Rama: "Për 2010-ën Berisha na la trashëgim krizën"
Autori i Lajmit: RedaksiaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka përshëndetur Asamblenë Kombëtare të Socialistëve, e cila analizoi dje situatën ekonomike në vend. Pasi bëri një përmbledhje të gjatë të situatës në vend në të gjithë sektorët, shëndetësi, ekonomi, arsim, bujqësi, Rama akuzoi se përgjegjës është kryeministri i papërgjegjshëm Sali Berisha, që shtoi pasojat e krizës duke shtuar borxhet dhe duke lënë vendin në errësirë pa marrë asnjë masë antikrizë. “Viti 2010 do të jetë viti i përshfaqjes së plotë të krizës ekonomike në Shqipëri, të cilën ne e kemi parlajmëruar, por këmbana jonë dhe e ndërkombëtarëve nuk u dëgjua nga qeveria. Viti 2010 do të jetë viti i pagesës së faturave të papërballueshme që po ia lë trashëgim kjo qeveri. Viti 2010 do të jetë një vit i krizës ekonomike e projektuar me kohë me rritje ekonomike pa prodhim të qeverisë”, - tha ai. Rama bëri të ditur se sa është shtrirë kriza në vend, por edhe në çmënyrë u kanoset kjo krizë familjeve shqiptare për vitin 2010. Rritja e çmimit të energjisë, zhvleftësimi i lekut, ulja e dërgesave të emigrantëve, toka e papunuar dhe braktisja e fshatit, mosrritja e pensioneve, etj., ishin disa nga problemet që Rama ka ngritur para anëtarëve të Asamblesë së partisë së tij. Sipas kreut të socialistëve, qeveria me familjen kryeministrore dhe etjen për pushtet risjell para ndërkombëtarëve vetëm shifra të manipuluara. Në analizën e gjatë, Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se kriza ekonomike po kanos çdo ditë e më shumë shqiptarët. “Duke fshehur varfërinë e duke shtuar taksat, qeveria po shkurton ndihmën ekonomike. Ndërkohë që invalidët prej muajsh nuk marrin pagat e tyre”,- theksoi Rama. Ndër të tjera, ai shtoi se Partia Socialiste do të paraqesë një rezolutë për masat që duhet të merren gjatë vitit 2010. Ai ka përmendur disa faktorë që, sipas tij, tregojnë se ekonomia shqiptare është në krizë. “Kjo nuk është një krizë e ngjashme me krizën kapitaliste ndërkombëtare. Kriza shqiptare e ekonomisë është kriza e një demokracie pa konkurrencë”,- tha më tej kreu socialist. Ai i ka kërkuar kryeministrit Sali Berisha që të luftojë monopolet, para se ato të fundosin ekonominë",- u shpreh Rama. Mes të tjerash, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë fjalës në Asamblenë Kombëtare, paralajmëroi ngritjen e Këshillit Kombëtar Ekonomik të PS-së. “Ky këshill do të mbledhë të gjithë ekonomistët e grupit tonë parlamentar dhe më gjerë, dhe do të mbështetet nga përfaqësues të shoqërisë civile, me të cilët bashkarisht do të përditësojmë të dhënat tona rreth situatës ekonomike në vend”,- tha Rama.
Ky lajm është publikuar: 17/12/2009