E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset, ndryshojnë rregullat për gjobat dhe kontrollet

Autori i Lajmit: RedaksiaAdministrata tatimore do te ketë më tepër kompetenca në kontrollet dhe hetimet që do të bëjë ndaj bizneseve private, por dhe ndaj punonjësve të saj që abuzojnë me detyrën.

Kontrollet

Qeveria ka vendosur që me anë të disa ndryshimeve dhe modifikimeve që do ti bëhen ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ti jepet më tepër hapësirë organeve tatimore për kontrollet si ndaj subjekteve private ashtu dhe ndaj strukturave të vet administratës. Ndryshime të tjera që i janë bërë këtij ligji kanë të bëjnë edhe me mënyrën se si do të bëhet regjistrimi i subjekteve private pranë organeve tatimore, proces i cili do të jetë vetëm në rrugë elektronike. Po kështu ndryshimet parashikojnë dhe gjoba apo sanksione të tjera administrative dhe penale për të gjithë ata subjekte që fshehin në forma të ndryshme deklarimin e të dhënave te organet tatimore. Në ligj janë përcaktuar dhe rregulluar edhe format e vendosjes së gjobave nga ana e tatimorëve, si dhe mënyra se si do të paguhen ato.

Ligji

Në ligjin “Për procedurat tatimore” rregullohet dhe forma e regjistrimit të personave që ushtrojnë veprimtari tregtare dhe jo tregtare. Ligji përcakton se: “Për personat, të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulant dhe kryefamiljari, që punëson persona si punëtorë shtëpie, regjistrimi për pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore ose çregjistrimi i tyre kryhet nga organet tatimore, sipas një procedure të veçantë, të përcaktuar me udhëzim të ministrit të Financave”. Këshilli i Ministrave përcakton edhe afatet kohore për dorëzimin e deklaratave tatimore e të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike”. Shuma e detyrimit tatimor, e detyrueshme për tu paguar, sipas deklaratës tatimore, me vlerë deri në 100 (njëqind) lekë, vlerësohet si detyrim me vlerë zero dhe për shuma të tilla nuk bëhet vlerësim tatimor nga administrata tatimore”.

Punë te tatimet apo
doganat, ngrihet akademia

Këshilli i Ministrave miratoi dje ngritjen e një Akademie të posaçme për të trajnuar punonjësit e tatimeve dhe doganave. Akademia do të ketë selinë në Tiranë dhe siguron formimin profesional të administratës tatimore dhe doganore, i cili përfshin trajnimin: në periudhën e provës; për zhvillimin e karrierës; për përshtatje profesionale, në rastet e ndryshimit të kërkesave të vendit të punës, sipas ligjeve të fushës; me karakter të posaçëm për kryerjen e detyrave të veçanta; për zhvillimin e njohurive profesionale. Kjo akademi do të drejtohet nga Drejtori dhe Bordi, i cili ndër të tjera ka për detyrë një herë në vit, të miratojë tarifat për kurset e trajnimit bazë në administratën tatimore ose doganore, për personat që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtyre administrative; për trajnimin e personave, që janë në periudhë prove; e tjera për kurset fakultative; Miraton kriteret shtesë, që duhet të plotësojnë trajnuesit; Miraton statutin dhe rregulloren e brendshme të Akademisë.

Ky lajm është publikuar: 17/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›