E Diel, 1 Nëntor 2026

Evakuimi mund të bëhet edhe me forcë

08/01/2010  Qeveria në prag të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme
Berisha i vlerësoi si spekulime disa qëndrime të opozitës
Kryeministri Sali Berisha ka pohuar paraditen e djeshme se qeveria mund të vendosë gjendjen e jashtëzakonshme për zonat e përmbytura në Shkodër dhe Kurbin. Duke e vlerësuar gjendjen vërtet të rëndë, por jo pa rrugëdalje, shefi i ekzekutivit ka deklaruar se do të jetë pikërisht Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civili që do të përcjellë vlerësimin mbi situatën. Berisha ka pohuar se nuk përjashton marrjen e vendimit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në këto zona. “Natyrisht, për të thënë atë që është, ne buzë saj jemi”, - ka deklaruar kryeministri Berisha. Ai ka theksuar se të gjitha forcat janë përqendruar në shpëtimin e jetëve të njerëzve dhe më pas do të bëhen të gjitha përllogaritjet e nevojshme për të përcaktuar sa janë dëmet e shkaktuara. Berisha ripërsëriti thirrjen drejtuar qytetarëve që ende qëndrojnë në zonat e përmbytura dhe që rrezikojnë të evakuohen. Po nëse ata nuk do të respektojnë këtë thirrje dhe gjendja do të vlerësohet tejet e rrezikshme, atëherë nuk evitohet evakuimi me forcë. “Ne jemi përpjekur shumë që të ecim me bindje, po në rast se do të detyrohemi, do të veprojmë në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme. Nëse detyrohemi për të shpëtuar jetët e njerëzve, ne do të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme në atë zonë, pasi ata nuk mund të humbasin jetën”, - ka deklaruar kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë pohoi se dëmet janë të pamohueshme. Sipas tij, çdokush që është prekur nga kjo katastrofë do të kompensohet. Në deklaratën e tij kryeministri tha se prurjet në Fierzë janë mbi dyfishuar dhe kanë arritur në 1800 m3/s. Po ashtu janë dyfishuar edhe prurjet në Koman dhe për të ruajtur nivelin e pranueshëm të liqeneve kusht vendimtar në këtë situatë është rritja e shkarkimeve të ujërave, duke respektuar ligjin dhe rregulloren përkatëse. Por kryeministri ka deklaruar se nuk ka vend për panik. Gjithsesi, ai nuk la pa prekur edhe disa qëndrime që vijnë nga opozita, të cilat i cilësoi si spekulime dhe që dëshmojnë një amoralitet të madh. “Askush nuk duhet të mendojë se do të nxjerrë përfitime nëpërmjet mashtrimit. Korporata ka zbatuar me përpikëri atë që shkruhet në nenet e rregullores. Të gjitha të tjerat janë mashtrime amorale të atyre që mendojnë se mund të nxjerrin përfitime duke mashtruar qytetarët”, - deklaroi kryeministri.
Në daljen e djeshme publike kryeministri bëri me dije se për gjendjen e vështirë të krijuar nga përmbytjet është vënë në dijeni NATO-ja dhe qendra e emergjencës. Ai tha se Italia fqinje ka sjellë në Shqipëri ekspertin për digat, ndërkohë që Austria, Kosova, Maqedonia janë shprehur të gatshme për të ofruar ndihmën e tyre për të përballuar këtë situatë të vështirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›