Të kuqtë në kor: “Me Shkumbinin bëjmë kthesën”
"Është koha të bëjmë kthesën". Ky është mesazhi i lëshuar nga mesfushori sulmues i Partizanit e Kombëtares shqiptare, Elis Bakaj, 24 orë përpara ndeshjes me Shkumbinin. Partizani renditet i fundit pas 8 javëve kampionat, ndërsa rivali i tij i ditës së shtunë, Shkumbini, ka shtatë pikë më shumë (12).
DURO - Në prezantimin e tij si trajneri i ri i Partizanit (në fakt është në një rikthim pas gjashtë vitesh), Shpëtim Duro tha qartë: "Ky Partizan nuk e meriton vendin e fundit dhe grupi ka forcë për të dalë nga gjendja aktuale". Tani pas pesë ditësh në krye të 15-herë kampionëve, ndihmësi i ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare, kroatit Oto Bariç, ka krijuar përfytyrimin e tij për skuadrën. Fitorja në Tepelenë e ka ngrohur Duron, por "Shpëtimi" i Partizanit pret nga skuadra reagimin e parë serioz në Kampionat. "Kam parë impenjim maksimal të skuadrës në stërvitje dhe tashmë pres reagimin të shtunën kundër Shkumbinit, sepse ai është një test i rëndësishëm për vetë situatën e skuadrës. Pres nga skuadra seriozitet dhe të luajë futboll". Nëse Partizani është ekipi i vetëm që nuk ka mundur të fitojë në shtëpi gjatë tetë javëve të para, Shkumbini, së bashku me Bylisin, janë dy skuadrat e vetme që nuk kanë fituar në transfertë.
BAKAJ - Ndeshja e fituar thellësisht në Tepelenë (5-1) për Kupën e Shqipërisë e ka ngrohur ambientin në shtëpinë e kuqe. Jemi të gjithë të mobilizuar, - tha Bakaj, - unë kam besim se do të bëjmë kthesën e madhe këtë javë për të marrë trepikëshin. Bakaj pati një dëmtim të lehtë dje dhe fizioterapisti i njohur Perli Rusi po kujdeset në mënyrë të posaçme për ta rikthyer në gjendjen optimale Bakajn, i cili është në kërkim të golit të parë në Superligë për këtë edicion.
BRAZILIANËT - Bruno është i vetmi nga tre futbollistët brazilianë që ka shënuar në kampionat (1 gol kundër Tiranës), por në Kupën e Shqipërisë, Roma realizoi dy të tillë (kundër Tepelenës). Treshja braziliane - Roma, Bruno e Kastelani, - duket se e ka rigjetur veten në kondicionin fizik e për ta fjalë të mira ka thënë edhe trajneri i ri Shpëtim Duro.
MUNGESAT
Në takimin kundër Shkumbinit, Partizani do të ketë dy mungesa të rëndësishme, mbrojtësit Fatjon Tafaj e Viktor Gjyla. Gjithsesi, edhe një lajm i mirë vjen nga kampi i "demave". Mbrojtësi i krahut të majtë Rrahman Hallaçi do të jetë në fushë kundër Shkumbinit.
TIFOZËT
Edhe pse në ndeshjet e fundit tifozët e kuq e kanë braktisur skuadrën, debutimi i Shpëtim Duros në bankinë është edhe një sinjal për ta. Priten të jenë të shumtë e të zjarrtë në mbështetje të skuadrës.
“Vlonjatët në heshtje, kështu përgatisim fitoren”
Flamurtari nuk do të ketë shërbimet e sulmuesit Denis Mema, por trajneri kroat Slavko Kovaçiç beson te fitorja kundër Bylisit.
Sinjali i marrë në Kupën e Shqipërisë, pas asaj fitoreje 6-1 në transfertë me Naftëtarin (3 gola Franc Veliu), ka frymëzuar kuqezinjtë e Flamurtarit për një tjetër sukses në kampionat.
Shefi i klubit, Geri Çipi, pranoi se skuadra është në heshtje shtypi, sipas tij për të përgatitur në qetësi sfidën me Bylisin, por ish-mbrojtësi i shquar i Kombëtares shqiptare nuk e mohoi se objektivi i vetëm është fitorja. Flamurtari në tre takime të zhvilluara në shtëpi ka arritur të fitojë 2 e ka humbur 1 (me Elbasanin). "Edhe barazimi do të vlerësohet njëlloj si humbja", - është shprehur për mediat kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, njëherësh edhe president i klubit më të famshëm shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Lila i ndarë në dy pjesë, do golin, por jo festën
Kavajasi Andi Lila është dhe lojtari special i supersfidës Tirana-Besa, e vlefshme për javën e 9-të të Superligës e që vë përballë njëra-tjetrës dy skuadrat më në formë për momentin e që ndajnë respektivisht vendin e parë me atë të dytë. Mbrojtësi 22-vjeçar i Kombëtares shqiptare, pas shtatë vitesh me fanellën verdhezi të Besës, tashmë debuton prej fillimit të sezonit me atë bardheblu të 23-herë kampionëve të Shqipërisë. Lila, një lojtar i menaxhuar nga agjenti shqiptar i FIFA-s, Sokol Haxhiaj, së bashku edhe me sulmuesin Migen Memelli, mbrojtësin Tefik Osmani, mesfushorin sulmues Gjergji Muzaka, ishte një nga goditjet më të mëdha të merkatos verore të presidentit Refik Halili.
