për Shqipërinë si gjithë Europa, ku PS angazhohet se do të ndihmojë në zgjidhjen e krizës politike përmes votimit të reformave konsensuale me maxhorancën.
12 tetor
pritet të publikohet progres-raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë, ku do të mësohet nëse Shqipëria i ka plotësuar ose jo kushtet për të marrë ftesën e vendit kandidat për në BE.
Kryesia e Grupit Parlamentar miraton Paktin për Shqipërinë
Para se të bënte publik Paktin për Shqipërinë me 10 pika, kryesocialisti zhvilloi dje takimin javor me kryesinë e Grupit Parlamentar socialist dhe kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare. Kreu i Grupit Parlamentar, Ruçi, nënkryetarët Tahiri, Hysi, Shalsi dhe Braçe, sekretari Balla, kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias dhe Arsimit, Leskaj, por dhe Xhafaj, Dade, Beqja, Gjoni, Ruka, si nënkryetarë të komisioneve parlamentare, kanë bërë një analizë të punës njëjavore në komisionet ku ata bëjnë pjesë. Qëndrimi i deputetëve socialistë në këto komisione gjatë diskutimit të ligjeve që kanë kaluar gjatë javës që po mbyllet është analizuar, ndërsa është kërkuar të ketë më shumë bashkëpunim dhe koordinim para nisjes së komisioneve. Kryesia e Grupit Parlamentar dhe kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare janë njohur dhe me variantin përfundimtar të paktit që pritej të bëhej publik nga vetë kryetari Rama dje në mesditë. Edhe pse janë bërë disa korrektime të vogla, materiali ka marrë pëlqimin e drejtuesve të Grupit Parlamentar dhe drejtuesve të komisioneve parlamentare.
Pakt për Shqipërinë si gjithë Europa
1. Të votojmë konsensualisht rregullat e bashkëjetesës në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.
2. Të ngremë menjëherë një komision të përbashkët parlamentar ad hoc për të miratuar brenda muajit dhjetor reformën institucionale të Parlamentit, me asistencën teknike të OSBE-së.
3. Të vendosim me marrëveshje dypalëshe përfundimin e reformës zgjedhore brenda marsit të vitit 2012, bazuar në të gjitha rekomandimet e dy raporteve të fundit të OSBE/ODHIR-it, duke rënë dakord se çdo propozim i Partisë Socialiste për Kodin e ri Zgjedhor, që merr dritën jeshile të ODHIR-it dhe/ose Komisionit të Venecias, të miratohet me konsensus, si edhe të përfshijmë në procesin e kësaj reforme një ekspert me përvojë të sugjeruar nga ODIHR-i.
4. Të adresojmë me një proces konsensualisht të dakordësuar zgjedhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ku opozita ska asnjë pretendim tjetër përveç njohjes të së drejtës së saj për të propozuar 3 nga 9 anëtarët e rinj të këtij këshilli dhe të votojmë konsensualisht kandidatin e përzgjedhur në bazë të Kushtetutës nga Presidenti i Republikës për detyrën e guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë.
5. Të zgjedhim konsensualisht kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit në bazë të propozimit të Presidentit të Republikës dhe ti ofrojmë paraprakisht Presidentit një profil të parapëlqyer jo si emër, po si staturë publike, duke përjashtuar çdo kandidaturë që vjen nga dy partitë e mëdha apo ka qenë ndonjëherë anëtar i njërës prej tyre.
6. Të zgjedhim konsensualisht Avokatin e Popullit duke votuar bashkërisht për një figurë publike që nuk ka milituar në radhët e dy partive të mëdha.
7. Të ngarkojmë Komisionin e Ligjeve që brenda këtij sesioni të legjislaturës të trajtojë në bashkëpunim me një grup ad hoc konstitucionalistësh, si edhe me grupe ekspertësh vendas e të ftuar nga Bashkimi Europian, rast pas rasti, sipas fushave, ku duhet të përfshihen në një proces të hapur e plotësisht transparent për publikun edhe të gjitha grupet përkatëse të interesit, çdo çështje që lidhet me ligjet që kërkojnë 3/5 e votave të Kuvendit, qoftë ato që janë adresuar aktualisht, e qoftë ato që opozita do të kërkojë të adresohen për rrugën europiane të Shqipërisë. Mbi këtë bazë, të japim dakordësinë se do të votojmë çdo produkt të këtij procesi, i cili duhet të administrohet me të njëjtat parime të vlefshme për procesin e reformës zgjedhore: Bashkëdrejtim, konsensus për çdo çështje e nen mbështetur mbi kriterin themelor të përputhjes së legjislacionit tonë me standardet europiane dhe me moto pune rekomandimin e Bashkimit Europian se qeveria bashkë me opozitën kanë përgjegjësinë që, në mënyrë transparente dhe në respekt të plotë të Kushtetutës, të gjejnë zgjidhjet e nevojshme në rrugën e vendit drejt integrimit në BE.
8. Të biem dakord se kufizimi i imunitetit parlamentar nuk mund të jetë vazhdë e praktikës së gabuar pa konsultime publike dhe as asistencë ndërkombëtare të mirëfilltë që u ndoq nga të dy partitë e mëdha në momentin e ndryshimeve kushtetuese dhe të hapim një tryezë për rishikimin e Kushtetutës ku të përfshijmë Komisionin e Venecias, qoftë për kufizimin e imunitetit parlamentar, qoftë për ndërhyrjet në kushtetutë që lidhen me disa nga draftet e sotme të paraqitura nga qeveria në kë