Rama: Përgjegjësitë e rezultatit do bëhen në kohën e duhur, prioritet zgjedhjet
Kreu socialist Edi Rama ka reaguar dje për herë të parë edhe në lidhje me qëndrimet e disa zyrtarëve të lartë socialistë mbi nxjerrjen e përgjegjësive para zgjedhjeve. Rama deklaroi dje se ai, në cilësinë e kryetarit të kësaj partie nuk e kishte luksin të merrej me këto qëndrime pa çuar deri në fund përgjegjësinë e tij për garantimin e procesit. “Unë jam Kryetar i Partisë Socialiste, e cila nga zgjedhjet e 28 qershorit doli forca më e madhe në vend. Unë i kam të qarta detyrimet dhe radhët e punës time. Sot detyrimi dhe radha e punës kërkon që unë dhe Partia Socialiste të jemi në këtë pozicion, qartësisht të vendosur dhe të hapur përpara publikut, për të mos lejuar që ajo që ndodhi në 28 qershor, të përfundojë me grabitjen e mandateve tona dhe me asgjësimin e një të drejte që ne na i jep Ligji Zgjedhor. Të tjerët mund të nguten, por mua kjo nuk më lejohet”, deklaroi dje Edi Rama. Pas Edlira Haxhiymerit, tashmë janë eksponentët Ben Blushi e Arben Malaj që kërkojnë largimin e Edi Ramës nga drejtimi i PS-së, si përgjegjësi kryesor për humbjen e së majtës në zgjedhje. Malaj shkon edhe më larg dhe kandidohet për të drejtuar një projekt përbashkues të socialistëve, i cili do të mund ta drejtonte atë edhe gjatë katër viteve të opozitës Blushi u shpreh se Edi Rama duhet të pranojë humbjen dhe t’u shpjegojë socialistëve, se cila ishte arsyeja që nuk e solli në pushtet, partinë më të madhe opozitare në vend. Ai shtoi gjatë një interviste në media për këtë çështje. se çdo përpjekje për ta nxjerrë opozitën jashtë parlamentit, siç ka paralajmëruar Edi Rama, do të ishte një vetëvrasje për PS-në. “I kam kërkuar Edi Ramës të pranojë humbjen dhe pres që kjo të kryhet me dinjitet, pasi tani nuk bëhet fjalë për karrierën e secilit prej nesh, por për fatin e opozitës, e cila duhet të konsiderohet si garant i lirisë në çdo vend demokratik. Prandaj opozita duhet të priret nga e vërteta dhe jo nga mohimi i saj për qëllime meskine”, ka deklaruar Blushi. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kandidati për deputet i PS-së, Arben Malaj, i cili i bën thirrje Ramës që të japë dorëheqjen, duke respektuar kështu edhe rotacionin, të cilën e ka kërkuar edhe vetë si kusht. Malaj u shpreh se humbja e PS në zgjedhje, erdhi për shkak të strategjive të gabuara të Edi Ramës dhe ndaj ai është përgjegjës për dështimin. Ndërsa, Sekretarja për Shanset e Barabarta dhe Shoqërinë Civile në Partinë Socialiste Edlira Haxhiymeri vëren se humbja e politikës së re në zgjedhjet e 28 qershorit ka nevojë për një analizë të gjatë në struktura, pas shpalljes së rezultatit zyrtar. Megjithatë, sipas saj, gabimet në trajtimin e programit qeverisës dhe lënia e kandidatëve nën hijen e kryetarit Edi Rama ndikuan negativisht përkundrejt elektoratit.
20 Korrik 2009