Titujt e pronësisë, Golemi në verifikim total
Të gjitha tokat që shtrihen për gjatë gjithë vijës bregdetare Durrës-Kavajë do t’i nënshtrohen kontrollit. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, gjatë një prononcimi mediatik, ku dhe ka theksuar se vetë ligji i ri “Për Titujt e Pronësisë” i jep prioritet verifikimit të procesit të shpërndarjes së tokave kryesisht në zonat me përparësi për zhvillimin e turizimit. Nisur pikërisht nga ky përcaktim, zona e “mbipopulluar” me ndertimet e Golemit do të jetë në qendër të këtij aksioni ligjor. Sipas prefektit pavarsisht nëse do të ketë ankesa apo jo nga qytetarë të ndryshëm, verifikimi i titujve të pronësisë së kësaj zone do të jetë prioritet i grupit të punës që tashmë pritet të nisë dhe punë në terren. “Zonat ish-toka bujqësore dhe zonat me përparësi turizmin siç është zona e Kavajës do të rishikohen nga e para në mënyrë totale”, - u shpreh prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi. Sipas tij me anë të këtij verifikimi pritet ti jepet fund të gjitha abuzimeve që janë kryer me tokat në këtë zonë që për shkak të zhvillimit të turizmit ka marrë një vlerë shumë të madhe financiare. Keçi bën të ditur se ndërsa për zonën bregdetare kontrolli do të jetë total, përsa i përket zonave me toka bujqësore kontrolli do të bëhet vetëm në bazë të ankesave që do të bëjnë individë të ndryshëm për çdo rast konkret. Megjithatë ai ka qetësuar të gjithë fermerët e qarkut të Tiranës se çdo vendim që do të merret nga komisioni i verifikimit të titujve të pronësisë do të jetë i apelueshëm në gjykatë, e cila mund të japë edhe verdiktin përfundimtar në lidhje me rregullsinë e një pronësie toke të shpërndarë me anë të ligjit 7501 dhe akteve të tjera ligjore. Ndërkohë dy ditë më parë Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit ka njoftuar se gjatë këtij muaji do të nisë procesi i zbatimit të ligjit në terren, ndërkohë që nuk janë ngritur ende komisionet e verifikimit të titujve të pronësisë, qoftë në rang qendror ashtu edhe në atë lokal.
Sipas titullarit të kësaj ministrie, Jemin Gjana, ky proces është drejt konkludimit dhe se shumë shpejt do të nisë verifikimi në terren. Objekt i këtij ligji do të jenë afro 400 mijë tituj pronësie, ndërsa në rastet kur do të rrezultojnë toka të marra padrejtësisht dhe në kundërshtim me ligjet me anë të cilave është bërë shpërndarja e tyre parashikohet të goditet apo të penalizohen vetëm individët e parë që kanë përfituar në mënyrë të paligjëshme, ndërsa përjashton nga kjo përgjegjësi të gjithë ata persona që e kanë blerë apo tjetërsuar pronësinë e kësaj toke. Kështu, në bazë të ligjit përfituesi i parë që ka përvetësuar tokë në mënyrë të paligjëshme, në rast se do të kërkojë që ta mbajë përsëri tepricën e tokës së marrë, do të detyrohet t’i paguajë shtetit dëmin e shkaktuar për çdo metër shtesë bazuar në çmimet aktuale të tregut.