E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Pagën mesatare e kishim rreth 300 euro, sot e kemi 848 euro

TIRANË, 6 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste bëri të ditur sot se Shqipëria rrezikonte kolapsin e sistemit bankar me kreditë e këqija që arrinin në 25% kur PS mori detyrën, ndërsa sot kanë zbritur në 4%.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama iu përgjigj një komentueseje e cila shprehet se realiteti i Shqipërisë është krejt ndryshe nga sa thuhet.

“Janë totalisht të zhytur në kënetë, të dhënë pas kënetës totalisht, të verbuar nga këneta. Për cilin realitet po flet, për realitetin e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar që e kishim më pak se 10 miliardë euro, e kemi mbi 25 miliardë euro dhe do ta çojmë 35 miliardë euro në Shqipërinë 2030”, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri theksoi se “kemi realitetin e pagave që pagën mesatare e kishim poshtë 300 e kusur euro dhe sot e kemi 848 euro”.

Duke folur për borxhin publik, Rama tha se e gjetëm si një lak në fyt që rrezikonte të na zhyste poshtë dhe sot e kemi minimizuar.

“Apo që i kishim kreditë e këqija 25% dhe ishim pranë kolapsit të sistemit bankar dhe sot i kemi 4%. Cilin realitet?”, iu drejtua Rama, komentueses.

Kryeministri theksoi se është një realitet në ndryshim të vazhdueshëm, me probleme nuk diskutohet por sipas tij, prandaj PS do të marrim mandatin e katërt, sepse ka probleme për të adresuar. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›