Me një të kaluar të shkurtër ndërkombëtare (te Iraklisi në Greqi), Andi Lila është shndërruar në një nga mbrojtësit më të fortë të kampionatit shqiptar. Autori i dy golave në Superligë për këtë edicion e vlerëson sfidën ndaj ish-skuadrës së tij si speciale. "Nëse shënoj (kundër Besës) nuk do të festoj", - tha ish-kapiteni i Shpresave të Shqipërisë, i cili do të ketë edhe familjen e tij të pranishme në stadium ditën e diel.
Dinamo ka aleat edhe "Lonin", në Fier luhet pa tifozë
Nuk ka asnjë objektiv tjetër veç fitores me Apoloninë dhe Dinamo e vendit të tretë udhëtoi dje në Fier, për t'u "ambientuar" me klimën fierake, ku do të luajë në një "Loni Papuçiu" pa tifozë.
JUSUFI - Fantazisti shqiptar me pasaportë kroate, Pëllumb Jusufi, ishte autori i golit të vetëm të Dinamos në fitoren kundër Albpetrolit (1-0) në Kupën e Shqipërisë. "Jemi përgatitur që të marrim maksimumin në Fier - tha ish-lojtari i Domzhales.
Sulmuesi shqiptar nga Tetova ka marrë ftesë që të luajë për Kombëtaren e U-21 të Kroacisë, në ndeshjet miqësore, të cilat do të luhen pas disa javësh. Trajnerët kroatë Drazhen Ladiç dhe Zdravko Daliç (është trajner i Dinamos së Tiranës) janë të kënaqur me formën momentale të Jusufit dhe kanë vendosur të grumbullojnë sulmuesin dinamovit për takimet përgatitore të U-21 të Kroacisë.
PEJIÇ - Golashënuesi më i mirë i Dinamos në sezonin e kaluar, kroati Pero Pejiç (18 gola), nuk do të rikthehet te Dinamo në merkaton e janarit. Sipas presidencës së 17-herë kampionëve të Shqipërisë, edhe kroati tjetër Dario Bodrusiç nuk është në planet e Dinamos.
FERRAJ- Mesfushori i talentuar dinamovit është shqetësimi i vetëm në kampin blu, pasi Nertil Ferraj ka pësuar një dëmtin në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë kundër Albpetrolit. Edhe mesfushori Hetlem Çapja është në dyshim për aktivizimin kundër Apolonisë
PLAKU - Rikthimi i tij nga Norvegjia u konsiderua si një nga goditjet më të bujshme në merkaton blu. Në tetë javët e para edhe pse Sebino Plaku është golashënuesi më i mirë i Dinamos (4 gola). Sulmuesi do të mungojë në ndeshjen kundër Apolonisë për shkak të kartonit të kuq të marrë me Partizanin. Plaku pohoi se nuk do të rikthehet te Ham Kam në Norvegji (të paktën deri në qershor të vitit të ardhshëm), edhe pse ai është i huazuar te Dinamo nga klubi norvegjez.
ETEROVIÇ- Sulmuesi kroat Mate Etoreviç është ende në provë te Dinamo, por ende nuk ka një përgjigje përfundimtare për lojtarin e ardhur nga Debreceni i Hungarisë. Trajneri Zlatko Daliç gjithsesi e sheh si opsion muajin janar për ta bërë blu.
Apeli korrigjon Disiplinorin
Komisioni i Apelit i mbledhur dje vendosi t’ua ulë me nga 3 ndeshje pezullimin futbollistit brazilian të Dajtit Abilio dhe atij të Burrelit, Lleshaj, pas grushteve që ndanë këta të fundit dy javë më parë, në ndeshjen Burreli-Dajti 0-0. Disiplinori i kishte dënuar më parë dy futbollistët me nga 5 ndeshje.
Një gjë nuk po kuptohet nga organizmat e “pavarura” të FSHF-së. Si ka mundësi që ish-sulmuesi popullor i Partizanit të dënohej më parë nga i “ashpri” Disiplinor me një numër kaq të madh ndeshjes (5) teksa i “mëshirshmi” Apel e ul në mënyrë drastike në dy.
Ndoshta ankesa e presidentit të Dajtit, biznesmenit të njohur Naim Qarri, “se kë kishte vrarë Abilio që të dënohej pesë ndeshje” i ka bërë të kuptojnë në FSHF se “dora e rëndë” ndonjëherë edhe teprohet me të vegjlit, kur të mëdhenjtë shijnë e korrin pikë. Gjithsesi, Apeli nuk është treguar i mëshirshëm me Apoloninë, duke mos e marrë parasysh animimin e fierakëve për heqjen e pezullimit të fushës së saj me dy ndeshje, teksa në takimin Apolonia-Flamurtari, anësori Denis Rexha u godit me një shishe plastike uji, duke rënë në tokë e duke pezulluar për 6 minuta ndeshjen.
1 Nentor 2008