E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta e PS: "Jemi në krizë, të vijë FMN"

Autori i Lajmit: RedaksiaPartia Socialiste i bën thirrje Qeverisë shqiptare të marrë masa për krizën ekonomike. Kjo ishte në fokusin e mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së të organizuar dje. Në një diskutim për rreth 3 orë me radhë, personalitete të shumta të fushës ekonomike të PS-së kanë shpjeguar me detaje situatën ekonomike në të cilën ndodhet vendi, duke nisur nga kriza e energjisë, monopolet, pasojat e krizës në shoqëri, përdorimi i pushtetit për interesa personale etj. Me radhë 10 anëtarë të Asamblesë bënë një panoramë të situatës dhe më pas prezantuan dhe zgjidhjen, çka u përfshi në rezolutën e miratuar në fund të këtij takimi. Rezoluta e miratuar me unanimitet të plotë i apelon Qeverisë marrjen e një sërë masash urgjente mbi të gjitha në fushën e politikave fiskale, politikave monetare dhe në fushën e politikave të përgjithshme qeveritare. Në rezolutë socialistët kërkojnë kthimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërkohë që theksojnë se Shqipërisë i nevojitet një ekonomi funksionale tregu, e aftë ti bëjë ballë konkurrencës pa kufij. Asambleja e PS-së ka miratuar dhe ngritjen e një Këshilli Ekonomik Kombëtar të PS-së, ku bëjnë pjesë Ermelinda Meksi, Shkëlqim Cani, Erjon Braçe, Adriana Berberi dhe Ilir Beqja. Në takimin e djeshëm kanë qenë të pranishëm dhe anëtarët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, Arben Malaj, i cili ishte dhe referues për një nga çështjet e diskutuara, Ben Blushi dhe Marko Bello.

Rezoluta

Në rezolutën e miratuar nga socialistët theksohet se viti 2009 po mbyllet me një frenim të përgjithshëm të ekonomisë dhe një rritje negative ekonomike. Sipas tyre, Qeveria, krejtësisht e paaftë të menaxhojë ekonominë dhe financat e vendit, është përgjegjësja kryesore për këtë situatë alarmante. “Deficiti buxhetor, borxhi publik, si dhe kostoja e borxhit janë rritur me papërgjegjshmëri, duke rezultuar me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale”, - thuhet më tej në këtë dokument. Aty shtohet se biznesi e bankat ballafaqohen me mungesa serioze likuiditeti, ritmet e kreditimit kanë rënë në zero ndërkohë që kreditë e këqija janë dy dhe trefishuar. Përballë kësaj gjendjeje, sipas PS-së, Qeveria, jo vetëm nuk ndien shqetësim, por përpiqet me kokëfortësi ta fshehë realitetin duke manipuluar shifrat, rritur arbitraritetin dhe masat represive ndaj biznesit, refuzuar ndihmën e institucioneve të specializuara ndërkombëtare, duke e futur vendin në një spirale krize gjithnjë e më të rëndë dhe duke thelluar varfërinë në mënyrë galopante. Në këto kushte, PS propozon të garantohet pasqyrimi i vërtetë dhe transparencë e treguesve ekonomike e financiare të vendit, të ftohet menjëherë Fondi Monetar Ndërkombëtar për nënshkrimin e një marrëveshjeje të posaçme me Shqipërinë dhe të kërkohet mbështetje financiare për daljen nga kriza, të bëhen korrigjime të menjëhershme të vendimeve të marra që prekin pavarësinë e pushtetit lokal, por dhe biznesin e vogël që e klasifikojnë si të madh si dhe të bëhet distancimi i pushtetit nga monopolet që, çdo ditë e më shumë, po e fusin ekonominë shqiptare në rrugën e tkurrjes. Socialistët propozojnë të garantohet mbrojtja ligjore e pronës private dhe respektimi i titujve të pronësisë si dhe të rishikohet vendimi për rritjen e çmimit të energjisë. Ata propozojnë dhe rishikim të buxhetit, madje, propozojnë dhe një ulje të përkohshme 12–18- mujore e taksave mbi biznesin e rrezikuar nga kriza për të stimuluar aktivitetin e sipërmarrësve si motori më i shpejtë ekonomik i vendit. Ata i propozojnë dhe Bankës së Shqipërisë të ulë normën e interesit dhe të mbështesë monedhën vendase.

Manjani: "PS është kthyer në një OJQ"

Juristi socialist Ylli Manjani ka kritikuar punimet e djeshme të Asamblesë Kombëtare të PS-së. Ai pohoi se Partia Socialiste është kthyer në një OJQ. “U vërtetua sot me diskutimet e mërzitshme dhe të tejzgjatshme, të tipit OJQ të modelit të vjetër, ku nuk u tha asgjë e re në thelb, nuk u dha asnjë zgjidhje nga shqiptarët. Ndërkohë që sot nga Partia Socialiste të paktën unë prisja se çfarë do të bëjmë për të pastruar politikën, në mënyrë të veçantë PS, nga biznesmenët dhe për tia kthyer partinë biznesit. Prisja sot për të diskutuar se çfarë do të bëjmë për të bashkuar të majtën dhe për të bashkuar forcat se si do të vijnë në pushtet dhe jo për të diskutuar pafundësisht për tema të vjetra që nuk na çojnë asgjëkundi. Nga kjo pikëpamje, jam shumë i zhgënjyer të shoh sot të konfirmuar parashikimin tim që kjo parti është kthyer përfundimisht në OJQ”, -pohoi Manjani. Për fatin e keq, sipas tij, Asambleja Kombëtare nuk dha një opsion, as nuk ka ndërmend kush të japë një opsion se si do të vihet në pushtet, kërkohen zgjedhje të parakohshme, por askush nuk e di se si do të bëhen zgjedhjet e parakohshme. “Kërkohet të rrëzohet qeveria, por askush nuk thotë se si do të bjerë qeveria. Kutitë u harruan, nuk e di për çfarë arsyeje. Nga kjo pikëpamje them që edhe kjo mbledhje vërtetoi zhgënjimin tim”, - përfundoi ai.

Ky lajm është publikuar: 17/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›