E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Pa transparencë, vetëm protesta



Aristir Lumezi

Partia socialiste nuk do të tërhiqet nga kërkesa e saj për transparencë. Në përfundim të afatit dyjavor të lënë nga europianët për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës, kreu socialist Edi Rama tha se rruga e protestës mbetet e vetmja nëse nuk bëhet transparenca. "Përgjegjësia për zgjidhjen e krizës është e kryeministrit dhe vetëm e tij. Ne i kemi vënë në dispozicion zgjidhjes të gjitha fuqitë tona. Dhe askush nuk duhet ta harrojë se ajo çfarë kemi thënë qysh në krye të këtij procesi negocimi, me pjesëmarrjen e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të vendit tonë në mënyrë të drejtpërdrejtë, që ne nuk tërhiqemi nga kërkesa jonë, dhe se rruga e protestave mbetet e hapur në rast se pala tjetër nuk do pranojë zgjidhjen është sigurisht në fuqi. Por është shumë e rëndësishme të kuptohet në momentin që flasim se këtu nuk kemi të bëjmë me një përgjegjësi të opozitës në rast se sot vazhdojmë të kemi një qeveri dhe një kryeministër që e bëjnë veshin shurdh ndaj nevojës për të zgjidhur krizën, por kemi të bëjmë me përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të tijën, në rast se kriza nuk zgjidhet dhe kjo rëndon drejtpërdrejtë Shqipërinë dhe shqiptarët. Një përgjegjësi për të cilën sigurisht do të rritet nevoja e llogarikërkimit ndaj kryeministrit dhe do të rritet edhe domosdoshmëria e llogaridh-ënies nga ana e tij", u shpreh Rama dje gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në selinë rozë. Transparenca për kreun socialist mbetet kushti që do të çojë në zgjidhjen e krizës politike në vend. "Pa zgjidhjen e krizës problemet me demokracinë dhe ekonominë vetëm përkeqësohen dhe përgjegjësia bie mbi Berishën", tha Rama. Në përfundimin e afatit dy javor të ndërkombëtarëve të vendosura në mbrëmjen e 20 marsit në tryezën e Strasburgut për zgjidhjen e krizës Rama komentoi se "vendi nuk është në një periudhë lufte me afate që në momentin e përfundimit prodhojnë ndonjëherë efekte bombarduese. Por jemi në një proces ku janë përfshirë ndërkombëtarët dhe është vendosur një afat për të gjetur një zgjidhje dhe është i lidhur me procesin e integrimit dhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE e PE dhe komunitetin ndërkombëtar. Rama nënvizoi se "kriza nuk është zgjidhur por përkeqësuar" dhe përsëriti apelin ndaj kryeministrit Berisha për të dëgjuar ndërkombëtarët, për të gjetur zgjidhjen.
Ai përsëriti se PS nuk dëshiron që kriza politike të kushtëzojë procesin e liberalizimit të vizave dhe qëndrimin e tij e ka dërguar tek ndërkombëtarët si me shkrim edhe me gojë sepse kutitë e mbyllura nuk duhet të mbyllin vizat. Sepse, për ne, lëvizja e lirë nuk duhet penguar në asnjë mënyrë më tutje siç është penguar për shkak të keqqeverisjes.
Turi
Kreu socialist nisi dje një tur në qytetet kryesore të vendit ku do të zhvillojë takime me strukturat socialiste përmes të cilit do të sqarojë pozicionin e PS pas grevës së urisë, por dhe të falënderojë të gjithë pjesëmarrësit në këtë grevë. Dje Rama ishte në Berat ku shfrytëzoi rastin dhe për të shuar qejf mbetjet mes deputetëve socialistë të këtij qarku, Fidel Ylli dhe Erion Braçe, të cilët akuzuan njëri-tjetrin gjatë dhe pas kongresit të PS. "Në këtë fazë ne jemi përpara zgjedhjeve në partinë socialiste, për strukturën e rrethit. Përpara këtij procesi ne duhet të tregojmë një kulturë të madhe se jemi brenda një partie. Ti lemë mënjanë qejf mbetjet dhe të bashkohemi ashtu siç jemi të bashkuar. Me këtë bashkim ne i treguam Berishës se Partia Socialiste është një forcë e madhe për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve", u shpreh Rama dje në Berat. Në këtë takim Rama përgëzoi grevistët nga ky qytet që morën pjesë në grevën e urisë zhvilluar përpara godinës së Kryeministrisë. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë deputeten Ermonela Felaj e cila sipas tij "ka treguar një vendosmëri të madhe për ta çuar deri në fund grevën e urisë. Ajo nuk u përkul edhe ndaj presioneve të bëra nëpërmjet mesazheve të celularëve të kundërshtarëve".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›