Diagnostikimi i gabuar, rasti shkon tek Urdhri i Mjekut
Dokumenti i mëposhtëm është një kopje e denoncimit për diagnostikim të pasaktë të pacientes 58-vjeçare, nga Tirana, Marika Sula. Bashkëshorti i saj, Mentar Sula ka rrëfyer shkurtimisht, ngjarjen dhe ecurinë e diagnostikimit në tri klinika të ndryshme. Në këtë denoncim drejtuar Urdhrit të Mjekëve, bashkëshorti i pacientes tregon rrugëtimin që ka kryer për të ndjekur ekzaminimet e bashkëshortes së tij.
Sipas Sulës, në këtë rast bëhet fjalë për një gabim në diagnostikim dhe për këtë klinika mjekësore detyrohet që minimalisht të kërkojë falje. Në këtë dokument, pacienti rrëfen për dhimbjen, stresin, lodhjen nervore që ka kaluar ai bashkë me familjarët e tij, shpenzimet për ekzaminime të tjera, për udhëtimin jashtë shtetit, akomodimin, si dhe për kontributin modest që kërkon t’u japë ai qytetarëve shqiptarë duke thënë një grimcë nga halli i tij familjar.
Denoncimi drejtuar Urdhrit të MjekutVeprimin që po bëj e kam diskutuar gjatë me miq e të afërm, me mjekë e juristë e persona të specialiteteve e moshave të ndryshme.
Nga dy opinionet kryesore, të cilat i konsideroj si këshilla të dhëna me ndjeshmëri e dashamirësi dhe për të cilat i falënderoj do të zbatoj vetëm njërën.
Jam dakord që veprimin e gabuar të kryer nga një klinikë mjekësore thjesht për etikë nuk do ta quaj mashtrim me pasoja shumë të rënda, sikurse më ishte ngulitur në mendje, por pasaktësi me pasoja shumë të rënda për shëndetin mendor, fizik e financiar të familjes time.
Nuk jam dakord për këshillën e dytë se çdo denoncim e përpjekje njerëzor e qytetare për të përmirësuar gjendjen, sidomos në sektorin e shëndetësisë është e kotë dhe pa efekt. Dhe se përpjekja ime për të dhënë një kontribut modest që ngjarje të tilla të mos u ndodhin qytetarëve të tjerë, nuk do të vlerësohet dhe do të më shkaktojë zhgënjim e konsum pa dobi, energjish nervore fizike financiare, e deri në nxitjen e ndonjë armiqësie e cila një ditë mund t’i kushtojë rëndë familjes time.
Jo unë nuk i shoh gjërat bardhezi dhe kam besim e bindje se me vullnet pozitiv për të vlerësuar të mirën e për të denoncuar të keqen, me kohë, edhe në Shqipëri çdo gjë do të rregullohet.
Ngjarja
Më datë 23 12. 2009 sipas të gjitha rregullave gruaja ime për shkak të disa shqetësimeve në stomak kryen një fibriogastroskopi në Klinikën Ortodokse Tiranë.
Midis të tjerave gjatë ekzaminimit u konstatua një polib (1-1.5 mm) në fund të ezofagut nga i cili u mor material për analizë biopsie.
Më datën 28.12.2009 marr përgjigjen zyrtare që analiza ka dalë keq dhe se në materialin e polibit vihet re qeliza të malinjizuara. Mjeku i laboratorit më thotë se gjendja është serioze dhe se duhet nxituar për operim duke më rekomanduar edhe mjekun operator, që siç mësova më vonë ishte më i miri në fushën e tij. Nuk është e vështirë të përshkruash goditjen e rëndë psikologjike shpirtërore e fizike të gruas dhe të gjithë familjes. Që të mos zgjatem në detaje në saj të aftësive profesionale e humanizmit të mjekëve gastrologë që kontaktova pas një konsulte të gjatë midis tyre dhe ekipit operator u vendos që ndërhyrja kirurgjikale të shtyhej për 3-4 javë pas një ekzaminimi të dytë fibrograstroskopie.
Më datë 08.01.2010 me pak përpjekje arrijmë të marrin materialin e polibit (lamat e parafina me nr. 563/9) që kishte dalë i malinjizuar nga laboratori i klinikës së parë që u drejtuam dhe me anë të klinikës “Albaturk” Tiranë e dërgojmë për riekzaminim në Turqi.
Më datë 15.01.2010 vjen përgjigjja zyrtare nga Turqia ku thuhej se: “gjatë analizës me përgjegjësi të materialit të polibit (nr 563/09) nuk konstatohen qeliza të malinjizuara”.
Të gëzuar, por edhe të stresuar nga autoriteti i klinikës ortodokse i mjekut të laboratorit dhe i bindjes së administratës së klinikës se laboratori nuk mund të gabojë, vendosëm të bëjmë një ekzaminim tjetër, por jo në Shqipëri.
Më datë 08.04 2010 në spitalin “Valduçe” të qytetit të Komos në Itali, gruaja iu nënshtruar një fibriogastroskopie të dytë. Polibi u hoq dhe u dërgua në laborator për analizë biopsie.
Më datë 15.04.2010 ora 14:00 erdhi përgjigjja zyrtare nga laboratori: “Në materialin e polibit nuk ka qeliza të malinjizuara”. Kjo ishte ngjarje e hidhur. Vetëm për një pasaktësi të klinikës së parë ku u drejtua, familja ime, për 4 muaj rresht, jetoi me sindromën e sëmundjes së rëndë dhe të gjithë e kuptojnë se çfarë tmerri dhembje shpirtërore e fizike të shkakton ky fakt.
Më datën 05.05. 2010 pas denoncimit të rastit në klinikën ortodokse administratorja e saj organizoi një ballafaqim me mjekët përkatës.
Pas një diskutimi të gjatë ku nuk u kërkua asnjë ndjesë nuk u pranua asnjë përgjegjësi e ku spikati solidariteti i sëmurë me justifikime, teori e alibi të ndryshme, administratorja e klinikës konkludoi: “duhet të jeni të lumtur që kjo punë përfundoi mirë. Ju këshilloj të mos lini kishë pa ndezur qirinj për Zotin që ju shpëtoi nga e keqja”. Por administratorja nuk tha asnjë gjë për përgjegjësinë e klinikës për pasaktësinë e saj me pasoja shumë të rënda, për familjen tonë dhe nuk e di nëse pati ndjeshmëri shpirtërore për kalvarin tonë të gjatë e të mundimshëm.
Dua të informoj që për shkak të pasaktësisë së klinikës për 4 muaj rresht për vizita mjekësore, ekzaminime, analiza sigurime vizash, prenotime, udhëzime, akomodim e gjithçka tjetër familja jonë ka bërë shpenzime të mëdha financiare shumë të rënda për një familje pensionistësh shqiptarë.
Jam i ndërgjegjshëm që klinika ortodokse gjatë aktivitetit të saj ka lehtësuar dhembje njerëzore, e ka shpëtuar jetë njerëzish. Për këtë është mirënjohur, përgëzuar e shpërblyer. Në rastin tonë klinika me pasaktësinë e saj e cila vërtetohet me dokumente zyrtare origjinale, gaboi edhe për këtë duhet të pranojë e mbajë përgjegjësitë e saj, të cilat nuk mund të shlyhen vetëm me ndezjen e qirinjve në kisha.
Jam në pritje të një reagimi të përgjegjshëm të klinikës,
Kërkoj mirëkuptim, mbështetjen dhe ndihmën tuaj.
Tiranë, maj 2010
Mentar Sula