Administrata, 100 deri në 150 mijë lekë shpërblim
Autori i Lajmit: E.DShpërblimi për punonjësit e administratës do të ndahet sipas të ardhurave mujore. Referuar vendimit të djeshëm të qeverisë shpërblimi për punonjësit që marrin paga të ulëta do të jetë në masën 15 mijë lekë të reja dhe 10 mijë lekë të reja për atë pjesë të administarës që trajtohen me paga më të larta. Në total fondi që do të shkojë për shpërblimet e festave të fundvitit kap shifrën e 15 milionë dollarëve. Kryeministri Berisha bëri të ditur dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se qeveria do të mundësojë shpërblimet e fundvitit për pensionistët dhe punonjësit e institucioneve buxhetorë. Më tej kryeministri u shpreh se pavarësisht disa vështirësive, të cilat nuk mund të shpërfillen si kriza nga njëra anë dhe rritja e e parakohshme e rrogave, Ministria e Financave pas një shqyrtimi të kujdesshëm të burimeve ia ka dalë të sigurojë një fond prej 15 milion dollarësh, nga i cili do të bëhet i mundur shpërblimi prej 25 mijë lekësh të vjetra për pensionistët, që do të shpërndahet brenda këtyre ditëve. “Nuk mund të injorohen vështirësitë e krijuara nga kriza nga njëra anë dhe nga fakti tjetër se për shkak të zgjedhjeve në mënyrë që të mos mund të lidhej rritja e rrogave dhe pensioneve me votën, ne u detyruam kësaj radhe të avanconim dy muaj para, rritjen e rrogave dhe pensioneve. Pra normalisht rritja bëhet një herë në vit dhe i takonte që të fillonte në një korrik. Këtë vit për të ruajtur etikën në raportin e pagave me zgjedhjet ne u detyruam ti japim dy muaj para. Së dyti, rritja e këtij viti është rritja më e madhe në historinë e vendit , me një faturë të fuqishme ndërkohë kur në vende të tjera rrogat për shkak të krizës pësuan rënie nga 6 në 12 dhe 14 %. Pavarësisht nga kjo situatë ministria e Financave pas një shqyrtimi tërësor të burimeve ia ka dalë të sigurojë 15 milion dollarë si shpërblim për pensionistët dhe këto do të jenë 25 mijë lekë për pensionist.” Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se janë jo të pakta vendet, të cilat këtë vit nuk do të shpërndajnë shpërblime në fundvit, apo vende të tjera ku kjo shumë do të jetë 12 euro dhe do të jepet në muajin janar.
Kryeministri gjithashtu përgënjeshtroi zërat se qeveria ka bllokuar pagat për zyrtarët, duke bërë të ditur se Ministria e Financave ia ka dalë të garantojë shpërblimin e fundvitit për punonjësit e administratës, shpërblim, i cili për rrogat e ulëta të administratës do të jetë 150 mijë lekë dhe për rrogat e tjera 100 mijë lekë. “Dua të theksoj se nuk ka as edhe një zyrtar të vetëm të të gjithë piramidës shtetërore të vendit që nuk ka marrë rrogën. Ky është një mashtrim i bazuar në gënjeshtrën. Buxheti ka disponuar të gjithë shumën e nevojshme për pagat, pa asnjë lloj mëdyshje. Buxheti, Ministria e Financave ia kanë dalë gjithashtu të garantojnë shpërblimin e fundvitit për punonjësit e administratës, shpërblim i cili për rrogat e ulëta të administratës do të jetë 150 mijë lekë dhe për rrogat e tjera do të jetë 100 mijë lekë. Edhe ky do të shpërndahet në harkun kohor të ditëve që vijnë. Nuk shtyhet për në janar. Qeveria nuk ka bllokuar asnjë pagë, por qeveria ka pranuar të respektohen afatet ligjore në dhënien e pagave. Kështu që nuk ka asnjë punonjës që nuk e ka marrë pagën. Të gjithë do të marrin pagën në janar siç duhet. Shpërblimin do ta marrin gjatë këtyre ditëve në mënyrë që të mund të festojnë vitin e ri më mirë në shtëpitë e tyre. Pra ky është një dekret që ne miratojmë dhe në mënyrë që ai të hyjë në fuqi menjëherë dhe të mund të lëvrohet kartolina e vitit të ri që qeveria u dërgon pensionistëve dhe qytetarëve,” përfundoi Berisha.
Ky lajm është publikuar: 17/12/2009