E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PS të futet menjëherë në Kuvend

Tiranë, 23 Janar NOA Partia Socialiste duhet
të futë menjëherë në Parlament deputetët e saj, ishte thirrja që bëri sot në
mesditë, Lëvizja Socialiste për Integrim.

Luan Rama, Sekretar për Marrëdhëniet me
Publikun tha sot në nj dalje për mediat se LSI, jo vetëm me përgjegjësitë e një
force politike që është në qeverisjen e vendit, por edhe me seriozitetin dhe
angazhimet si një faktor i rëndësishëm në jetën politike të vendit e konsideron
dialogun politik në institucionet legjitime të vendit e pike së pari në Kuvend,
si hapin e domosdoshëm për zgjidhjen dhe kapërcimin e impasit politik dhe si
një shenjë të sjelljes evropiane të të gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë
parlamentarë.

Sfida e anëtarësimit të Shqipërisë në
Bashkimin Europian nuk është sfidë vetëm e mazhorancës qeverisëse. Ajo është
sfidë për gjithë shoqërinë shqiptare dhe padyshim, është në radhë të parë sfidë
për klasën politike të vendit, pra edhe për opozitën, - deklaroi Rama.

Në këtë kontekst, LSI e konsideron gjuhën
kërcënuese dhe ultimative si shprehje të krizës dhe të frikës së lidershipit
socialist për tu ballafaquar me alternative që i kontribuojnë të ardhmes
evropiane të vendit.

LSI e fton Partine Socialiste të distancohet
nga gjuha destruktive dhe tonet kërcënuese për marrjen e pushtetit me dhunë,
çka nuk ka qenë në natyrën e saj, dhe të zërë vendin që i takon në Kuvendin e
Shqipërisë si një opozitë civile dhe evropiane, - theksoi z.Rama.

Sipas tij, përmes dialogut politik në Kuvend
do të gjejmë së bashku zgjidhjen më të mirë të mundshme, dhe kështu do të
kontribuojmë realisht edhe për liberalizimin e vizave dhe garantimin e lëvizjes
së lirë të qytetarëve shqiptare në Bashkimin Europian, por edhe për realizimin
e të gjithë reformave të rëndësishme në funksion të anëtarësimit të vendit në
BE.

e.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›