Ble traktorin, mashtron për pagesën
Ersekë – Uniformat blu kanë bërë ndalimin e shtetasit Hajdar Fejzo, lindur dhe banues në qytetin e Ersekës, për veprën penale të “mashtrimit” parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal. Sipas të dhënave të policisë për gazetën “Albania” rezulton se ky shtetas, në datën 9 shkurt 2008 kishte blerë një traktor tek një shtetas në fshatin Zvezdë të rrethit të Korçës, nuk i kishte dhënë një shumë prej 280 000 lekësh të rinj. Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme.
Bie nga tarraca, vdes nëna e tre fëmijëve
Fier - Një 43-vjeçare, nënë e tre fëmijëve, ka gjetur vdekjen teksa ka qenë duke nderur rrobat mbi tarracën e banesës ku ajo jetonte. Ngjarja ka ndodhur në orën 8:30 minuta të mëngjesit të djeshëm në fshatin Zharrëz, rreth 7 kilometra larg Fierit. Rajmonda Kotherja ishte e divorcuar dhe jetonte tek njerëzit e saj ka gjetur vdekjen pasi ka rënë nga tarraca e shtëpisë. Kunati i saj dhe të afërmit i kishin dhënë disa metra tokë që ajo ta punojë që të mbante familjen gjallë. Ata i kishin dhënë dhe një banesë të vogël ku jetonte me tre fëmijët. Nga dëshmia e familjarëve u mësua se në mëngjes herët ajo kishte larë rrobat dhe ishte ngjitur në tarracën e shtëpisë për ti nderur ato. Teksa është kapur tek teli i rrobave ai është këputur dhe ajo ka rënë përtokë duke gjetur vdekjen. Familjarët kanë dëgjuar zhurmën e kanë marrë e me urgjencë e dërguan në Spitalin e Fierit por ajo kish ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital. Vdekja e 43-vjeçares ka ndodhur nga pakujdesia, gjë të cilën e konfirmojnë edhe burimet zyrtare të Policisë së Fierit. 43-vjeçarja ka tre fëmijë nga martesa e saj.
4 Shkurt 2009