Rama: Priten lajme të këqija nga Europa
Lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, ka paralajmëruar mbërritjen e raporteve negative nga qendra e kancelarive europiane. Në një dalje publike në selinë rozë, Rama tha dje se “është koha për të folur hapur me shqiptarët e për t’u treguar të vërtetën e krizës, duke nisur nga transparenca e zgjedhjeve që do të çlirojë votën e tyre dhe do t’i bëjë qytetarët gjykatësit e vërtetë të qeverisjes e të politikës... Për çdo lajm të keq që mund të vijë nga Europa ditë pas dite, faji do të jetë vetëm i Sali Berishës”. Ky pasazh nga deklarata e djeshme e Ramës i jep publikut një informacion paraprak të një penalizmi të mundshëm të Shqipërisë nga komuniteti europian. Edhe pse nuk është shumë e qartë se çfarë përmbajnë realisht “lajmet e këqija” për Shqipërinë, adresa e mundshme e kësaj “tërheqjeje veshi” shkon te procesi i integrimit. Krahasimisht me vende të tjera, Shqipëria e drejtuar nga Sali Berisha bën një përjashtim esencial; nëse Greqia dhe Hungaria si dy vende anëtare të Bashkimit Europian kanë vënë në njohje Brukselin për krizën e rëndë financiare, Tirana zyrtare aktualisht po bën të kundërtën. Në një përpjekje për të siguruar suksese të reja elektorale me fshehjen e realitetit në vend, qeveria e tanishme po i jep opozitës një atu të re në betejën politike. Kjo pasi, në mos kriza, rënia e ritmit ekonomik është e dukshme dhe mjafton referimi që kreu opozitar, Edi Rama, ka bërë për punësimin për të kuptuar këtë gjë. Nëse selia rozë potencialisht ka opsione për të pasuruar aksionin e vet opozitar, ekonomia e qytetarëve është një gur themeli në këtë kuadër. “...nuk do rreshtim së kërkuari marrëveshjet e negociuara që i bëjnë mirë Shqipërisë e njëkohësisht, duke rezistuar me të gjitha forcat kundër së keqes që i vjen demokracisë, drejtësisë, ekonomisë së vendit nga politika e vjetër e abuzimit me pushtetin”, ka shtuar në këtë kuadër Edi Rama. Të paktën politikisht PS ka hedhur një hap që sugjeron mirëkuptim dhe marrëveshje në funksion të ruajtjes së stabilitetit ekonomike dhe politik, cenimi i të cilit do ta riizolonte Shqipërinë.
Vlora
Një vit ballafaqim politik mes pozitës dhe opozitës po e orienton ligjërimin publik të kësaj të fundit drejt aspekteve të reja të situatës në Shqipëri. Dominimi i kauzës së kutive dhe transparencës së zgjedhjeve në aksionin opozitar po relativizohet nga problemet ekonomike të krijuara si pasojë e një qeverisjeje së cilës nuk i ka munguar aventurizmi apo edhe sensi i elektoralizimit të financave publike. Kriza është e përditshme dhe për këtë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka sjellë dje si ilustrim shifrat e punësimit në Shqipëri. “Sali Berisha grabiti zgjedhjet dhe tani po shkatërron ekonominë. Premtoi 160 mijë vende të reja pune dhe deri tani ka mbyllur 100 mijë”, u shpreh ai. Ky “inspektim” opozitar në të dhënat e ekonomisë artikulon një realitet tjetër, përkundrejt atij që Kryeministri Sali Berisha e përcjell para shqiptarëve si shfaqje e “vendit me zhvillimin më të shpejtë në botë”. Të njëjtin apel ai e ka përcjellë edhe nga Vlora, ku ka qenë dje në kuadër të turit “Hap kutitë – liro vizat –çliro ekonominë”. I shoqëruar nga deputetët e qarkut, Luiza Xhuvani, Fatmir Toçi e Eltar Deda, si dhe në prani të kreut të bashkisë, Shpëtim Gjika, Edi Rama ka nënvizuar suksesin e grevës së urisë si emblemë e reagimit ndaj një krize e cila tashmë nuk mund të mbulohet. “Unë besoj se greva ia arriti. Madje për mua personalisht, shumë sinqerisht jua them, nuk e kisha menduar se do të arrinte kaq shumë. Jo thjesht ulja në një tryezë me palën tjetër, por ulja në një tryezë me miqtë tanë, ndërkombëtarët, PE, KE e deri te qeveria e SHBA-së... Bilanci është pozitiv, është inkurajues. Ne pranojmë kompromisin, vetëm me një kusht të vetëm, transparenca të bëhet e jo të mbyllet”, ka deklaruar kreu i PS-së në Vlorë.
#