Ibrahimoviç kundër Ronaldos, "Topi i Artë" në mes
Dy "Topa të Artë" (të mundshëm) do të sfidohen këtë të shtunë në Stokholm, qyteti i çmimit "Nobel", në ndeshjen Suedi-Portugali, takim shumë i rëndësishëm, në kuadër të kualifikueseve të "Botërorit 2010" (gjyqtar italiani Rozeti). Për Zllatan Ibrahimoviçin është rasti i fundit që të zbresë nga froni parisien Kristiano Ronaldon, superfavorit në garën për trofeun më të famshëm të Europës. Portugezi ka fituar Championsin dhe në Europian ka pasur një rendiment më të mirë, në krahasim me Ibrën, i skualifikuar që në ndeshjet në grup, aty ku lusitanët luajtën në çerekfinale me Gjermaninë. Suksesi në Champions është në vetvete një siguri për një vëmendje speciale nga ana e jurisë së "France Football"-it. Nëse pastaj përfshihet edhe fitimi i Premier Ligës dhe buja e madhe e shkaktuar nga Mançester Junajted në botë, për Ibrën, që ka fituar "vetëm" titullin në Itali, fati duket i shënuar: duhet të shpresojë për vitin e ardhshëm, predikojnë ekspertët, duke shpresuar që Interi në këtë Champions të shkojë deri në fund.
MAGJITË - Duhet të jetë patjetër kështu, por, ndërkohë, sulmuesi zikaltër sapo ka shënuar një gol në akrobaci, që ka qarkulluar ditët e fundit në gjithë botën. Nëse në takimin direkt të Stokholmit do të bëjë magji të tjera, aq sa ta lërë në hije mitin Ronaldo, kush e di nëse mund të fitojë besimin e atyre anëtarëve të jurisë ende të pavendosur, që zakonisht kanë shumë dyshime. Pavarësisht nga objektivat personale të dy lojtarëve më të famshëm, kjo përballje në Grupin 1 ka, nga ana tjetër, një rëndësi domethënëse për fatet respektive të të dyja kombëtareve. Është ndeshja e tretë e grupit (sikundër dhe për të tjerët): Suedia ka marrë një barazim në Shqipëri dhe një fitore në shtëpi ndaj Hungarisë. Portugalia vjen nga një humbje e papritur ndaj Danimarkës në shtëpi, kandidatja e tretë për kryesimin e grupit. Në vijimësi, trajneri portugez Karlos Keiroz duhet të marrë së bashku, të paktën katër pikë mes Suedisë dhe Shqipërisë, me të cilën do të luajë të mërkurën, më 15 tetor, në Oporto. Është për t'u theksuar që Shqipëria është surpriza e këtij fillimsezoni në kualifikueset e "Botërorit 2010", duke grumbulluar katër pikë, si Suedia dhe Danimarka.
RIKTHIME - Atëherë, ja tek rikthehen Kristiano Ronaldo dhe Kuarezma, të cilët nuk ishin në mbrëmjen "përmbysëse" të Lisbonës ndaj Poulsenit me shokë. Është edhe i riu i Leçes, Antues, dhe Dani, ylli i Zenitit të Shën Pjetërburgut, përfshirë dhe lojtarët e tjerë të ardhur nga Europiani. Është një grup shumë i fortë në letër. Kuarezma, i cili ndodhet në stërvitjen portugeze, pas ndeshjes së fundit me Interin, nuk fshihet: "Jam shumë i kënaqur për këtë grumbullim; e prisja, pasi kam luajtur me vazhdimësi. Do ta marrim veten pas "rrëshqitjes" me Danimarkën".
MJALTI - Edhe Ronaldo e ka nënvizuar rikthimin në kombëtare me fraza të ëmbla: "Është e mrekullueshme të jesh sërish këtu, të marrësh frymë në stërvitjen e kombëtares. Keirozit i kërkova të më lërë të punoj shumë, kemi para dy ndeshje vendimtare dhe do të përpiqemi të marrim 6 pikë. Jam optimist, sepse vlera individuale është e shkëlqyer". Ibra ka dy ditë që ndodhet në Stokholm dhe që dje është bashkuar me shokët në stërvitje. Në kombëtare nuk ka ndonjë raport të mirë me golin (dy gola edhe në Europian), por edhe pse prej kohësh ka sqaruar disa mosmarrëveshje me trajnerin Lagerbak, përshtypja është që me Interin ndihet si në shtëpi, më shumë sesa kur ndodhet me skuadrën suedeze. Ndoshta është çështje partnerësh.